Julika Prifti: Drama intime e një nëne, dilemat e një shoqërije

“NËNA” – dramë e shkrimtarit të njohur shqiptar Ruzhdi Pulaha po shfaqet në teatrin Metropol në Tiranë. Dramaturgu i suksesshëm i më shumë se katër dekadave po tërheq publikun me historinë e saj njerëzore dhe konfliktin dramatik të peshës së heshtjes dhe të vërtetës.
Një histori dashurie që përfundon krejt ndryshe nga sa parashikohej. Besa, një vajzë e re, e bukur mbetet shtatzënë. Por dashuria e madhe e djaloshit simpatik, që, deri atëherë ishte dukur e sinqertë, romantike, e pashkushtëzuar, merr një kthesë të papritur. Ai i kërkon asaj ta abortojë fëmijën sepse lidhja e tyre nuk mund të vazhdojë. Ata vijnë nga botë të ndryshme. Ai është djalë i një familje që jeton në “Bllok”, me status të privilegjuar, dhe e lidhur ngushtë me pushtetin komunist, ndërsa Besa është vajza e një inxhinieri, që ka vdekur në burg, i dënuar për agjitacion e propagandë.
Djali, simpatik e tërheqës, diti të përdorte gjithë “mjeshtërinë” e tij për të fituar zemrën e saj. Por dashuria e tij avullohet sa merr vesh gjendjen e re. Ai nuk do e nuk pranon të marrë përsipër përgjegjësinë, e as pasojat e kësaj marrëdhënie që e kishte kërkuar me shumë këmbëngulje prej një viti. Përkundrazi ai e shantazhon dhe e kërcënon Besën, këtë herë për të arritur një qëllim tjetër, abortin e fëmijës. Besa nuk pranon. Ajo vendos ta sjellë në jetë fëmijën e saj. Për këtë gjen ndihmë tek nëndrejtoresha e ndërmarrjes, që e lejon të largohet nga kryeqyteti për disa muaj “për të mësuar një teknikë të re” në një qytet tjetër.
Në shtëpinë e kushërirës, Besa lind djalin e saj, por është e shtrënguar ta çojë në Shtëpinë e Fëmijës që të mund të adoptohet nga prindër të tjerë. Besa, si nënë e re, i kërkon drejtoreshës së institucionit të takojë nënën që do rrisë fëmijën e saj. Kjo është një nga pjesët më të ndjera e të bukura të shfaqjes, kur dy nëna flasin nga shpirti i tyre. Aty kupton se në atë shoqëri shqiptare ka ende njerëz humanë. Takimi, që përcjell emocione të forta rreth amësisë dhe dashurisë për një fëmijë, është një nga skenat më prekëse të dramës, momenti kur përkushtimi i pakufishëm për të përplaset me dhimbjen e sakrificës për t’ia besuar rritjen dikujt tjetër.
Një dramë e shkruar për një kohë tjetër, por që i flet së sotmes. Ngjarja e dramës i takojnë një periudhës së komunizmit në Shqipëri, kur prejardhja familjare dhe përkatësia shoqërore vendosnin jo rrallë fatet e njerëzve. Megjithatë vepra nuk mbetet e kufizuar në kohë.
Përtej rrethanave historike, ajo prek një problem që është i pranishëm edhe në ditët tona: hendeku mes atyre që kanë pasuri dhe atyre që nuk kanë, mes atyre që kanë pushtet e atyre që janë të pambrojtur para tij, kohët ndryshojnë, format e privilegjit po ashtu, por marrëdhëniet e pushtetin, paragjykimet dhe padrejtësitë shoqërore vazhdojnë të jenë të pranishme.
Drama e Pulahës edhe pse e shkruar për një kohë tjetër nuk e humb aktualitetin. Historia e Besës na fton te shohim se sa shume mund të ndikojë pabarazia dhe privilegjet në jetën e fatin e individit. Autori nuk na paraqet thjesht një dramë dashurie të dështuar, por një përplasje mes dy botëve, të privilegjit dhe përjashtimit, mes interesit vetjak dhe përgjegjësisë njerëzore.
Puna regjisoriale e Milto Kutalit me asistentet Klodian Çelmeta dhe Enes Ajazi e pasuron intensitetin e dramës duke ndihmuar spektatorin të ndiejë jo vetëm ngjarjet, por edhe botën e brendshme te personazheve. Regjia ka ndërtuar një rrjedhë skenike të harmonizuar, duke ndërthurur veprimet që zhvillohen para syve të spektatorit me digresionet dhe kalimet në situata të tjera pa krijuar ndërprerje apo shkëputje në rrjedhën e dramës. Mizanskenat duken të thjeshta, por i shërbejnë me finesë dramës. Tërësia artistike arrihet në sajë të skenografisë nga Beqo Nanaj, koreografia nga Renard Ahmeti, muzika nga Jurgen Muharremi, dhe kostumografia nga Frenci Gjerasi.
Trupa e aktorëve në role si të bëra për ta manifestojnë talentin dhe fuqinë e tyre artistike. Aktoret e afirmuara Marjeta Ljarja, Yllka Mujo, Klea Konomi, Elia Zaharia mishërojnë bindshëm personazhet duke u dhënë atyre individualitet, vërtetësi dhe ngarkesë emocionale. Aktorët më të rinj, me talent dhe aftësi shprehëse të spikatura, qëndrojnë natyrshëm përkrah aktoreve të konfirmuara. Xhino Musollari, Roerd Toçe, Joana Omeraj krijojnë një ansambël plot gjallëri, ku secili i jep personazhit të vet një individualitet dhe vërtetësi të veçantë.
Është kënaqësi të shohësh se si aktorët e brezave të ndryshëm arrijnë të krijojnë një tërësi skenike, në ndërtimin e atmosferës dhe të përçimit të veprës tek publiku që përlotej ndërsa ndiqte rrjedhjen e dramës, e cila fal një komunikim të drejtpërdrejtë e të fuqishëm njerëzor. Kur arti skenik bashkon dy breza të së njëjtës familje, Yllka Mujo me vajzën e saj, Elia Zaharia, dhe kur përvoja e një aktoreje te konfirmuar e të mirënjohur takohet me energjitë dhe talentin e një aktoreje më të re, nuk është thjesht një rastësi familjare, por një vazhdimësi e bukur artistike e teatrit si art që jeton përmes njerëzve dhe brezave që ia përcjellin atë njeri-tjetrit.
EMOCION PËRTEJ SKENËS
Takimi me autorin e dramës, Ruzhdi Pulaha, pas shfaqjes, më çoi pas në kohë, te shfaqja e dramës tjetër, “Mësuesi i Letërsisë” në vitet 80-ta në Tiranë, e më tej tek kujtimet e premierave të dikurshme, kur Ruzhdiu dhe babai im ishin miq e kolegë. Por këtë herë, një kujtim tjetër e bëri takimin edhe më të veçantë. Bashkëshortja e tij, Myzejen Pulaha, më kujtoi se ka redaktuar disa libra të babait në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri. Për një çast, teatri dhe arti, miqësitë e shkuara dhe e tashmja u bashkuan në një takim të ngrohtë njerëzor.
“NËNA” është një dramë që të bën të mendosh, të emocionohesh dhe të reflektosh. Një histori që pasi mbaron në skenë, vazhdon të jetojë në mendje dhe në ndjeshmërinë e spektatorit, është art i vërtetë dhe e tillë është kjo dramë.