Albspirit

Media/News/Publishing

Taip Sulko: Takimet me Agollin dhe romani im “I arratisuri”

Të dashur miq,
Dje, në 31 tetor 2026, Ambasada shqiptare në Otavë organizoi një mbrëmje letrare në të cilën u fol për trashëgiminë e rëndësishme letrare dhe intelektuale të Dritëro Agollit, si dhe interpretuan disa nga poezitë të e tij më të njohura. Po kështu ishin të ftuar edhe disa shkrimtarë dhe poetë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët folën për vepra të veçanta si dhe për krijimtarinë e tyre letrare.
Në këtë takim, unë solla kujtime nga takime me Dritëro Agollin dhe fola për romanin tim “I arratisuri”. Fjalën time mund ta lexoni në vijim:

TAIP SULKO- TË FLASËSH PËR RRJEDHAT KRIJUESE TEK ROMANI “I ARRATISURI”

Së pari do të doja falenderoja zj Ambasadore për ftesën,

Të nderuar të pranishëm,
Ka një rregull të pashkruar për shkrimtarët. Ata nuk flasin shumë për veprat e tyre. Ka arsye të forta për këtë.

  1. Ata mendojnë se çfarë kishin për ta thënë e kanë thënë, ajo është në vepër.
  2. Veprat e mira artistike janë si kaleidoskopë. E rrotullon dhe ke pamje tjetër. Çdo lexues sjell shikimin dhe mendimet e veta. Ti, me veprën tënde i zgjon secilit ndjesi të tjera. Aq e vërtetë është kjo saqë tani kritikët dhe eseistët thonë se lexuesi është pjesë e procesit krijues, ai krijon me ty.

Kështu, për fat, ka ndodhur edhe me romain tim “I arratisuri”. Ka pasur rreth tridhjetë shkrime të plota. Kryesisht nga autorë të njohur. Por secili prej tyre e ka parë ndryshe dhe gjen ide të ndryshme dhe sheh anë të ndryshme te krijimit artistik.
Sikurse e thashë, si rregull, shkrimtarët nuk ulen të shqyrtojnë veprën e tyre për lexuesit. Por ka një fushë ku shkrimtarët mund të flasin. Atë që vetëm ata e dinë. Kjo është të tregosh kureshtitë që lidhen me ngjizjen e veprës dhe, po ashtu, të rrëfesh për rrjedhat krijuse të librit. Këtë dëshiroj të bëj edhe unë.

Romani “I arratisuri” është quajtur “libri i jetës së një autori”. Me të drejtë. Këtë mund ta them sepse:

  1. Në këtë vepër ka ngjarje që janë të jetës sime – arratisjet. Në këtë libër ka po ashtu përjetime, ngjarje, vende, njerëz (vetje) që vijnë nga fëmijëria ime apo mosha e djalërisë së hershme.
  2. Romani “I arratisuri” me të drejtë mund të quhet si libër i jetës së një autori sepse ideja për këtë libër ka ndenjur shumë gjatë brenda meje. Ëndërroja ta shkruaja këtë libër, që kur lexoja veprat e mëdha që kanë në qendër një fëmijë apo një të ri që është vetë autori, si David Koperfildi i Dikensit, Universitet e mia të Gorkit, Triologjia e Tolstoit, dhe, para së gjithash, Kronikë në gur e Kadaresë. Kam edhe një histori që e kam thënë edhe në ndonjë intervistë: ideja e arratisjeve më pëlqente shumë. Por ishte e vështirë që të shtjellohej në atë kohë. Vitet iknin dhe romani nuk shkruhej. Pas një farë kohe, idenë e kam hedhur shkurt në një copë letër dhe e mbaja gjithnjë me vete, në kuletë, Për vite e vite. Ka ndodhur që kuletat vjetëroheshin, ndërroheshin ndërsa letra me shënimet për romanin kalonte tek kuleta e re.
  3. Një kureshti tjetër që dua të ndaj me ju. Shënimet e para, ose historitë e para për këtë libër i kam shkruar që kur isha student. Por në fillim shikimi im ishte realist, prirej nga realizmi. Titulli i romanit kryeherës ishte “Fëmija i fatit”. Ky shikim të jepte dorë për të shkruar, (duke patur parasysh jetën e vështirë në kohën e fëmijërisë sime në një fshat të Myzeqesë), por, kur arrita në pesëdhjetë faqe, ndjeja se ngjarjet nuk kishin më fuqi tërheqëse, sidomos pas vitit 1990. Do ishte vetëm një roman i vuajteve dhe keqtrajtimit shoqëror, shumë e njohur si temë. Nuk pata më dëshirë ta shkruaja. Për shumë kohë romani ndaloi, ngeli i paprekur. Ndryshimi erdhi këtu në Kanada. Në një kohë jo të mirë për mua. Ishin vitet 2014-2015 kur për ca kohë isha i papunë dhe kur më kishte vdekur nëna. Isha i pikëlluar. Për t’u harruar dilja në shetitje të gjata. Gjatë asaj kohe të vështirë ishin edhe gjetjet më të mira të romanit.
    Po i rendis:

a. Ndryshimi i titullit nga “Fëmija i fatit” në “I arratisuri”. Në qendër do ishin arratisjet, lëvizja, veprimi i rrëmbyeshëm. Kjo edhe u vërtetua shumë shpejt. Posa hyra në këtë shteg, nuk i tërhiqja unë ngjarjet, por ngajrjet më tërhiqnin mua.
b. Ndryshimi i shikimit për botën. Thelbi i njeriut është një, por leximi i botës i ndryshëm. Njerëzit, ngjarjet, përjetimet, ngjyrat dhe dritat janë aty. Ne duhet t’i japim theksim të fortë artistik kësaj bote, t’i japim ngjyrën tonë, atë fuqi jete që i ngjan flakës.
c. Shqipëria është vend i bukur, është një mrekulli, një univers më i vogël, në universin e madh të botës. Ti si shkrimtar duhet ta kapësh atë që është edhe shqiptare edhe pjesë e trashëgimisë së madhe të rruzullit. Dhe atëhere brenda vetes kërkon se si, atë që është e jotja, që është shqiptare, pjesë e atij unviersi më të vogël, ta shprehësh me mjetet universale të artit. Më vjen mirë që shumë nga kritikët dhe shkrimtarët që kanë shkruar për romanin “I arratisuri” e kanë vënë re këtë- romani ka gjuhë universale.
d. Kur shkrimtari fillon e shikon punën e vet, të shkruarit, rrëfimin, nga kjo lartësi, atëhere, kapet fort pas mendimit se një vepër arti është një botë e re që krijohet. Dhe për të punon. Ajo duhet të jetë e përkryer në logjikën dhe dritëjihet e jetës, duhet të jetë e besueshme reale, por edhe fluturim dhe tërheqje lart tek fluturimi i përfytyrimeve dhe shpirtërorja.
e. Dhe kur fillon ta ndërlidhësh të prekshmen me ëndrrën, realen me imagjinaren, tokësoren me qielloren, puna bëhet edhe më tërheqëse – këtë botë që po krijon, këtë univers të vogël që e ke filluar ta ngjizësh, ti do që ta përmbushësh me mjetet që të jep gjuha jote, (për fat kemi një gjuhë që për mua është më e bukura e botës), të përfshish aty historinë atë që na jep përjetësi dhe na bën krenar, trashëgiminë e pasur, atë rrjedhë të jetës që duhet ta kapësh në tërësinë e vet, me të mirën dhe të keqen, me bukurën dhe vuajtjen, dashurinë atë më të lartën me atë më dërmuesen, tragjiken.
f. Kjo mënyrë e shikimit do edhe stilin e vet, rrëfimi duhet të jetë i shpejtë, fjalitë të shkurtëra dhe të mbushura me veprim dhe mendim. Ajo që është kryesorja – në rrëfim një ngjarje ndjek tjetrën, një veprim ndjek tjetrin, me një gjuhë të shpejtë dhe poetike.
g. Sikurse e mendoj dhe e kam bërë tek “I arratisuri”; rrokullisja e shpejtë e ngjarjeve të jep dorë që personazhet të ndryshojnë, të rriten, të zhvillohen më mirë, sipas prirjes së tyre, ata secili prej tyre, në fund të librit kanë fatin e tyre, të plotësuar, të mirë apo të keq, sikurse ta mëson edhe jeta. Për një shkrimtar, një jetë njerëzore është një përrallë e bukur që duhet rrëfyer. Kjo e bën jetën më të mirë. Nëse e kupton shkrimtari këtë, ai do bëjë gjëra të mira.
h. Dua të flas për gjuhën në romanin “I arratisuri”. Gjuha është edhe edhe lënda, edhe mjeti, por edhe fusha ku zhvillohet beteja e shkrimit. Kur ti e do gjuhën tënde, dhe je në ethe krijuese, fjalët të vijnë vetë në mendje. Shpesh ti nuk e di se fjalë të tilla ishin në thellësinë tënde dhe vijnë dhe shfaqen atëhere kur duhet për ta bërë rrëfimin sa më tërheqës. Një nga ata që ka shkruar për romanin “I arratisuri” më tha se kishte gjetur në roman rreth 150 fjalë që nuk janë në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe. Kjo më gëzoi tepër!

Dua të ve në dukje një gjë- kur flet shumë për veten, mund të dukesh si mendjemadh. Si vetqortim po them një ngjarje që lidhet me vetëlëvdatat. Një instruktor i ri (po jo në moshë i ri), në kohët socialiste, në Lushnje, kur i erdhi radha të fliste në një sallë të mbushur me gra veprimtare tha: -Unë jam Miti Lala, më i miri, më i bukuri, më i zgjuari, më i zoti, ore s’kam shok në këtë botë. Pastaj heshti edhe salla plot, po ashtu ra në qetësi me një si ngrirje pa kupim… Në atë heshtje u dëgjua një zë gruaje: -Kush të ka thënë ty se je më i miri i Lushnjes? -Kështu më ka thënë gruaja- u përgjegj Miti, duke ngritur supet. Me këtë më ngjan se më këshillon edhe mua sa herë flas për veten.

Në fund të fjalës sime, po përmend, fare shkurt, një pjesë të shkrimtarëve, kritikëve, poetëve, studiuesve që kanë shkruar për romanin “I arratisuri” edhe si një dëshmi se, secili lexues ka shikimin dhe leximin e tij.

Çerçiz Loloçi, shkrimtar, gazetar dhe botues: Me këtë libër autori sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe.
Naim Zoto botues, gazetar: “I arratisuri” – sagë myzeqare që të kujton Jakov Xoxen, por natyrisht këndvështrimi dhe stili është tjetër.
Lazër Stani shkrimtar shquar dhe kritik: Teksti i këtij libri është i rrjedhshëm, rrëfimi i gjallë dhe fluent, i shkruar me një fantazi magjepsëse. Ndihet gjithkund një dorë mjeshtri.
Nuri Plaku poet, shkrimtar dhe gazetar: “I arratisuri” vjen si një prurje e re, me narracion të veçantë… që dëshmojnë për aftësi dhe talent të spikatur të autorit.
Ndue Dedaj poet, shkrimtar dhe gazetar i njohur: “I arratisuri është libri i jetës së një autori… Në romanet e sukseshme të autorëve bashkëkohorë, “I arratisuri” i Taip Sulkos rri denjësisht mes tyre.
Prof.Anila Omari, akademike, gjuhëtare: Me “I arratisuri”, Taip Sulko ka shkruar një roman që jep mesazhe universale, jashtë kufijve të një vendi të caktuar.
Kujtim Dashi shkrimtar dhe gazetar: Romani “I arratisuri” shfaq humanitet të rrallë dhe rrjedhshmëri stilistikore… si dhe gjetja, trajtimi mjeshtëror i tharmit universal e të veçantë të temës, një fat jo i shpeshtë ndër autorë.
Spiro Kote, poet dhe kritik: Tri arratisjet janë poema të bukura, që ndrijnë nga fjala e pasur, rrëfimi i zhdërvjellët, shprehja figurative, imazhi dhe koloriti i trevës dhe jo vetëm”.
Drita Ademi, poete, shkrimtare dhe kritike e njohur (nga Kosova): Një roman me vlera t’nalta, që mbetet gjatë në shpirt. Taip Sulko ndërthur realitetin me magjiken, kujtimet me andrrat, tue e kthye arratisjen në metaforë universale që secili prej nesh e kupton ndryshe”.
Monika Stafa, gazetare dhe studiuese, Top Channel: “I arratisuri” i Taip Sulkos, do ta quaja “fate njerëzore në një sagë shqiptare”. Identiteti yt është vetvetja, është ajo kështjella ku ti rikthehesh pas çdo arratisje”.
Dhimitra Malo dhe Prof.Foto Malo (studiues i letërsisë): E themi me bindje të plotë se T.Sulko, jo vetëm që ka arritur nivel të lartë artistik, por ai hap shtigje estetike krejt të reja për letërsinë shqiptare”.
Fatmir Terziu, poet, shkrimtar, kritik dhe botues, Londër, Britani e Madhe: “I arratisuri” arrin të krijojë një diskurs të ri për “veten shqiptare”… Vepra kontribuon në konsolidimin e një estetike bashkëkohore shqiptare, ku historia ndjehet, por nuk sundon; ku arratisja pranohet si kusht i njeriut, por shndërrohet në mundësi për vetëdije”.
Valbona Ahmeti, poete dhe shkrimtare nga Kosova, Montreal: “Romani përcjell idenë se liria është një nevojë themelore për njeriun.
Irena Dragoti, poete, shkrimtare dhe eseiste, SHBA: Arratisja më e madhe e njeriut nuk është largimi fizik, por përballja me vetveten. Dhe pikërisht këtu shkrimtari Taip Sulko dialogon deri me letërsinë e përtej atdheut si një zë përfaqësues universal i njeriut modern”.
Arben Iliazi, shkrimtar, poet dhe kritik: Tek “I arratisuri”, një roman ontogjenik, dallohet se Taip Sulko, si shkrimtar i avangardës krijuese, ai i jep vetes të drejtën për të diktuar rregullat kategorike të shpirtit…
————————-