Si u pikturua qëndresa e Martirëve të Karadakut (1846–1848) në Kishën e Binçës
Ismet Hajrullahu
KRONIKË NË MUR
Në vitin 1846, kryefamiljarët nga Binça, Stublla, Vërnakolla dhe Terziaji refuzuan urdhrin osman për regjistrimin e detyruar si myslimanë, duke zgjedhur internimin në Anadoll. Përballë presionit të pushtetit për të mohuar besimin dhe identitetin e tyre, rreth njëzet e pesë familje ,mbi njëqind e gjashtëdhjetë burra, gra, fëmijë dhe të moshuar,u shkulën nga vatrat e tyre. Ata u detyruan të nisnin një marshim tremujor në këmbë nga Shkupi deri në Selanik, e më pas me anije drejt Azisë së Vogël, në Bursa, Mudanja dhe fshatrat pranë detit Marmara.
Ky udhëtim dhe kushtet e rënda në kampet e internimit shkaktuan vdekjen e më shumë se gjysmës së të internuarve, të cilët u shuan nga uria, kolera, të ftohtit dhe torturat. Kjo tragjedi mbeti e dokumentuar me saktësi në regjistrat e famullisë dhe në dëshmitë e klerikëve të kohës, veçanërisht të Don Mikel Tarabulluzit dhe Don Engjëll Radojës. Nga Binça, barrën më të rëndë të kësaj sakrifice e mbajtën familjet Ukaj (Ukëhajdaraj), Kurteshi, Gashi dhe Ramaj, anëtarët e të cilave humbën jetën rrugës dhe në mërgim, pa pranuar kurrë të ktheheshin prapa me çmimin e ndërrimit të fesë. Krah tyre qëndroi edhe prijësi i tyre shpirtëror me origjinë nga Dalmacia, Don Anton Maroeviq, i cili u burgos dhe u torturua bashkë me besimtarët e tij në Shkup dhe Stamboll, duke refuzuar t’i braktiste.
U deshën gati tre vjet që zëri i këtyre të internuarve të arrinte te diplomatët evropianë në Stamboll. Në nëntor të vitit 1848, nën presionin e drejtpërdrejtë të ambasadorëve të Britanisë , Francës dhe Austrisë, Sulltan Abdylmexhidi e nxori fermanin e posaçëm që u jepte lirinë të mbijetuarve dhe u lejonte ushtrimin e hapur të besimit. Nga mbi njëqind e gjashtëdhjetë të dëbuar, vetëm rreth shtatëdhjetë deri në tetëdhjetë persona arritën të ktheheshin gjallë në Binçë dhe fshatrat përreth.
Sot, murali në muret e Kishës së Shën Ndout në Binçë shërben si një dëshmi e gjallë e kësaj qëndrese dhe e mbrojtjes së identitetit. Piktorët i kanë paraqitur martirët ashtu siç u morën nga shtëpitë e tyre në dimrin e vitit 1846, të veshur me tirq, plisa të bardhë dhe jelekë të zinj të Karadakut, por të lidhur me pranga dhe zinxhirë. Përmes këtyre detajeve reale të kostumeve dhe prangave, piktura e kthen arkivin në një kronikë të dukshme për brezat ardhshëm që do vijnë.