Arben Iliazi: Një turp kombëtar!
Sot duhet të ishte shpallur ditë zie kombëtare, flamuri të ulej në gjysmështizë, të mbaheshin homazhe dhe ceremoni shtetërore. Vlerësimi me një ditë zie do të ishte një gjest i lartë mirënjohjeje shtetërore, për ikjen në amshim të Prof. Dr. Ramazan H. Bogdanit (“Mjeshtër i Madh”), siç ndodhi ditën e fjetjes së Kadaresë apo të Dhimitër Anagnostit.
As Akademia e Shkencave nuk e pa të udhës të zhvillonte homazhe në ambjentet e saj për akademikun e saj të shquar! Ky është një turp kombëtar!
Ceremonia mortore dhe përcjellja për në banesën e fundit e studiuesit dhe koreografit të shquar, Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani (“Mjeshtër i Madh”), u zhvilluan sot, më 17 nëntor 2026, në orën 12:00, në varrezat e Sharrës në Tiranë.
Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani ishte një një nga figurat më të rëndësishme të etnografisë, etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë shqiptare, figurë me peshë të jashtëzakonshme për identitetin dhe kulturën kombëtare, një rojtar i tempullit të kujtesës kombëtare. Bëhet fjalë për një figurë themeltare që ka shpëtuar nga harresa pasurinë kulturore të vendit. Ikja e tij është një humbje e madhe për kujtesën kolektive dhe identitetin e kombit.
Etnokoreologjia dhe kultura shqiptare humbën një nga mjeshtrit dhe studiuesit e saj më të shquar – njeriun që i fali jetën ruajtjes së valles popullore, duke e shpëtuar nga harresa gjuhën e lashtë të ritmit dhe hapit tonë tradicional.
Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani ishte një arkiv të gjallë dijesh, përvojash dhe lidhjesh të pazëvendësueshme me të kaluarën.
Ikja e tij do të thotë se u këput një fill i artë që na lidhte me rrënjët, u tha një burim ku pinin ujë të gjithë ata që donin të njihnin vetveten.
Bogdani ishte studiuesi i rrallë që diti të lexonte si askush tjetër historinë, krenarinë dhe shpirtin e shqiptarit, të shkruar në çdo lëvizje dhe ritëm të valles popullore.
Si pedagog dhe akademik i njohur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ai edukoi breza të tërë studiuesish dhe artistësh me dashurinë për folklorin autentik.
Me ikjen e tij, mbyllet një epokë e rëndësishme e studimeve folklorike në Shqipëri, por puna e tij e dokumentuar mbetet një pasuri e pazëvendësueshme për identitetin tonë kombëtar.
Shumë dorëshkrime, studime të nisura, monografi apo ekspedita mbeten në mes, duke lënë boshllëqe të vështira për t’u plotësuar nga brezat e rinj. Në vende si Shqipëria, ku trashëgimia kulturore është shpesh e brishtë dhe ende e pa studiuar plotësisht, ikja e çdo studiuesi e bën më të vështirë ruajtjen dhe transmetimin e historisë sonë te brezat e ardhshëm.
Ata shërbejnë si zëra kritikë dhe mbrojtës të monumenteve, gjuhës, folklorit dhe traditave përballë harresës, urbanizimit të pakontrolluar apo tjetërsimit kulturor.
***
Gjatë jetës së tij, Ramazan Bogdani, si studiues dhe drejtues departamenti në Institutin e Kulturës Popullore, realizoi mbi 100 ekspedita kërkimore në terren, botoi rreth 20 libra e monografi, botoi qindra mbi 300 artikuj e studime (si ato për folklorin koreografik të Hasit, Kosovës, Çamërisë etj.), duke mbledhur, regjistruar dhe arkivuar vallet dhe ritet burimore përpara se ato të zbeheshin apo të humbnin.
Me mbi 220 skenarë filmash shkencorë të realizuar, ai fiksoi në pelikulë lëvizjet, kostumet dhe ritualet autentike, duke krijuar një fond të pazëvendësueshëm vizual për brezat e ardhshëm.
Kur po vinim në skenë dramën “Osman Taka”, në vitin 2023, bashkë me regjisorin Naun Shundi, e takuam profesorin, për një konsultë mbi vallen e famshme të Osman Takës. Ramazan Bogdani kish dokumentuar ekzekutimet burimore të kësaj valleje në festivalet folklorike (si në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës), duke ndihmuar që ajo të ruhej e paprekur në fondin e Institutit të Kulturës Popullore. (Këtë vit kjo valle është përfshirë në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale).
Profesori na këshilloi ta trajtonim momentin e valles, jo thjesht si lëvizje fizike, por si një fabul të mirëfilltë dramatike. Dhe ashtu ndodhi. Lëvizjet (si figura e harkimit në formë ure ku të tjerët kalojnë sipër Osmanit), tha profesori, lidhen me aktin e qëndresës, burrërisë dhe dashurisë për lirinë të heroit përpara ekzekutimit nga osmanët në Janinë.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore jomateriale është jetike sepse ruan identitetin e kombeve, nxit diversitetin kulturor dhe lidh brezat me njëri-tjetrin, tha profesori gjatë bisedës. Për njerëzimin, kjo trashëgimi—që përfshin traditat gojore, artet interpretuese, zakonet shoqërore, ritet, festat dhe zejet tradicionale—përfaqëson vetë kujtesën e gjallë të shoqërive.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore jomateriale (vallet, këngët, ritet, zejet dhe traditat gojore) sot në vendin tonë kërkon kalimin nga thjesht “arkivimi në muze” në mbajtjen e saj gjallë dhe përshtatjen me kohën dixhitale, pa i humbur autenticitetin.