Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria e 1929 përmes vështrimit të një udhëtareje zvicerane — Tri reportazhe nga Vérèna Pfenninger në gazetën “L’Impartial”

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Nëntor 2026

Në vitin 1929, gazeta zvicerane L’Impartial botoi një cikël prej tri reportazhesh të udhëtares Vérèna Pfenninger, të shkruara gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. Përmes vëzhgimeve dhe përshtypjeve të mbledhura drejtpërdrejt në vend, autorja na ofron një dëshmi me vlerë historike mbi Shqipërinë e periudhës së Mbretit Zog. Në shkrimet e saj ajo ndalet te vendi dhe banorët e tij, te traditat, qytetërimi, gjuha dhe historia, te përkatësia fetare, si dhe te përpjekjet për përhapjen e arsimit dhe afirmimin kombëtar. Të botuara më 12 dhe 20 mars, si dhe më 9 prill 1929, këto reportazhe na rikthejnë në një Shqipëri të para gati një shekulli, të vështruar nga perspektiva e një udhëtareje zvicerane dhe të pasqyruar në faqet e shtypit evropian të kohës. Rëndësia e tyre qëndron jo vetëm në informacionin që përcjellin për vendin, por edhe në dëshminë që japin për mënyrën se si Shqipëria perceptohej përtej kufijve të saj: çfarë kurioziteti zgjonte, çfarë vlerësimesh nxiste dhe sa ndërthureshin admirimi e paragjykimet në përfytyrimin e një vendi ende pak të njohur për publikun evropian. Përmes blogut të tij, “Dars (Klos), Mat – Albania”, Aurenc Bebja sjell për lexuesin shqiptar këto tri reportazhe, si një dëshmi të veçantë të vështrimit të huaj mbi Shqipërinë e vitit 1929.
I. NË SHQIPËRI — VENDI DHE POPULLI
L’Impartial, e martë, 12 mars 1929, ballinë dhe faqe n°3:
Përpara se të zbresësh në këtë tokë «të harruar» të pellazgëve, në këtë vend të mbajtur në gjendje mesjetare nga shekujt e gjatë të sundimit osman, është mirë të dëgjosh historinë që pata rastin të dëgjoja një mbrëmje, pranë një zjarri ku digjeshin rrënjë të shkulura nga tokat e lëna djerrë.
Ati, Krijuesi i botës, vendosi një ditë të zbriste në tokë për të parë nga afër veprën e tij. Kur mbërriti, u habit së tepërmi, sepse nuk e njihte më krijimin e vet, aq shumë kishte ndryshuar ai. Për të mos humbur rrugën nëpër vendet që përshkonte, iu desh të merrte me vete një udhërrëfyes. Kështu, duke kaluar nga një krahinë në tjetrën, ai mbërriti në atë kufi ku takoheshin bota e krishterë, bota myslimane dhe bota greke, në vendin që quhet Shqipëri. Për habinë e tij të madhe, mundi ta largonte menjëherë udhërrëfyesin, sepse e njihte krijimin e vet dhe e dinte fare mirë se ku po shkonte…
Ndërsa i afroheni me anije brigjeve të Durrësit, do ta kuptoni me përulësi se nuk jeni veçse një njeri i zakonshëm, sepse, ndryshe nga Zoti i Mirë, për ne të tjerët, të mbërrish në Shqipëri nuk është aspak një punë e lehtë. Duhet të kalosh nga deti në tokë pa hyrë në një port. Prandaj, nga anija që hedh spirancën në det të hapur, zbresim nëpër varka, të cilat vozitës të fuqishëm, që flasin një gjuhë të çuditshme, i drejtojnë drejt bregut. Transportimi i pakove, valixheve, kafshëve dhe njerëzve nuk është aspak i lehtë. Adriatiku është një det që shpesh tërbohet dhe, në këtë stinë, ndonjëherë e bën krejtësisht të pamundur këtë kalim.
Kështu, udhëtari, pas një nate me shqetësime të stomakut, duke kërkuar një pikë të palëvizshme ku të mbështetet, i detyruar të vështrojë anijen që lëkundet pareshtur dhe, njëkohësisht, një varkë që përpiqet t’i afrohet bregut, por që lëkundet edhe më shumë, ndoshta krijon pikërisht në atë çast një gjykim përfundimtar: «Ky vend pa port dhe pa mundësi zbarkimi është një vend i pamundur».
Sapo arrin të zbresë në tokë dhe të përshkojë këtë qytet të vogël të një epoke tjetër, siç është Durrësi, udhëtari heq dorë nga dëshira për të parë përreth. Vëmendjen ia tërheqin balta e shumtë nëpër rrugë, shëmtia e dyqaneve, mungesa e taksive dhe rrëmuja e grumbujve me thasë, arka e hekurishte, që pengojnë kalimin. Ai heq dorë nga të parit.
Teksa po afrohej, nuk kishte vënë re atje, në horizont, malet e larta e të bardha dhe, më pranë, kodrat që i ngjanin atyre që pretendonte se i admironte në sfondet e tablove të piktorëve të «Quattrocento»-s. Kur udhëton me automobilin e Institutit Qiriazi (përveç këtij automobili, vendi nuk zotëron të tjerë), i cili e çon nga Durrësi në Tiranë, kryeqytet, ai nuk sheh asgjë tjetër veç rrugës me ulje-ngritje e gropa, përgjatë së cilës kalojnë karvane që ecin zigzag dhe habiten kur u duhet të hapin rrugë përpara shpejtësisë së automjetit. Ai nuk e kupton se kjo rrugë nëpër të cilën udhëton është një zgjatim i Via Appia-s, që përshkon botën nga Perëndimi drejt Lindjes. Nuk e ndien se është nisur drejt takimit me diellin.
E megjithatë, Shqipëria, kaq pak e rehatshme dhe kaq e vështirë për t’u arritur, Shqipëria e egër, ku gjatë këtij dimri, për shkak të të ftohtit dhe dëborës, ujqër të uritur janë afruar pranë qytetit malor të Korçës dhe kanë shqyer tridhjetë e dy njerëz; kjo Shqipëri, ku gjithçka duhet ndërtuar: rrugë, ura, hekurudha — ndoshta i vetmi vend në Evropë që ende nuk ka të tilla —, centrale elektrike apo gazsjellës; ky vend ku deri në fund të vitit të kaluar nuk ekzistonte as edhe një gazetë, ky vend vigjilent në hyrje të Adriatikut, është një mollë sherri. Më saktë, ajo ishte një mollë sherri, e lakmuar nga fqinjët dhe, pikërisht për këtë arsye, e gjykuar padrejtësisht nga po ata që e lakmonin. Kujtojmë se, në përfundim të Luftës së Dytë Ballkanike, më 1913, Austria «krijoi» Shqipërinë (kështu mund të thuhet) kundër Serbisë, me qëllim që të pengonte këtë të fundit të arrinte në brigjet e Adriatikut. Nga pakënaqësia serbe lindi atentati i Sarajevës, i cili shkaktoi shpërthimin e konfliktit të madh evropian.
Prej rreth dhjetë vjetësh, Shqipëria po organizohet dhe forcat e saj po bashkërendohen në përpjesëtim me dashurinë që patriotët shqiptarë kanë për vendin e tyre.
Bindja e tyre patriotike përqendrohet rreth figurës së heroit kombëtar, Skënderbeut, çlirimtarit të shekullit XV, të cilin e ka përjetësuar në vargje poeti anglez Longfellow. Kjo ndjenjë patriotike, për nga madhështia dhe intensiteti, i ngjan asaj që duhet të ketë qenë bindja patriotike e zviceranëve të vjetër të tri Luginave. Pa rënë në një anakronizëm të tepruar, mund të thuhet se, në këtë cep të dheut, ora e historisë ka mbetur katër ose pesë shekuj prapa. Arsyeja është se dëshira e shqiptarëve për pavarësi është shtypur, luftuar dhe çrrënjosur për shekuj me radhë, përmes dhunës, dinakërisë apo rrethanave të detyruara. Vetëm kohët e fundit populli ka guxuar të shprehë forcën e gjenisë së vet. Ora historike e këtij vendi thjesht ecën me vonesë në krahasim me atë të Evropës Qendrore. Dhe nëse hekurudhat, banjat, uji i ngrohtë, uji i ftohtë në çdo kat dhe rehatitë e jetës moderne ende nuk kanë mbërritur deri këtu, kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk është e qytetëruar.
Përkundrazi, ajo zotëron qytetërimin e saj, i cili përballet me një rrezik: atë që rehatitë e shekullit të njëzetë të mos vendosen tepër shpejt në gjirin e një populli të mësuar vetëm me gjërat e domosdoshme: me ujin e lumit apo të pusit, me zjarrin e qymyrit ose të druve mbi dyshemenë prej dheu, me respektin patriarkal dhe thuajse fetar ndaj të huajit, i cili, sapo kalon pragun e shtëpisë, bëhet mik i saj. Nuk ka dyshim se pranimi i nxituar i një mënyre jetese apo i një rehatie të huaj, tepër të re dhe të përvetësuar pa u asimiluar më parë, mund t’u heqë këtyre «Bijve të shqiponjës», siç quhen shqiptarët (emërtim me të cilin ata i referohen vetvetes), vlerat e tyre të veçanta e karakteristike. Shqiptari, nëse bëhet një imitues sipërfaqësor i francezit, anglezit apo amerikanit, nuk do të jetë kurrë veçse një karikaturë e trishtueshme për këdo që ka arritur të kuptojë vlerën kulturore të traditës së mirëfilltë shqiptare.
Do të ishte e padrejtë ta gjykonim këtë popull nisur nga zhvillimi i tij i tanishëm ekonomik dhe material; madje, nuk do të ishte as e arsyeshme të nxirrnim përfundime mbi vlerat e një populli, duke u mbështetur te niveli mesatar i zhvillimit të tij qytetar në ditët e sotme. Të mos harrojmë se zhvillimi ekonomik është penguar për shekuj me radhë pikërisht nga i huaji që sot merr përsipër të gjykojë; se zhvillimi artistik dhe lulëzimi moral janë frenuar nga pengesa e një feje të imponuar, islamit, të sjellë nga turqit.
Deri më sot, kam vënë re pothuajse gjithmonë, në shkollën e madhe ku jap mësim, se nxënëset e mia që kanë më pak aftësi për besim aktiv, entuziazëm krijues dhe kureshtje intelektuale të gjallë e të strukturuar, vijnë nga familje myslimane. Them pothuajse gjithmonë. Megjithatë, dhuntitë natyrore këtu janë të jashtëzakonshme. Për të gjykuar popullin shqiptar, mjafton të shohësh këtë pasqyrë të një kombi, që përfaqësohet nga më shumë se njëqind vajza të reja, të ardhura këtu nga të gjitha anët e Shqipërisë, në Institutin Qiriazi, për të studiuar gjuhët, shkencat dhe matematikën. E pra, përqindja e mendjeve dhe e inteligjencave mediokre është jashtëzakonisht e ulët, pavarësisht kushteve tepër të vështira për nxitjen e konkurrencës intelektuale.
Shumë shpejt, përballë cilësive të lindura të këtij populli, njeriu detyrohet të pranojë me përulësi se ndodhet në këtë tokë, e cila ka qenë një nga qendrat e hershme dhe burimore të një pjese të madhe të kulturës sonë evropiane. Dhe, pavarësisht rrëmujës së mbërritjes në brigjet e Durrësit dhe baltës së rrugëve, shumë shpejt duhet pranuar e vërteta dhe duhet kuptuar se drita ecën gjithmonë nga Lindja drejt Perëndimit.
II. NË SHQIPËRI — QYTETËRIMI SHQIPTAR, GJUHA DHE TRASHËGIMIA KULTURORE
Qytetërimi shqiptar, paraardhës i qytetërimit grek. — Një qendër konfliktesh ndërmjet fuqive të mëdha fetare. — Gjuha.
L’Impartial, e mërkurë, 20 mars 1929, ballinë:
Kultura dhe qytetërimi shqiptar janë më të hershëm se kultura dhe qytetërimi grek: këtë pohojnë studiuesit.
Skulptura dhe arti i poçarisë thuhet se janë këtu më spontane dhe më origjinale se në çdo rajon tjetër të Ballkanit. Në shumë raste, grekët nuk do të kishin qenë veçse imitues të fqinjëve të tyre veriorë: shqiptarëve.
Megjithatë, nuk është lashtësia shqiptare ajo që studiojnë nxënësit tanë në shkollat klasike. Shqipëria është një copëz kaq e vogël toke, ku nuk gjen rrënojat romantike të një akropoli, as një Partenon që ngrihet mbi një kodër të zhveshur, përballë një qielli të mbuluar nga retë e stuhisë.
Gjurmët që kanë mbetur këtu nga një e kaluar e lavdishme janë aq të zhytura në dhe, aq të shkatërruara nga shekuj amullie dhe përplasjesh, saqë vetëm ndonjë arkeolog shumë këmbëngulës dhe i bindur në kërkimet e tij mund të nxjerrë nga toka dëshmitë që rrëfejnë të kaluarën e Shqipërisë. Ata që janë të interesuar për këtë çështje mund t’u drejtohen studimeve të profesorit Ugolini: Albania antica.
Po kështu, është e vështirë të gjesh këtu një trashëgimi letrare që të jetë ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi përgjatë shekujve.
Në Zvicër, letërsia e periudhës antike dhe mesjetare nuk pati «kohën» e nevojshme për t’u zhvilluar deri në atë pikë sa të shndërrohej në një trashëgimi madhështore. Kjo ndodhi sepse Konfederata, e formuar përmes bashkimit të bashkësive të ndryshme, e fitoi pavarësinë dhe vendosi ekuilibrin e saj të qëndrueshëm në zemër të fuqive të mëdha ekonomike të Evropës, duke zhvilluar një luftë, madhështia dhe urgjenca e së cilës ua kufizuan ndjeshëm kohën e lirë poetëve të mundshëm.
Në Shqipëri, një qendër përplasjesh ndërmjet fuqive të mëdha fetare — myslimane, ortodokse dhe katolike —, një ekuilibër i qëndrueshëm kombëtar po vendoset ngadalë, mes betejash tejet rraskapitëse dhe poshtëruese: betejash politike dhe fetare. Edhe këtu, poetët dhe romancierët e mundshëm nuk kanë pasur shumë kohë e hapësirë për të lindur. Koha për të shkruar dhe për të kënduar sapo po vjen. Madje, kënga që dëgjohet, kënga popullore, është ende një melodi e përndjekur nga frika, që duket se vjen nga një e kaluar e mbushur me persekutime, shtrëngime dhe ankth.
Për shekuj me radhë, shqiptarët e patën pothuajse të pamundur të shkruanin dhe madje edhe të flisnin — të paktën zyrtarisht — gjuhën e tyre. Pushteti turk kundërshtonte gjithçka që mund të dëshmonte ekzistencën e popullit shqiptar, i cili kishte qenë i krishterë përpara pushtimit osman. Nga ana tjetër, ortodoksia greke, me synimin për të realizuar bashkimin e një Perandorie të re të Lindjes, impononte gjuhën greke dhe përndiqte këdo që fliste shqip.
Kjo shpjegon historinë e kësaj gjuhe «pa histori»: një enigmë për filologët dhe një fushë kërkimi për studiuesit që zbulojnë gjuhë të panjohura me synimin për të shpjeguar… prejardhjen e gjuhës njerëzore.
Nuk e kam kuptuar kurrë plotësisht se çfarë duan të thonë filologët kur flasin për një gjuhë më të vjetër se një tjetër. Ndoshta është njësoj si të pyesësh nëse Noeja është sot më i moshuar se Abrahami. Thuhet se shqipja është një gjuhë shumë e lashtë dhe pak e zhvilluar, primitive për shkak të pasurisë së saj me fjalë njërrokëshe, të cilat përfaqësojnë shprehjen më të papërpunuar të britmës së njeriut ose të kafshës. Por, nga ana tjetër, një gjuhë duhet të jetë tashmë jashtëzakonisht e përpunuar për të kërkuar atë larmi tingujsh që dëgjohen në të folurën shqipe: tingujt «th», «dh», bashkëtingëlloret e forta, ato të butat, bashkëtingëlloret e aspiruara dhe ato që shqiptohen duke prekur dhëmbët ose qiellzën e gojës! Fakti është se kjo gjuhë, për atë që e kupton, duhet të jetë jashtëzakonisht e bukur, pasi është kaq shprehëse edhe për atë që nuk e kupton.
Gjuha shqipe e fitoi qëndrueshmërinë e saj gramatikore vetëm nga fundi i shekullit XIX, pas themelimit të shoqërisë së parë letrare shqiptare, në vitin 1877, gjatë një kongresi të studiuesve dhe intelektualëve në Kostandinopojë. Aktualisht, ajo po kalon një fazë zhvillimi të ngjashme me atë që kishte frëngjishtja në shekullin XV. Si nga pikëpamja gjuhësore, ashtu edhe nga pamja e jashtme e vendit, të vish këtu do të thotë të transportohesh, përmes një «makine që e kthen kohën pas», katër shekuj prapa.
Për të qenë të saktë, duhet thënë se, pavarësisht kundërshtimit të turqve dhe të ortodoksëve, libra në gjuhën shqipe ishin botuar që në kohët e hershme. Katolikët dhe jezuitët qenë të parët që i dhanë popullit shkrime në shqip. Më pas erdhi përkthimi i Biblës në shekullin XIX, zëvendësimi i alfabetit grek me atë latin dhe botimi i një libri të vogël që synonte t’i mësonte popullit shqiptar zbulimin e gjuhës së vet. Këto qenë mjetet e vërteta shpërthyese, ato që ngjallnin frikë, të cilat e shkatërruan që në themele ndërtesën fataliste dhe prapambetëse që turku shpresonte të ngrinte si një kullë vrojtimi mbi Adriatik. Nga ana tjetër, ato shthurën edhe unitetin artificial që ortodoksia greke pretendonte t’i impononte Perandorisë Osmane.
III. NË SHQIPËRI — NJË PARADOKS: SHQIPËRIA DHE FETË E PUSHTUESVE TË SAJ
Një vend ku gjithçka është përmbysur. — Intelektualë, patriotë, shkolla dhe përndjekje. — Aty ku kuptohet se Vilhelm Teli vazhdon të ngjallë frikë dhe të mbetet një figurë e rrezikshme.
L’Impartial, e martë, 9 prill 1929, ballinë dhe faqe n°3 :
Populli shqiptar, në konflikt të përhershëm herë me turkun mysliman, herë me grekun ortodoks, megjithatë, në shumicën dërrmuese të tij, i përket njërës ose tjetrës prej këtyre feve. Një gjendje që bie ndesh me arsyen e shëndoshë, por që shpjegohet me plogështinë e zakoneve të rrënjosura e të imponuara, si dhe me ndërthurjen e pazgjidhshme të interesave të ndryshme politike dhe ekonomike. Një e kaluar e gjatë dhe e rëndë: pesëqind vjet dhune, sundimi dhe luftërash, të cilat synonin të shfarosnin shqiptarët e krishterë, e nënshtruan vendin ndaj besimeve fetare që duhej të pranoheshin për të mbijetuar. Në konflikt interesash me tiranët, populli nuk pati mundësi të ruante doktrinën dhe besimin e tij. Dalëngadalë, u detyrua të harronte se liria e tij e lashtë ishte ushqyer nga burimet e krishterimit romak.
Nuk është vetëm historia e ideve ajo që bie ndesh me ndjenjën tonë të logjikës dhe me njohuritë e fituara. Nëse veshi juaj dëgjon të shqiptohet një «jo» tingëlluese, mendja juaj duhet ta kuptojë si «jo». Mirëpo, veshi i mësuar me «jo»-në e dialektit zvicerano-gjerman, me «ja»-në gjermane dhe me «yes»-in anglez, nuk e përfytyron menjëherë një përmbysje të tillë të kuptimit të tingullit.
Edhe pa folur, shqiptari të çorienton. Disa banorë të zonave malore e tundin kokën nga lart-poshtë ose nga poshtë-lart për të shprehur «jo»; ndërsa kur e lëvizin nga e djathta në të majtë dhe anasjelltas, shprehin «po».
Nëse jeni mësuar të udhëtoni mbi kuaj të mëdhenj, këtu do të gjeni vetëm kuaj të vegjël, jo më të lartë se gomerët. Në shtigjet që shërbejnë si rrugë, me kalin tuaj të vogël, do të ndesheni edhe me breshka. Ju mendoni se shumëkëmbëshi është një krijesë e vogël, me një numër të pafund këmbësh; por këtu do t’ju duhet të përballeni me shumëkëmbësha të vërtetë, të mëdhenj e të gjatë, pothuajse si gjarpërinj të vegjël, të cilët lëvizin me përdredhje elastike dhe të fuqishme mbi dyshemenë e dhomave. Po veshja e banorëve vendas? Burrat mbajnë pantallona që ngjajnë me funde (fustanella), ndërsa gratë funde që ngjajnë me pantallona (çitjane). Po zakonet? Gjatë agjërimit të madh të Ramazanit, i cili zgjat tridhjetë ditë, myslimani ha gjatë natës. Një vend ku gjithçka është përmbysur për ne, zviceranët, por që ka ruajtur, i veçuar në të kaluarën e vet, madhështinë e lashtësisë në gjeste dhe në qëndrime, edhe në veprimet më të zakonshme të jetës së përditshme. Një madhështi e lashtë që nuk është zhdukur në muzetë e pluhurosur: përulësia e thellë e përshëndetjes, mikpritja dinjitoze ndaj mysafirit; gjithçka të krijon përshtypjen se ke hyrë drejtpërdrejt në atmosferën e Biblës.
Shkollat, shkollat e vërteta, ato ku kultivohet mendja dhe formohet shpirti, i përkasin këtij shekulli. Dikur, pranë xhamisë, ekzistonte një vend i errët, ku djemtë, të ulur këmbëkryq në tokë, mësonin përmendësh Kuranin. Për gratë nuk kishte asgjë.
Megjithatë, Shqipëria kishte intelektualë të shquar: Vaso Pasha i Shkodrës, autor i veprave E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët dhe Mbi origjinën pellazgjike të poemave homerike, si dhe Sami bej Frashëri, autor i Fjalorit turqisht-frëngjisht, janë shembuj të ndritur të kësaj plejade.
Përpjekjet e këtyre patriotëve intelektualë, të shpërndarë në vende të ndryshme, në Kostandinopojë, Bullgari, Itali, Egjipt dhe Angli, u bashkërenduan. Falë njërit prej tyre, profesorit Kristo Dako-Qiriazi, pavarësia e Shqipërisë bëhej çdo ditë e më e mundshme dhe, në vitin 1912, ajo u bë realitet. Pasi rifitoi lirinë, Shqipëria e pavarur, siç dihet, u afrua me Italinë, ndërsa Kisha e saj Ortodokse u shkëput nga Patriarkana e Kostandinopojës.
Për t’u kthyer te shkollat, një prej themeleve të çlirimit, duhet ditur se, pavarësisht përndjekjeve, ndalimeve dhe përçmimit, gjuha shqipe kishte vazhduar të mbijetonte me një gjallëri të jashtëzakonshme dhe këmbëngulje të admirueshme, veçanërisht po të kemi parasysh numrin tepër të kufizuar të botimeve në gjuhën shqipe.
Që në vitin 1884, disa shqiptarë me ndikim arritën të merrnin nga Sulltani lejen për të themeluar shkolla, të cilat u kundërshtuan menjëherë nga kleri grek.
Një patriot shqiptar, Gjerasim Qiriazi, ndërmori nismën për të themeluar në Korçë, në zonën malore, një shkollë për vajza, në kushte ndoshta edhe më të vështira se ato në të cilat u krijua shkolla e Pestalozzit. Instituti Qiriazi e nisi rrugëtimin e tij heroik që në vitin 1891. Historia e themeluesit të tij është historia e një apostulli, i cili duhej të përballej me vështirësi të jashtëzakonshme, si rrëmbimi nga banditët, dënimi me vdekje dhe tërmetet. Shkolla e tij, e cila duhej t’u bënte ballë njerëzve, në të vërtetë u detyrua të përballonte edhe një varg tërmetesh që zgjatën gjashtë muaj. Shqipëria përshkohet nga paraleli i Napolit, në një zonë ku korja e Tokës paraqet një qëndrueshmëri më të ulët.
Pas dy vitesh përpjekjesh, Gjerasim Qiriazi u sëmur, i rraskapitur nga lodhja. Megjithatë, Instituti, që do të shndërrohej në një qendër të rëndësishme të arsimit për vajzat e këtij vendi, tashmë ishte krijuar dhe, nën drejtimin e zonjës Dako-Qiriazi, e më pas të zonjushës Qiriazi, nuk mund ta humbiste më vrullin e fituar në fillimet e tij.
Vështirësitë më të mëdha — lufta, revolucioni, izolimi, mungesa e përkohshme e mjeteve financiare, si dhe mungesa e plotë e teksteve mësimore, që i detyronte mësuesit të kopjonin gjatë natës tekste në gjuhën shqipe, duke u kujdesur njëkohësisht që ato të mos binin në duart e përndjekësve — nuk arritën t’i dekurajonin ata që po bënin për Shqipërinë atë që Pestalozzi kishte bërë për Zvicrën një shekull më parë.
Në krye të Institutit qëndronte ajo që kronikat e këtij vendi e kanë quajtur ndonjëherë «Zhan d’Arka shqiptare»: zonjusha Qiriazi, e përmendur më sipër. Një Zhan d’Arkë e vërtetë, së cilës iu desh të luftonte kundër një barbarie të mirëfilltë mesjetare përpara se të dilte fitimtare. Përpiquni të përfytyroni se çfarë do të thotë të themelosh një shkollë për vajza në një vend ku gjysma e grave mbajnë perçe dhe bëhen nëna që në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, ndërsa gjysma tjetër habitet përballë kërkesave të kulturës moderne.
Komedia e mirëfilltë nuk mungoi të ndërhynte gjatë zhvillimit dhe përparimit të Institutit: pasi vajzat kishin vënë në skenë pjesën teatrale Vilhelm Teli, të Shilerit, drejtoresha u thirr përpara gjykatës me akuzën e fyerjes së rëndë ndaj qeverisë dhe iu desh të luftonte fort për të dalë e gjallë nga kjo çështje. Ne, zviceranët, kishim harruar se sa i rrezikshëm mund të ishte Vilhelm Teli… Me këtë rast, mund të shtrojmë pyetjen nëse e kemi kuptuar gjithmonë vlerën çlirimtare të figurës së heroit tonë kombëtar, një vlerë që mbetet gjithnjë aktuale dhe bashkëkohore.
Tashmë, ditët heroike, ndonëse ende të afërta, i përkasin së kaluarës për Institutin Qiriazi. Ai ngrihet mbi një kodër, pranë kryeqytetit të ri, Tiranës: një ndërtesë e madhe, e re, me ngjyrë rozë, që mbizotëron mbi një fushë të gjerë. I vetmi heroizëm që kërkohet prej nesh është ai që na imponon qielli në ditët me shi. Sepse këtu, ujërat e përmbytjes vazhdojnë të bien mbi tokë dhe kodra jonë shndërrohet atëherë në një mal Ararat, të shkëputur nga pjesa tjetër e botës, mbi të cilin Instituti shkëlqen nën rrezet e diellit që sapo ka dalë, si Arka e Noes mbi malin e saj. Lumi fryhet, zgjerohet dhe mbulon gjithë fushën, pasi shtrati i tij nuk është shumë i thellë. Ndërtimi i një ure, natyrisht, nuk bëhet fjalë. Kur lind nevoja për të kaluar përmes ujërave, kjo bëhet me anë të një kamioni, i cili kërkon vendin më të përshtatshëm për të kaluar lumin. Nëse automjeti pëson defekt në mes të ujit, shoferi, si një Shën Kristofor i ri, e merr me guxim pasagjerin mbi shpatulla dhe futet pa frikë në ujë. Kështu, një herë, edhe disa ministra që kishin ardhur për të vizituar Institutin, u kthyen në shtëpitë e tyre në këtë mënyrë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/shqiperia-e-1929-permes-veshtrimit-te-nje-udhetareje-zvicerane-tri-reportazhe-nga-verena-pfenninger-ne-gazeten-l-impartial