Albspirit

Media/News/Publishing

Poetesha Otilia Teposu vjen në shqip nga Oana Glasu

Otilia Teposu lindi në veriun e largët, atje ku pyjet kanë më shumë vende të fshehta se njerëzit, dhe që në vitet e para të jetës kuptoi se ajo që shihet nuk është kurrë gjithçka. Kur la pas Maramureshin për të studiuar Artet e Bukura në Kluzh dhe Filologjinë në Bukuresht, në valixhe futi edhe fjalët e vjetra që kishte shpëtuar nga harresa.

Prej gati tri dekadash, ajo shkruan në revistën Formula AS, ku i shndërron kujtimet në rrëfime dhe nostalgjinë në letërsi. Sa për poezitë e saj, të lindura në orët e rënda mes natës dhe ditës, ato kanë udhëtuar tashmë, të përkthyera e të botuara në vëllim, deri në Itali dhe Shqipëri.


Ftohtësi

Molla mbeti mbi tryezë.

Gjurma e dhëmbëve në mishin e saj
dikur sillte verën.

Në cilin vit ishte ajo ditë
kur ti u largove?

Në ëndërr më erdhi hija jote,
pastaj ndjeva të ftohtin e saj
dhe nuk shpëtoja më prej saj,
sado i madh të ishte
zjarri pranë të cilit ulesha.

Nëntor

Mëngjes i një vjeshte të vonë,
ajri i palëvizshëm nën një djep të përgjumur në mjegull.
Gjethet e ngrira janë prej dylli.

Do të nisesha në kërkim të dritës,
por e kam humbur busullën,
atë që më tregonte gjithmonë
vetëm udhën drejt teje.

Dimër

Bie borë dhe nuk pushon më,
bie borë
dhe nuk shkrihet më.

Nuk të kërkoj më,
por ende të pres.

Dhimbja
është hesap i të gjallëve

Të vdekurit
e kanë dëborën e tyre.

Konstatim

Po plakem
dhe harroj konturet e trupit tim.
Skajet e tij
nuk i afrohen më ëndrrës.

Filloj të mos e njoh më veten
dhe nuk më thotë më asgjë
ajo ditë e dikurshme
kur më zgjove.

A është vallë edhe vdekja një zgjim
në të cilin ende presim mëngjesin?

Autoportret I

Heshtja ime rritet nga vetvetja,
si brumi i lënë të vijë.

Për ta dëgjuar,
ndiq rrugën
dhe do të më shohësh
në një lëkundje,
me gjunjët te goja.