“Honoris Causa” nga UET për amerikanin e paqes në Kosovë
Universiteti Europian i Tiranës akordon të hënën titullin “Doctor Honoris Causa” për ambasadorin Christopher R. Hill. Gjatë ceremonisë promovohet dhe botimi në shqip i librit të tij “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”
Emri i Christopher R. Hill është i lidhur ngushtësisht me historinë e shqiptarëve, si një simbolikë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të, fill pas rënies së komunizmit në vitin 1991, por më shumë me vendosjen e paqes në Kosovë dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare gjatë viteve të krizës 1998-1999. Një diplomat karriere, negociator i paqes në krizat më të forta që ka përjetuar bota dekadat e fundit, si në Kosovë, Bosnjë, Irak e Korenë e Veriut, Hill është një nga personalitetet më të rëndësishme të diplomacisë amerikane. Ai do të jetë në Tiranë të hënën ku është i ftuar special në Universitetin Europian të Tiranës për të marrë titullin më të lartë akademik; Doctor Honoris Causa. Me këtë rast UET-Press boton librin e tij “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, me kujtime gjatë shërbimin të gjatë diplomatik , ku kapituj të veçantë i janë kushtuar shërbimit të tij në Kosovë.
Titulli “Doctor Honoris Causa” pas vendimit të Senatit Akademik të UET dhe miratimit nga Ministria e Arsimit, jepet me motivacionin:”Një meritë të veçantë në përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqës në ish-Jugosllavi. Krah për krah me viganin e diplomacisë amerikane dhe asaj botërore Richard Holbrooke, ai luajti një rol vendimtar për të shuar konfliktin e përgjakshëm në Bosnje dhe për t’i ulur palët në tryezën e paqës në Dayton.
Në librin e tij të kujtimeve për këto zhvillime dramatike në ish-Jugosllavi, Holbrooke ka vlerësuar shumë lart aftësitë diplomatike të krahut të tij të djathtë, ambasadorit Hill, duke e karakterizuar këtë të fundit si “brilant, të patrembur dhe bindës”, si njeri “me aftësi shumë të mira negociuese”.
Për kontributin e veçantë që Ambasador Hill ka dhënë në vitet 1998-1999, si i Dërguar Special i State Departament, në Kosovën e trazuar nga ballafaqimi i dhunshëm i soldateskës dhe çetnikëve të diktatorit Millosheviç, mbi popullsinë e pambrojtur civile, të Kosovës, aso kohe në një situatë dy pushteti: atij të dhunshëm, të mbajtur me makinërinë e luftës, dhe atij të Republikës së Kosovës së drejtuar nga lideri pro perendimor dhe paqesor shqiptar, Presidenti famëmadh Dr. Ibrahim Rugova.
Pikërisht për këtë kontribut ndërmjetësues dhe vlerësues, Ambasador Hill ka marrë çmimin Robert S. Frasure, mbasi ai spikati në bisedimet e paqes dhe në punën e tij në zgjidhjen e krizës në Kosovë. Është ky çmimi i posaçëm që i bashkëngjitët Çmimit të Shërbimit të Dalluar të Departamentit të Shtetit, për kontributin e tij si anëtar i ekipit negociator të SHBA, në skuadren negociatore amerikane, në zgjidhjen përfundimtare të Paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë. Për aktivitetin e spikatur, në muajin nëntor 2006, Presidenti George Ë. Bush e emëroi Ambasador Hill, në gradën e Ministrit të Karrieres, që është rangu i dytë më i lartë i diplomatit në shërbimin diplomatik amerikan.
Z. Hill ka qenë pjesë e stafit diplomatik amerikan në Tiranë në fillimet e erës postkomuniste, atëhere kur Shqipëria dhe populli i saj po shkëputeshin nga e kaluara e errët e skamjes dhe represionit dhe po hynin në një epokë të re demokratike. Ishte koha kur ShBA-të dhe Ambasada Amerikane në Tiranë shiheshin nga shqiptarët si faktor shprese, besimi e optimizmi, për të zhvilluar, modernizuar e transformuar vendin dhe jetën e tyre.
Figura e z. Hill ka një background të fuqishëm diplomatik, por përtej kësaj, ajo ka edhe një dimension akademik. Ky personalitet ka një marrëdhënie të ngushtë me botën universitare, jo vetëm për prezantimet dhe ligjëratat nga fusha e ekspertizës së tij, por edhe për faktin se zoti Hill është sot në krye të një institucioni të rëndësishëm akademik në SHBA”.
Please follow and like us: