Albspirit

Media/News/Publishing

Eduard Kukan: Droga, problem gjigand për Shqipërinë

Në një intervistë eskluzive për AbcNews, njëri prej dy ndërmjetësuesve të Parlamentit Europian të ligjit për dekriminalizimin, Eduard Kukan, shprehet se droga është një problem gjigand në Shqipëri dhe se autoritetet duhet të tregohen të pamëshirëshme ndaj këtij fenomeni për të mos rrezikuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Kukan, ka folur gjithashtu edhe për reformën në drejtësi. Sipas tij, nuk duhet humbur kohë për finalizimin dhe zbatimin e kësaj reformere dhe do të vlerësohej shumë nëse kjo do bëhej me pjesëmarrjen e opozitês.
Më poshtë prononcimi i Eduard Kukan për gazetaren e AbcNews në Bruksel, Erisa Zykaj.
Çfarë mendoni për qëndrimin e Komisioni Europian lidhur me nevojën e fillimit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe pritshmërinë e komisionerit Hahn, sipas të cilit, diferencën e vërtetë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do t’a bënte arrestimi i peshqve të mëdhenj?
Eduard Kukan: Reforma e drejtësisë ishte për të gjithë një kusht thelbësor dhe ajo u aprovua. Tani është vërtet e nevojshme që të aprovohet legjislacioni shoqërues, që janë 7 ligjet që mbeten dhe ato duhet të aprovohen në një të ardhme të afërt dhe jo vitin e ardhshëm, nëse mund të shprehem kështu në mënyrë diplomatike. Do të ishte ideale të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me konsensus.
Dëgjoj, që tek- tuk ka ca probleme. Koha nuk pret, sepse progres- raporti i Komisionit Europian publikohet në tetor dhe ne të gjithë do të dëshironim të shihnim një lajm të mirë për Shqipërinë lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit. Progres- raportet normalisht hartohen në korrik dhe gusht, por Komisioni Europian do të presë deri në momentin e fundit për të finalizuar raportin për Shqipërinë në përputhje me zhvillimet e fundit të situatës në vend.
Mesazhi që kam për liderët politikë, është që të tregojnë përgjegjshmëri ndaj qytetarëve shqiptarë dhe mos të humbin më kohë në aprovimin e legjislacionit të nevojshëm. Mënyra më e mirë për t’a finalizuar reformën në drejtësi është me pjesëmarrjen e opozitës. Kjo do të vlerësohej shumë nga Komisioni Europian dhe Komuniteti Ndërkombëtar.
Për arrestimin e peshqve të mëdhenj, nuk di ç’të them. Sigurisht, që deklaratat më të bukura dhe më të forta nuk janë të mjaftueshme për të provuar zbatimin e gjithë këtij legjislacioni dhe që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po vazhdon. Nëse ka prova të forta, kjo e bën luftën kundër këtyre fenomene shumë më serioze dhe të përgjegjshme.
Më pëlqen shprehja e komisionerit Hahn. Unë do të shprehesha ndryshe: “Nëse sillni rezultate konkrete, do të ndihmonte shumë”. Koha është shumë e rëndësishme tani dhe pas kaq shumë energjish që iu përkushtuan aprovimit të reformës në drejtësi, do të ishte mirë që ky proçes të finalizohej dhe të fillonte zbatimi.
Si e shihni ju situatën e drogës në Shqipëri? Ju e dini që këto tre muajt e fundit janë kapur disa tone kanabisi nga autoritete italiane dhe jo vetëm?
Eduard Kukan: Jam shumë mirë i informuar për këtë çëshjte. Çështja e drogës është një problem gjigand për vendin. Qeveria dhe autoritetet përkatëse duhet të tregojnë një qasje të pamëshirëshme ndaj këtij problemi, sepse përndryshe do të ishte shumë e vështirë që të ndryshohej imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë.
Eshtë një çështje shumë e madhe dhe mendoj se duhet të vihen në dispozision të gjitha burimet e nevojshme për t’i dhënë fund këtij fenomeni, sepse është vërtet një çështje shumë e madhe dhe të gjithë këtu e dinë”.
Please follow and like us: