Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Nishani: Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe SHBA!

Kreu i Shtetit përshëndet 25-vjetorin e rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë solemne me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

 

Në ceremoni ishin të pranishëm Ambasadorët Donald Lu dhe Christopher Hill, Ambasadori i Republikës Italiane Cutillo, Presidentët Berisha dhe Moisiu, Kryetari i Kuvendit Sh. T. Z. Ilir Meta, nënkryetarët Leskaj dhe Idrizi, deputetë dhe diplomatë, Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, ish-Ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani dhe punonjës të Ambasadës amerikane, që ndoqën ngritjen e njërit prej flamujve origjinalë të vitit 1991 nga marinsat dhe ekzekutimin e himneve kombëtare.

 

Kreu i Shtetit shqiptar, i cili ndau edhe kujtimet personale lidhur me marrëdhëniet e hershme të tij me Ambasadën dhe kohës së studimeve në Shtetet e Bashkuara, iu drejtua të pranishmëve të shumtë duke përshëndetur këtë ngjarje historike për dy vendet tashmë aleate dhe partnere strategjike.

 

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani në ceremoninë solemne të 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:

 

I nderuar Ambasador Lu,

I nderuar Ambasador Cutillo,

I nderuari zoti Kryetar i Kuvendit,

Zonja Leskaj,

Presidentët Berisha dhe Moisiu,

I nderuari zoti Basha,

Ish-Ministri i Jashtëm zoti Kapllani,

Të nderuar të pranishëm!

Zonja dhe zotërinj!

 

Tashmë, pas një çerek shekulli të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që simbolizojnë një pikë kthese vendimtare në marrëdhëniet tona strategjike, miqësore dhe të përjetshme, kam kënaqësinë e veçantë dhe privilegjin të marr pjesë në këtë ceremoni solemne për të përkujtuar këtë ngjarje historike.

 

Dëshiroj që në fillim të citoj fjalët e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit të asaj kohe, Raymond G. H. Seitz: “Marrëdhënia mes vendeve tona e ka zanafillën në fillimvitet e shekullit të njëzetë, kur Presidenti Woodrow Wilson mbështeti shtetin e ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët mbajtën lidhjet me Atdheun e tyre gjatë rrjedhës së viteve”.

 

Këtu mund të përmend me krenari qindra e mijëra shqiptarë-amerikanë që i ruajtën të paprekura thellë në zemrat e tyre këto lidhje, disa prej të cilëve pata fatin t’i takoja personalisht para disa ditëve në gjirin e diasporës vibruese në Nju-Jork, Uashington e në Çikago, e deri tek familja Adami historia tragjike, por njëkohësisht besnike ndaj Ambasadës amerikane në Tiranë është e njohur për të gjithë.  

 

Shqipëria ishte vendi i fundit i ish-bllokut komunist të Evropës Lindore që u çlirua nga Perdja e Hekurt, dhe lëvizja e saj demokratike, partitë e para opozitare, shtypi i lirë, të drejtat e njeriut u bënë të mundura dhe realitet edhe në saje të ndihmës dhe mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe popullit mik amerikan. Shumëkush nga ne, brezi paksa më i vjetër i mban mend shumë mirë diplomatët e parë amerikanë mes të cilëve Ambasadorët Hill dhe Rayerson, të cilët duke punuar fillimisht në Hotel “Dajti” e më pas në selinë e “Rrugës së Elbasanit”, që deri në atë kohë ishte Ambasada e Republikës italiane, mundësuan edhe ditën e shumëpritur kur pas afro katër dekadash e gjysmë në Tiranë u hap Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që shënoi edhe një pikë kthese vendimtare në ripërtëritjen e lidhjeve historike dhe shpirtërore mes vendeve dhe popujve tanë.

 

Në kujtesën tonë do të mbetet përjetësisht e gdhendur vizita historike në Tiranë e Sekretarit të Shtetit James Baker më 22 qershor 1991 dhe mesazhet frymëzuese e shpresëdhënëse që ai përcolli nga Sheshi “Skënderbej”. Që nga ajo kohë e largët, marrëdhëniet e gjithanshme mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur dhe konsoliduar vazhdimisht ndërsa miqësia e sinqertë dhe e ndërsjellë mes dy kombeve është farkëtuar më shumë se kurrë.

 

Shqipëria, sidomos pas hyrjes së saj në NATO, është shndërruar në një nga aleatet më besnike e të besueshme të Shteteve të Bashkuara duke shërbyer dhe duke u renditur krah saj në aleancën ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Tashmë Shqipëria është pjesëtare kontribuese, madje edhe me martirët e saj, në gjirin e familjes së madhe ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që lufton e përpiqet pareshtuar për përhapjen, mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave dhe të parimeve të lirisë e demokracisë në çdo cep të botës.

 

I nderuar Ambasador Lu,

Të dashur miq amerikanë!

 

Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët tuaj, populli amerikan, janë miqtë më të çmuar e të sinqertë të shqiptarëve, kudo ku jetojnë shqiptarët, jo vetëm për gjithçka që kemi arritur e shënuar përgjatë këtyre viteve të fundit, por edhe ndër shekuj.  Shembulli më domethënës është çlirimi dhe fitimi i pavarësisë së Kosovës për të qenë një vend i pavarur, pa qenë nevoja të përmendim mbështetjen ndaj Shqipërisë që në hapat e saj të para të pavarësisë e deri tek anëtarësimi ynë i merituar në NATO apo përkrahja e vazhdueshme për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe konsoliduar demokracinë tonë të re dhe institucionet e pavarura dhe kushtetuese.

 

Të nderuar të pranishëm!

 

Ky përvjetor i rëndësishëm sot sërish na ofron mundësinë që të bëjmë bilancin e sukseseve tona të punës dhe të arritjeve të Shqipërisë e shqiptarëve gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit, por edhe të theksojmë rëndësinë e patjetërsueshme të ndihmës, përkrahjes dhe përvojës suaj të vyer amerikane. Përfitoj nga rasti t’ju shpreh sinqerisht nga thellësia e zemrës, edhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë mirënjohjen për kontributet e pamohueshme dhe veprimtarinë e palodhur në shërbim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe kombeve.

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti i bekoftë shqiptarët dhe amerikanët dhe miqësinë e pazgjidhshme e të përjetshme mes tyre!

Please follow and like us: