Albspirit

Media/News/Publishing

Njihuni me Ambasadorin e parë suedez në Tiranë

Njihuni me Ambasadorin e parë suedez në Tiranë

Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Johan Ndisi i prezantoi Letrën e tij të Kredencialeve Shkëlqesisë së Tij Presidentit Bujar Nishani.

Ambasada e Suedisë u hap në Tiranë në vitin 2010 dhe kjo është hera e parë që Qeveria e Suedisë emëron një Ambasador rezident në Shqipëri.

Në fjalën e tij pas ceremonisë, Ambasadori Ndisi nënvizoi rëndësinë e këtij emërimi, në kontekstin e përforcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Gjatë viteve të fundit kemi konstatuar një numër në rritje të vizitave të nivelit të lartë, por edhe shkëmbime në rritje midis dy kombeve tona, duke përfshirë më shumë turistë suedezë që vizitojnë Shqipërinë.”

Ambasadori Ndisi theksoi gjithashtu edhe mbështetjen e Suedisë ndaj procesit të reformës në Shqipëri dhe integrimit të saj në Bashkimin Europian.

“Suedia është dhe do të jetë një mbështetëse e fortë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Bashkëpunimi ynë për zhvillim, i cili arrin deri në rreth 8 milion euro në vit, mbështet Shqipërinë në adresimin e sfidave kyçe në fusha që përfshijnë sektorin e drejtësisë, qeverisjen qendrore dhe lokale si edhe fuqizimin e të drejtave të grave dhe mbrojtjen mjedisore.

Biografia:

Ambasadori Ndisi është diplomat karriere. Pozicioni i tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme ishte Desk Officer (Koordinator) për zgjerimin e Bashkimit Europian në Departamentin për Çështjet e Bashkimit Europian, 2004-2006. Gjatë periudhës 2006-2010, Ambasadori Ndisi shërbeu në Bruksel në Përfaqësinë e

Përhershëm të Suedisë në Bashkimin Europian dhe drejtoi Grupin e Punës për Afrikën brenda Këshillit gjatë Presidencës Suedeze në Bashkimin Europian në vitin 2009. Me rikthimin e tij në Stokholm, u emërua Zëvendës Drejtor dhe Kryetari i Seksionit të Afrikës Perëndimore dhe të Bririt të Afrikës (Horn of Africa), në Departamentin e Afrikës, një post që e mbajti deri në momentin kur u emërua I Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Suedisë në Tiranë, në vitin 2015. Ai u emërua Ambasadori i Suedisë në Shqipëri në Gusht të vitit 2016 dhe e mori këtë pozicion më 1 Shtator 2016.

Ambasadori Ndisi ka punuar gjithashtu në Agjencinë Suedeze të Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), në Ambasadën e Suedisë në Harare, në Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (IDEA), si edhe ka punuar me çështjet ushtarake për Bashkimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ambasadori Ndisi është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ai flet suedisht, anglisht, frëngjisht, suahili dhe aktualisht po studion gjuhën shqipe. Atij i pëlqen të luaj tenis.

Please follow and like us: