Shën Valentini ose “Martiri i dashurisë”
Një buqetë me lule…, ndoshta me lule të kuqe, e shoqëruar me një dhuratë të këndshme. Prej disa vitesh, kjo është mënyra më e natyrshme, me të cilën të rinjtë shqiptarë përpiqen të festojnë ditën e Shën Valentinit.
Shumë njerëz, e sidomos të rinj, në qoftë se do të pyeten rreth përkujtimit të kësaj dite dhe domethënies së saj, do të përgjigjen shkurt, se pak u intereson zanafilla e kësaj feste, përmbajtja e saj apo mënyra sesi festohet. Të tjerë do të thonin se festat në përgjithësi sjellin gëzim dhe se për ditë të tilla kemi nevojë.
Gjithsesi është fakt se shqiptarët, sa më shumë po kalojnë vitet, aq më natyrshëm po e kremtojnë këtë ditë, në krahasim me vitet e para të pas ’90-tës kur të gjitha qytetet 14 shkurtin e kthenin në një festë të madhe kolektive, ku vetëm intimitet nuk kishte.
Si një popull me temperament, me sa duket shqiptarët në vitet e para të demokracisë kremtuan më shumë të ndaluarën, ndërsa tani ‘të ambientuar’ me lirinë kremtojnë ritualin e zakonshëm dhe të mirë që ofron kjo ditë.
– Historiku i “Ditës së dashurisë”
Tek romakët e lashtë, që para 17 shekujsh, dita e dashurisë konsiderohej si festa më madhështore, e cila nënkuptonte dashurinë që romakët paganë kishin për Zotin e tyre. Legjendat rreth kësaj feste, janë të shumta, por më e spikatura është ajo që vetë romakët e besonin si të vërtetë.
Thuhet se themeluesi i Romës së lashtë, Romulus, një ditë prej ditësh, kur ishte ende foshnjë, piu nga gjiri i një ulkonje, qumështi i së cilës i dhuroi trupit të tij forcë e energji. Duke marrë shkas nga kjo, romakët e lashtë e paganë, e përkujtonin atë çdo vit, në mes të muajit shkurt, duke therur atë ditë një qen e një dhi dhe me gjakun e tyre dy djem të rinj lyenin trupin.
Më pas, dy të rinjtë të ndjekur nga qindra njerëz, vërtiteshin nëpër rrugët e qytetit. Ata mbanin në duar dy copa lëkure kafshe dhe me to fërkonin çdo njeri që takohej me ta, ndërsa femrat romake besonin se një rit i tillë i mundësonte atyre mbetjen shtatzanë.
-Nga “Dashuri hyjnore”, në “Martirizim dashurie”-
Tregohet se Shën Valentini vdiq në Romën e lashtë, në vitin 296 e.s. i ekzekutuar barbarisht nga prijësi i ushtrisë romake, Klaudios. Në shenjë përkujtimi për të, banorët e këtij qyteti, në vitin 350 e.s. ngritën një kishë, pikërisht në vendin ku ai u ekzekutua. Ndërkohë, edhe pse romakët e përqafuan fenë e krishterë, ata vazhduan ta festonin këtë ditë “të shenjtë”, mirëpo i ndryshuan kuptimin pagan nga “Dashuri hyjnore”, në “Martirizim dashurie”, për të cilën, siç thuhet Shën Valentini kishte dhënë jetën, pasi qe i pari nismëtar që thirri për paqe dhe dashuri. Më vonë, kjo festë, u quajt “Festa e të dashuruarve”.
Në një legjendë tjetër, thuhet se kur perandori romak Klaudios i II-të, ishte në pushtet (shek. III-të e.s.), dha urdhër që askush nga ushtarët e tij të mos martohej, pasi martesa i pengonte ata të merrnin pjesë nëpër beteja.
Por këtë vendim, e shkeli prifti Valentin, i cili në fshehtësinë më të madhe, nisi të nënshkruajë akte martesash, të cilat i sollën edhe ekzekutimin nga perandori.
-14 shkurt; festë për të gjithë
Sot, të gjithë e dinë se për frymën e sakrificës që shprehu Shën Valentini dhe në përkujtim të flijimit të tij, mbeti dita e 14 shkurtit, dita simbol e të dashuruarve! Në të njëjtën kohë, shumëkush mund të bëhet kurioz për ‘suksesin’ dhe jetëgjatësinë e këtyre legjendave, të cilat edhe pse pa shumë baza të forta historike, mundën që në mbarë botën të sjellin një atmosferë të ndryshme nga ditët e tjera të vitit, një atmosferë e cila njëkohësisht ngjan me ndrojtjen, ëmbëlsinë e natyrisht me ndjenjën e bukur të dashurisë…
Aktualisht, jo vetëm mes të rinjve, por edhe mes opinionit më të ‘rritur’, ka një sërë interpretimesh e bindjesh rreth simbolit të kësaj feste. Dikush shprehet për dashurinë, e dikush tjetër mendon më shumë për miqësinë, e në këtë mënyrë teksa vitet ikin me festime sa herë e më origjinale, ajo që mbetet është gjithmonë emocioni, që festa e Shën Valentinit përcjell me aq lehtësi. Në fund të fundit, është dashuria ajo që festohet, e dashuria është edhe arsyeja e ‘suksesit’ e jetëgjatësisë të legjendave të tilla me origjinë pagane, sepse në ditët tona, pak dashuri bën mirë.