Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Kuko: Diaspora – Dimension jo plotësisht i shfrytëzuar

Artur Kuko: Diaspora – Dimension jo plotësisht i shfrytëzuar

Në fokus të intervistës me ambasadorin e Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko janë marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani e një risi që do të sjellë nëntori në Tiranë. Samitin e parë të diasporës.

Deutsche Welle: Zoti Kuko, Gjermania feston më 3 Tetor 26-vjetorin e bashkimit të saj,  ndërsa “Tetori Gjerman” në Tiranë mbush 10- vjet, në këtë kuadër, çfarë bilanci do t’i bënit ju marrëdhënieve shqiptaro-gjermane?

Artur Kuko: Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane ngrihen mbi një terren të pasur, ato kanë tradicionalisht qenë të mira, unë kam pasur nderin dhe privilegjin të shërbej për këto tre vjet në Berlin, për t’i çuar këto marrëdhënie edhe më përpara. Duhet thënë, se ka një intensifikim të dialogut politik midis të dy vendeve në të gjitha frontet, shkëmbime vizitash, kujtoj vizitën e kryeministrit Edi Rama në Berlin apo të kancelares federale, zonjës Merkel në Shqipëri, shkëmbime vizitash mes ministrash, duke filluar nga ministri i Jashtëm e duke vijuar me ministra të tjerë. Ajo ku unë shpresoj, se do të jemi në gjendje të shohim progres akoma më të dukshëm është përforcimi i dimensionit ekonomik të bashkëpunimit midis dy vendeve, me theks të veçantë rritjen e nivelit të tregtisë dhe rritjen e pranisë së kapitalit privat gjerman në Shqipëri.

Aktualisht ku është e fokusuar ndihma gjermane për Shqipërinë – më shumë në ndihmën për zhvillim apo ekspertizën për reformën në drejtësi e shoqërinë civile?

Ndihma gjermane për Shqipërinë ka një traditë pothuajse një çerekshekullore, pothuajse 25 vjeçare, ajo përfshin një gamë të gjerë fushash ku është e përqëndruar. Natyrisht ka përqëndrim tek infrastruktura urbane, pra kanalizime, rrugë të vogla, por nga ana tjetër, sidomos në dy vitet e kaluara ajo është përqëndruar edhe në fushën e reformës të sistemit të drejtësisë, kësaj Berlini i kushton një vëmendje të posaçme.

Zyra Franko Gjermane për Rininë nis programet tripalëshe të bashkëpunimit edhe me Shqipërinë, për të nxitur afrimin e rinisë në rajon. Çfarë ndihme jep Gjermania konkretisht këtu?

Për fat të mirë nisma e ndërtimit të një bashkëpunimi rinor në Ballkanin Perëndimor nuk u ngrit mbi një terren të zbrazët, pra ne nuk patëm nevojë të shpikim formula, formulat e bashkëpunimit ekzistojnë e janë treguar rezultative. Rasti konkret është bashkëpunimi franko-gjerman, i cili ndihmoi fort në kapërcimin e një trashëgëmie jo pozitive në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve, rezultati i saj janë marrëdhëniet e sotme Gjermani-Francë. Ne shpresojmë shumë që duke shkuar mbi të njëjtën formulë, duke e ndërtuar në mënyrë krijuese për ta përshtatur me kushtet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të jemi në gjendje të ndërtojmë një bashkpunim rinor, i cili do të jetë në gjendje të shërbejë për të përmirësuar marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor për të ndërtuar një marrëdhënie solide mes këtyre vendeve.

Ju si ambasadë u keni dërguar një ftesë bashkëpunimi Shoqatave Shqiptare në Gjermani? Çfarë doni të arrini me këtë tentativë të re për tërheqjen e organizatave shqiptare?

Më duhet të them se është një dimension jo plotësisht i shfrytëzuar ai i marrëdhënies së diasporës me shtetin amë. Diaspora shqiptare në Gjermani është e shtrirë në kohë e sasi, me eksperiencën modeste që kam akumuluar në këto tre vitet e fundit, gjykoj që ka hapësira për të rritur e intensifikuar bashkëpunimin me vendin amë. Shqipëria po organizon samitin e diasporës që do të zhvillohet në Tiranë nga data 10-20 nëntor. Ideja është të organizohet një diskutim i strukturuar, që synon ta impenjojë diasporën shqiptare jo vetëm në Gjermani, në mënyrë që vendi të përfitojë nga ajo që janë në gjendje të ofrojnë shqiptarët që jetojnë për një periudhë relativisht të gjatë kohe, janë vendosur, punojnë e jetojnë jashtë vendit të tyre.

Çfarë mekanizmash do të përdorte shteti shqiptar për ta tërhequr diasporën më shumë në zhvillimet në Shqipëri?

Mendoj se pikërisht samiti i diasporës në Tiranë përbën një mundësi shumë të mirë diskutimesh për ndërtimin e kësaj platforme.

Shteti shqiptar kërkon të forcojë kontaktet me diasporën, nga ana tjetër realiteti shqiptar për individë nga diaspora nuk është i lehtë…kur ata vijnë në Shqipëri ka shpesh ankesa për sorollatje në zyrat administrative për të marrë një dokument, kërkesa që të paguajnë etj. Si do të tërhiqeshin njerëzit nga jashtë në këto kushte…kur ata njohin, le të themi një tjetër kulturë administrative…

Në fakt do ta filloja duke i shprehur mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre djemve e vajzave, të cilat zgjodhën rrugën e emigrimit, duke mos e pasur edhe aq të lehtë, kam parasysh ata që emigruan në kohën e komunizmit duke rrezikuar edhe jetën, por edhe të tjerë pas viteve 90-të, me vështirësitë që patën për largimin nga vendi i tyre në kërkim të një jete më të mirë. I falënderoj përzemërsisht shqiptarët që banojnë në Gjermani për bashkëpunimin e mirëkuptimin që i kanë ofruar ambasadës e dua t’i siguroj për disponimin tonë maksimal për të ndihmuar e promovuar çmbashtjet e tyre e çështjen shqiptare në përgjithësi. E kuptoj që duhet bërë më shumë për ta strukturuar këtë bashkëpunim. Jam i bindur që samiti i diasporën në Tiranë do të jetë në gjendje të hedhë piketa konkrete në këtë drejtim. (DW)

Please follow and like us: