Albspirit

Media/News/Publishing

4 “komplotet” gjatë debatit televiziv kundër Trump?

Kandidati republikan, akuzon para së gjithash Google-in dhe moderatorin Lester Holt për mbështetje të rivales demokrate. Pastaj, “New Yorker”, i dedikon një kopertinë speciale

mis-pigi
Karikatura në faqen e parë të gazetës amerikane “New Yorker”

Donald Trump ndihet i rrethuar. Përkundrazi, ndihet viktimë e më shumë se një komploti. Sipas tij, kandidati republikan i Shtëpisë së Bardhë është në shënjestër të Google-it, të Hillary Clinton, të moderatorit të debatit të parë televiziv Lester Holt dhe të organizimit të vetë debateve televizive. Tre duket se janë teoritë konspirative të krijuara për ta vënë në vështirësi para zgjedhjeve të 8 nëntorit. Por orët e fundit, ka dalë në skenë edhe një “komplot” i katërt që ironizon Trump si një Miss. Ndërkohë në sondazhe, Clinton qëndron në krye me të paktën 3 pikë.

“Komploti” Google – Motori i kërkimit ka modifikuar algoritmin për të fshehur para përdoruesve lajmet e këqija dhe skandalet që kanë të bëjnë me Hillary Clinton. “Dhe pavarësisht nga këto, një sondazh gjithnjë i Google, më jep një avantazh sërish me 3 pikë”, – ka pohuar Trump mes duartrokitjeve të turmës në një takim elektoral në Ajoua. Pra, Trump mendon se Google është duke favorizuar kandidaten demokrate dhe po e bën në mënyrë të fshehtë. Kolosi informatik nuk i është përgjigjur akuzave të milionerit.

Komploti (i dyfishtë) i Lester Holt – Moderatori i debatit të parë televiziv mes dy kandidatëve të Shtëpisë së Bardhë, ka mbajtur qëndrim të njëanshëm në përballjen me Trump, ndërsa me Hillary-n, është treguar me “dashamirës”. Në një “tweet’, milioneri ka akuzuar mungesën e pyetjeve mbi fondacionin Clinton, mbi skandalin ‘e-mail’ të Hillary-t apo për Bengasin. Ndërkohë Lester e ka lehtësuar çështjen “e vendlindjes së Obamës” pas nxitjes së kandidates demokrate. Në këtë pikë, Trump mendon se bëhet fjalë për një komplot të dyfishtë me paktin sekret mes Holt e Clinton: një teori konspirative e komplikuar.

“Komploti” i komisionit  – Kanë qenë të shumtë ata që kanë parë se si gjatë debatit televiziv Trump nuk u shfaq si zakonisht me sjelljen irituese dhe polemizuese ndaj kundërshtarit. Në të vërtetë ishte një Trump i qetë, pa praninë e një turme ku mund të ulërinte, duke mos ia dalë ta mbante kokën lart para një politikaneje me përvojë si Hillary.

Kandidati u justifikua menjëherë në një intervistë: “Mikrofoni im ishte i prishur, nuk funksiononte në mënyrë korrekte. Pyes veten nëse e kanë bërë qëllimisht?” Një tjetër komplot, që këtë herë përfshin gjithë Komisionin për debatet televizive, të cilët janë neutralë gjatë fushatave elektorale. Clinton ka ironizuar mbi këtë rast me një “tweet”: “Kush do që ankohet për probleme të mikrofonit, nuk ka kaluar një mbrëmje të mirë”.

“Komploti” i Miss Piggy – Ndoshta spikat edhe një komplot i katërt kundër kandidatit republikan. Nëse në debatin televiziv, Trump është sulmuar befasisht nga Hillary Clinton për komentet e tij mbi shtimin në peshë të ish-Miss Universit 1996, Alicia Machado, tani “New Yorker”, shton dozat. Gazeta amerikane, ia ka dedikuar faqen e parë të kësaj jave kandidatit republikan përmes një karikature: me veshje të një mbretëreshe të bukurisë, Trump sfilon në bikini duke mbajtur në trup shiritin e Miss Simpatia. Karikatura e Barry Blitt ka fituar shumë pikë dhe pa dyshim nuk do të kalojë pa u vënë re nga kandidati republikan.

Please follow and like us: