Albspirit

Media/News/Publishing

Vula e Faik Konicës “EX LIBRIS F.K.” i dorëzohet Bibliotekës Kombëtare

Vula e Faik Konicës “EX LIBRIS F.K.” i dorëzohet Bibliotekës Kombëtare

Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bibliotekën Kombëtare organizuan sot në Sallën “Lumo Skëndo” në Aneksin e Bibliotekës Kombëtare, ceremoninë e dorëzimit të shtampës “EX LIBRIS F.K.”, të quajtur ndryshe “Vula e Faik Konicës”.

Kjo shtampë është dhuratë nga Katedralja e “Shën Gjergjit” dhe “Biblioteka e Fan Nolit” në Boston dhe iu besua në mënyrë simbolike ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij të fundit në ShBA.

Dorëzimi i shtampës jetëson amanetin e Faik Konicës, që ajo të jetë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Ministri Bushati, në fjalën e rastit, vlerësoi personalitetin e Faik Konicës, si një nga diplomatët më të denjë dhe një nga përfaqësuesit më të spikatur të komunitetit shqiptar në SHBA. Ai gjithasht u ndal në mënyrë të veçantë në rolin e diasporës shqiptare, duke theksuar se në funksion të vendosjes së një marrëdhënieje të re dhe më të strukturuar me diasporën, Qeveria shqiptare do të organizojë në Tiranë, në datat 18-20 nëntor, Samitin e parë të Diasporës shqiptare. Ky kuvend është konceptuar si një bashkëbisedim i hapur dhe serioz dhe do të përfshijë disa veprimtari në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bibliotekën Kombëtare.

Ministrja e Kulturës Kumbaro nënvizoi se intelektuali dhe diplomati Faik Konica ka shenjuar fort historinë e diplomacisë shqiptare. Ajo falënderoi ministrin Bushati për angazhimin dhe mbështetjen e tij për të bërë të mundur plotësimin e amanetit të Konicës, duke mundësuar përmes bashkëpunimit të ngushtë të dy ministrive, sjelljen në BKSH, të një sasie librash të bibliotekës së Faik Konicës që tashmë janë gjetur pranë komunitetit shqiptar në ShBA falë punës e kontributit të përfaqësuesit të këtij komunitetit Agron Alibali. Në përfundim të ceremonisë, ministrat Bushati dhe Kumbaro dhe Drejtorja e Bibilotekës Kombëtare, Persida Asllani, dhanë një mesazh sensibilizues në kuadër të Ditëve të Leximit dhe fushatës “Takohemi për një libër”.

Please follow and like us: