Ramona Tullumani rikthehet në Sofje, me suksesin e Traviatës
Ka qenë një rikthim i suksesshëm ai i Ramona Tullumanit në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit të Sofjes, me operan “La Traviata”. Pas interpretimit në korrik, ku Violeta e Tullumanit dhuroi emocion dhe duartrokitje, këtë herë publiku i Sofjes ka shijuar sërish një vepër të vënë në skenë me mjeshtri dhe të luajtur me ëmbëlsi.
Ramona Tullumani ka spikatur me zërin e saj dhe me një interpretim skenik shumë të veçantë.
Pas shfaqjes dhe shumë urimeve e duartrokitjeve nga publiku bullgar, Tullumani u shpreh e kënaqur për këtë rikthim brenda pak muajsh në Teatrin 125-vjeçar të Sofjes. Sopranoja shqiptare falënderoi publikun për mbështetjen, por edhe të gjithë ata që mundësuan një interpretim kaq cilësor, në një skenë prestigjioze.
“La Traviata” mbetet në këtë mënyrë një ndër armët më të forta të Tullumanit, Violeta e së cilës ofroi emocion, ankth, dhimbje dhe dashuri. Në më tepër se 3 orët e shfaqjes një zë i bukur dhe një interpretim i veçantë pushtoi publikun vendas, i cili mirëpriti për të dytën herë Violetën e Tullumanit.
Ramona Tullumani erdhi në interpretimin e Violeta Valerisë në operan “La Traviata” në Sofje, pas suksesit të mëparshëm në muajin korrik, sërish në kryeqytetin bullgar. Ndër kulmet e saj artistike gjatë këtij viti është edhe interpretimi në Teatrin “Politeama” të Leçes (Itali) në muajin prill, me operan “Rigoletto”. Një vit më parë, ajo interpretoi në Operan e Sofjes rolin e Lauretës në operën “Xhani Skiki” (Gianni Schicchi).