Ferri komunist/ Si e torturoi hetuesi Baudin Kazani 36 orë pa u ndalur të pandehurin Koço Xhuma
Si ndërroheshin me turne kasapët për të mbajtur zgjuar e nën tortura të pandehurin për tre ditë me rradhë. Historia rrënqethëse e dhunës në birucat komuniste, atje ku torturoheshin fëmijë. Dokumenti zyrtar që flet për 14-vjeçarin që u detyrua të japë dëshminë e rreme nën presionin dhe dhunën e hetuesisë komuniste.
Dëshmitë e rreme të dhëna nën presionin e dhunës çnjerëzore janë një ndër tiparet më të spikatura të diktatutës komuniste. Gjatë sistemit komunist, ishte e ndaluar me ligj dhuna ndaj të arrestuarve në hetuesi, e megjithatë atje ishte vendi, ku të burgosurit përballeshin me egërsinë ekstreme të sistemit diktatorial. Dokumenti që publikojmë sot flet për raste të dhimbshme të kësaj dhune. Dëshmi të rreme për ngjarje e akte që nuk kanë ndodhur kurrë, lëshoheshin përmes britmave e dhunës së pashembullt të hetuesve gjakatarë të kohës së komunizmit. Ka raste të shumta vetëm në një dokument dhe një prej tyre është më i tmerrshmi. Është fjala për dhunën ndaj një fëmije 14 vjeç që pas torturave të tmerrshme detyrohet të dëshmojë atë që nuk kishte ndodhur. Kjo metodë ka funksionuar gjatë gjithë sistemit të egër komunist, por më e përqendruar ka qenë sigurisht në vitet e para të pas luftës, në atë kohë kur duhej të asimilohej e gjithë pjesa e kundërshtarëve të sistemit. Në atë kohë kur duheshin shpallur armiq të popullit e gjithë elita e vendit. Dëshmia e rreme ishte metoda më e mirë për t’i vënë ata përballë faktit të kryer për ngjarje që kurrë nuk kishin marrë pjesë e për fjalë të pathëna kurrë. Kështu janë dënuar me mijëra intelektualë shqiptarë gjatë regjimit komunist. Dokumenti që publikohet sot nga 27.al flet pikërisht për këtë fenomen të tmerrshëm të diktaturës. Bëhet fjalë për vitin 1965.
Dëshmitë e rreme
Një dokument zyrtar i datës 10 shkurt 1965, i degës së hetuesisë në drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, vërteton dhunën e ushtruar në dhomat e hetuesisë, në shkelje të hapur edhe të ligjeve të regjimit komunist, por edhe si detyroheshin ata që merreshin në pyetje të thonin sajesa.
Dokumenti i thekson këto shkelje si shumë të rënda dhe jep disa shembuj. Njëri rast është në Degën e Punëve të Brendshme në Kolonjë, ku thuhet se në kundërshtim më nenin 136 të Kodit të Procedurës Penale hetuesi ka nxjerrë nga i pandehuri pohime me metoda të ndaluara (tortura), pohime këto që më vonë dolën se nuk ishin të vërteta.
Ndërsa në një rast në Kukës, për shkak të një parrulle në mur ishte ndaluar një qytetar dhe në shkelje të rregullave ishte synuar përpunimi i tij agjentural për të zbuluar autorin e parrullës. Po për këtë çështje pa asnjë arsye ishte thirrur një qytetar për t’u pyetur si dëshmitar dhe meqenëse ai nuk kishte rrëfyer gjë për “krimin” ishte futur në dhomën e izolimit për tre-katër orë. Pasi ishte instruktuar nga një i arrestuar tjetër në izolim, kishte folur për aktivitetin armiqësor të të pandehurit, pohime që më vonë patën dalë të pavërteta. Po për këtë çështje ishte thirrur për t’u pyetur si dëshmitar një 14 vjeçar edhe ai në shkelje të ligjeve.
Një rast tjetër në degën e Punëve të Brendshme në Kolonjë dëshmon se hetuesi Baudin Kazani ka mbajtur të pandehurin Koço Xhuma tre netë pa gjumë dhe e ka rrahur. Pas kësaj torture ai kishte dhënë deponime të rreme.