Shuhet në moshën 90 – vjeçare Dario Fo
U shua në moshën 90-vjeçare artisti i madh italian, Dario Fo. Fituesi i çmimit Nobel në Letërsi në vitin 1997 u nda nga jeta mëngjesin e së enjtes, pasi prej disa javësh vuante nga problemet në mushkëri dhe ishte shtruar në spital. Fo konsiderohej nga kritikët si “një korpus i artit”. Ai lëvroi artin e tij si një aktor i madh, dramaturg, regjisor, shkrimtar, por edhe piktor e skenograf.
Nderimi me çmimin Nobel në Letërsi nxiti polemika te intelektualët italianë, të cilët e panë veten të lënë në hije nga një shakaxhi që nuk njihte kufij. Për rrjedhojë artisti pritej më me entuziazëm jashtë Italisë se sa brenda saj. Një nga kryeveprat e tij teatrale ishte mono-komedia “Mistero Buffo”, “Misteri Qesharak”, që ka bërë jehonë në të gjithë Europën, e deri në kontinentin Amerikan. Ndërsa në Itali, Vatikani e ka cilësuar si “shfaqen më blasfemike të historisë së televizionit”.
Pjesë të tjera të njohura të Dario Fo janë “Vdejka Aksidentale”, “Anarkisti”, “Johan Padam dhe Amerika” dhe “Çifit i Shqyer”, këto dy të fundit janë luajtur edhe në skenat shqiptare. Prej më shumë se 60 vjetësh, Dario Fo udhëtoi në skenë dhe në jetë me aktoren Franca Rame, bashkëshorten e tij, e ndarë nga jeta në vitin 2013.