Islami ndez debatin: Majko – qesharak, na ftoi ta votonim reformën në drejtësi pa e lexuar draftin
Deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, duke komentuar Reformën në Drejtësi, hodhi akuza se është pikërisht kryeministri Edi Rama ai që po pengon miratimin e saj, teksa ftoi deputetët që të jenë pjesë e konsultimeve që do të vazhdojnë në komisionin përgjegjës.
“Zoti Majko është qesharak. Tha në komision ta miratojmë pa e lexuar. Unë s’jam qesharak e banal. Duhet ta lexoj materialin. Pasi ta kem lexuar, do të kem pyetje. Në parim jam dakord që të bëhet reforma. Do të jem në ballë të reformës, për një reformë me parime. Reforma do të miratohet në parim, nen për nen etj. Reforma ka pjesën e Byrosë së Hetimit, që duhet të dimë se në Amerikë FBI godet presidentin në detyrë dhe ministrat në detyrë, sepse ata e kanë pushtetin dhe ata nuk e lejojnë gjyqësorin të hetojë. Duke u bërë pjesë e reformës, kjo reformë e ndihmon opozitën për të luftuar atë korrupsion që po ndodh tani. Prandaj, PD kanë kërkuar që të bëhet FBI e para. Rama ka frikë për këtë, po t’i thuash që do hetojë ministrat e kryeministrin në detyrë”, tha Islami teksa u pyet në lidhje me deklartata që ka bërë Majko në komisionin përgjegjës.
Ai tha se edhe nëse PD e kundërshton, kjo reformë do të bëhet. “Supozojmë se Berisha ka frikë. Edhe po ta kundërshtojë PD kjo reformë do të bëhet. PD nuk e refuzon, por edhe sikur ta refuzojë PD, ajo do të bëhet. Është lojë e mashtrimeve të Ramës. I vetmi person që ka frikë, është Edi Rama”, tha ai.
“Kjo reformë nuk po bëhet se do apo s’do Rama. Rama në thelb nuk do, sepse kjo reformë do të quhet sukses nëse do të marrë nën hetim Ramën. Shtëpia e tij, që thotë 300 mijë euro, por kushton edhe më shumë, dhe pasuria 200 mln euro, po nuk u hetuan, kjo reformë nuk është asgjë, reforma është e dështuar. Këtë reformë e duan SHBA dhe BE. BE do që Shqipëria të futet në standarde, siç u futën vendet si Bullgaria dhe Rumania”, shtoi ish deputeti i PD-së.