LOLITA SULMOHET/ Kush e kërkon kryqëzimin e administratorëve?
Një shkrim ne faqen e drejtorit për Promovimin e Turizmit në Ministrinë e Kulturës Bledi Mane në lidhje me identitetin e faqes në Facebook të njohur me emrin Lolita duket se ka shkaktuar një debat jo të zakontë në rrjet. Administratorët e kësaj faqeje jo në pak raste kanë ngjallur kuriozitetin e publikut në lidhje me identitetin e tyre, për shkak të gjuhës sarkastike që ata përdorin në dënimin e fenomeneve. Mane pretendon se themeluesja e kësaj faqeje me më shumë se 122 mijë ndjekës është Lorena Hida, një vajzë që ka mbaruar institutin e arteve dhe masterin për arkeologji. Si administratorë rendit Dajena Çukon një vajzë nga Korça e cila ka emigruar në Austri dhe sipas Manes sillka shqetësime ne kompaninë ku punon pasi përdor kompjuterët e saj për të administruar faqen në fjalë. Ndërsa i treti sipas tij quhet Albion Nikolli student i mjekësisë në Padova. “Profesionalisht e admiroj ironinë dhe guximin e Lolitës por më shqetëson guximi i fshehur, i maskuar dhe i sponsorizuar nga opozita. Me vjen keq Lolita por tashme ti nuk je më minorenia e padjallëzuar si ne librin e famshem te Nabokovit. Ti nuk je më Lolita e virgjer” thotë Mane në statusin e tij.
Në inkursionin e tij Mane duket se mbështet dhe nga gazeta Mapo, në pronësi të Henri Çilit pronar i UET i cili po ashtu kërkon kryqëzimin e Lolitës. Duke iu referuar shkrimit të Manes, gazeta Mapo shprehet se faqja e Facebookut Lolita është media dhe si e tillë duhet të përgjigjet për shkrimet e saj. Madje Mapo shkon dhe më tej kur shprehet se për identitetin e Lolitës duhet të investigojë Prokuroria pasi është një faqe e cila shpërndan urrejtje “Ky nuk është ai rasti kur njerëzit mund të diskutojnë se përse u zbulua identiteti i shkrimtares Elena Ferrantes. Jo, Lolita është një media dhe në rastin e saj nësoj si çdo media, ajo ka përgjegjësinë e saj përpara ligjeve të vendit, nëse përhap urrejtje apo shpifje. Mirëpo ky diskutim nuk është përhapur asnjëherë në Shqipëri, a thua mediat e reja nuk kanë kurrfarë detyrimi, por janë të lira për të thënë çfarë të duan. Një hetim i thjeshtë i prokurorisë mund të identifikojë lehtësisht se kush fshihet pas këtij profili, por gazetari Bledi Mane thotë se e di” shprehet Mapo.
Ndërkohë që asnjë nga personazhet e identifikuara nga Mane nuk ka preferuar të flasë rreth kësaj çështjeje përgjigjen e jep vetë Lolita e cila shprehet në një status të saj se “Nga gjithë ata 120.000 shqiptarë që na ndjekin, na doli më i shkathti, na gjeti ai që nuk çon dot as brekët e veta. Ta zemë se jemi vërtet ata, kujt i sherben zbulimi i identiteve tona? Rilindjes! Eshtë një mënyrë per të na shantazhuar që të heshtim, po nuk kanë për t’ia arritur qëllimit edhe sikur të më duhet të dal publikisht dhe të tregoj kush jam do t’i qëndroj besnike bindjeve të mia dhe të vërtetës, atë që unë besoj si të vërtetë. Nuk na sponsorizon as PD as LSI, jam e sapodiplomuar dhe pa punë. Duke u munduar të ndërtoj të ardhmen time jashtë, nga pamundësia për tu servilosur apo per tu bëre vegël e dikujt. Çdo përpjekje për të na identifikuar me parti politike bëhet për te çorientuar njerzit dhe për të na ulur besueshmërinë. U çudita me gjithë mbështetjen dhe dashurinë që na treguat me komente të postimi i Bledi Manes. Do mundohem të mos iu zhgenjej kurrë” shprehet vetë Lolita në një postim në faqen e saj.