Operacion antidrogë në Fier, policia qëllon shpërndarësin pasi kundërshtoi arrestimin
Policia në Fier, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Street”, ka arrestuar në flagrancë Agron Xhaxhajn, 27-vjeç, dhe Ergent Braçe, 28-vjeç, si dhe janë sekuestruar 7.2 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Xhaxhaj, banues në Roskovec, gjatë momentit të arrestimit ka kundërshtuar me dhunë efektivin e policisë, duke e detyruar këtë të fundit të qëllojë me armë.
Për pasojë, Xhaxhaj është plagosur në këmbë, ndërsa edhe punonjësi i policisë është plagosur lehtë me një mjet prerës.
Operacioni që u zhvillua në lagjen Nr. 2 në Roskovec kapi në flagrancë të dy shtetasit, pasi iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 7.2 kg lëndë narkotike.
Mbi dy shtetasit e ndaluar rëndojnë akuzat për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.