Tabaku: Në 2016 miqtë e Ramës morën rreth 52 miliardë lekë, ndaj s’ka para për investime
Deputetja demokrate Jorida Tabaku bëri një bilanc sot sesi klientela qeveritare po shfrytëzon Buxhetin e shtetit dhe ndërkohë, Kryeministri Edi Rama u justfikohet fermerëve në takime se nuk ka para për t’i subvencionuar.
“E vetmja shpresë e Edi Ramës për të mbajtur pushtetin, janë paratë e krimit dhe korrupsionit, – tha Tabaku. – Kjo duket qartë në realitetin që po kalon vendi sot. Ashtu si hashashi këtë vit është thelluar dhe korrupsioni. Miqtë e Ramës vazhdojnë të jenë përfituesit kryesorë të buxhetit të shtetit.
Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku
E vetmja shpresë e Edi Ramës për të mbajtur pushtetin, janë paratë e krimit dhe korrupsionit. Kjo duket qartë në realitetin që po kalon vendi sot. Ashtu si hashashi këtë vit është thelluar dhe korrupsioni. Miqtë e Ramës vazhdojnë të jenë përfituesit kryesorë të buxhetit të shtetit.
Vetëm gjatë vitit 2016, nga janari deri në shtator 14 kompani me lidhje miqësore, politike dhe klienteliste me Edi Ramën kanë përfituar 407 kontrata me vlerë rreth 52 miliard lekë. Ky rekord për 9 muajt e parë të vitit, ka arritur vlerën që kishte vjet gjatë gjithë vitit.
Nga 2013 e deri më sot 14 kompani me lidhje me Edi Ramen, kanë përfituar 1208 kontrata me vlerë totale 135 miliard e 368 milionë lekë. Çdo tender, çdo konçesion jepet vetëm për miqtë. Nuk ka më grante për fermerët, nuk ka më ndihmë sociale, nuk ka më shkolla e rrugë e as mbështetje për punësimin. Vetëm tendera për miqtë e fasada.
Me këto para mund të paguheshin në një vit 55 mijë të papunë. Me këto para mund të paguhej në një vit 200 mijë familje në ndihmë ekonomike. Por, Edi Rama ka vendosur që këto para t’ua japë miqve dhe klientëve të tij.
Çdo ditë ankohet para fermerëve se nuk ka para për t’u dhënë subvencione të cilat vetë ua premtoi kur u mori votën.
Çdo ditë ankohet se nuk bën dot investime, se nuk ul dot taksat, por siç duket për miqtë e oligarkët pranë pushtetit e ka gjetur mënyrën.
Prioriteti i Edi Ramës nuk janë investimet, nuk janë të papunët, nuk janë të sëmurët, nuk janë të pamundurit, nuk janë fermerët. Prioritet i Ramës është sigurimi i parave për vete, miqtë dhe klientët e tij. Edi Rama shpreson se me paratë e siguruara nga korrupsioni dhe krimi të blejë vota dhe të sigurojë pushtete. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.