Albspirit

Media/News/Publishing

Hipokrati përjashtoi fenë dhe superticionin nga praktikat e trajtimit të të sëmurëve

I quajtur shpesh si Babai i Mjekësisë, Hipokrati nga ishulli Kos (460- 375 P.ES.), vinte nga një familje mjekësh, dhe iu nënshtrua trajnimeve të zakonshme në tempullin lokal “Asclepeion” – ku priftërinjtë trajtonin të sëmurët duke përdorur magji fetare, interpretim ëndrrash dhe praktikonin adhurimin e gjarprit. Megjithatë, Hipokrati i hodhi poshtë praktika të tilla të mbinatyrshme, dhe argumentoi për një shpjegim racional, trupor për sëmundjet.

Besimi i tij ishte që trupi kishte katër ‘humore’ – lëngu i zi, lëngu i verdhë, gjaku dhe gëlbaza – dhe se këto përputheshin në një lloj diagrami të të nxehtit, të ftohtit, lagështirës dhe thatësirës. Sëmundja qe rezultat i disbalancës së këtyre elementëve, e shkaktuar nga zakonet e dietës, klima dhe jetesa, dhe nuk kishte asgjë të bëjë me ndërhyrjen e perëndive.

Por si e diagnostikonte ai se nga se vuante një pacient? Hipokrati praktikoi analizën e urinës, fekaleve, qelbit, mukusit, të vjellave, djersës dhe dyllës së veshit, dhe qe edhe i përgatitur për të provuar disa prej tyre. Ai pretendonte se hidhësia e dyllit në vesh qe një shenjë e shëndetit të mirë, ndërsa dylli i ëmbël ishte një arsye për t’u alarmuar.

Teoria e humorizmit ishte dominante në mjekësi deri në mesin e shekullit të XIX-të, duke i dhënë hov shumë historive me hemoragji dhe të vjella të detyruara, dhe trajtimeve mesa duket barbare si për fshatarët por edhe për princat.

Por Hipokrati ka qenë në fakt një mjek i kujdesshëm e i butë dhe që kërkoi me forcë standarde të larta të etikës nga pasuesit e tij, dhe kjo është arsyeja pse mjekët modernë e nderojnë emrin e tij, duke bërë Betimin e Hipokratit, për të mos lënduar në asnjë rast pacientin./bota.al

Please follow and like us: