Rama: Athina na ka borxh historinë e saj, Himara është e Shqipërisë
Himara është bërë një çështje e ndjeshme mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare. Pas deklaratave të Ministrisë së Jashtme të Greqisë, që kërkonte nga Shqipëria respektimin e pronës së komunitetit grek, ka reaguar Kryeministri Rama dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Kryeministri Rama nëpërmjet një gravure të vjetër të Athinës, rikujton se shqiptarët në Greqi kanë kontribuar në histoinë e këtij shteti, prandaj këtë grekët na e kanë borxh.
Rama ka thënë se pavarësisht se në Himarë flitet greqisht, kjo nuk e bën krahinë greke, pasi gjithkund njihet si shqiptare.
Ja postimi i plotë i Ramës:
Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.
Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE.