A do të ndryshojë pozita e shqiptarëve sidomos në Maqedoni?
Mehmet Latifi
(Më pat thënë një personalitet shkencor se për shqiptarët do të bëhet mirë kur të plotësohen dy parakushte: kur në SHBA do të zgjidhet një zezak për president dhe kur në krye të kishës katolike në Vatikan të vijë një papë latinoamerikan!).
Shqiptarët në tërë rajonin e Ballkanit, vazhdimisht janë në pritje të ndryshimit të gjendjes dhe pozitës në ambijentin ku jetojmë. Ky ambijent mbase është ndotur aq shumë, sa që vështirë të nuhatet ndonjë avansim, përkundër faktit se janë përmbushur dy parakushtet themelore të civilizimit botëror.
Bota vazhdimisht ka qënë e trazuar; herë në një rajon, e herë në rajonin tjetër, ndërsa Ballkani ka qënë dhe është i trazuar pa pushim. Edhe sot vazhdon kjo gjendje. Për fat të mirë apo të keq, shqiptarët janë të ngulitur në këtë Ballkan të trazuar, sepse janë vendas, autokton, janë në tokën dhe shtëpinë e vet. Nuk kanë atdhe tjetër!
Nga e gjithë ajo Iliri, teritoret janë tkurrur e tkurrur sa që ka mbetur një “oborr” vend ku jetojnë shqiptarët. Numri i tyre që jetojnë në Ballkan, në vendin e të parëve është shumë më i vogël se sa i atyre që jetojnë jashtë atdheut-por kësaj here nuk do të merrem me atë pjesë të kombit.
Bota disi ka qënë e disponuar për paqe, mbarësi e mirësi, gjë që shqiptarët kjo dukuri akoma nuk i ka përqafuar. Gjatë një periudhe të gjatë, mbi gjysëm shekulli, shqiptarët ishin nën trysninë e sistemit komunisto-bolshevik dhe me ardhjen e demokracisë, me ndryshimet e viteve të 90-ta, shpresuan se erdhi koha e duhur, por ajo akoma si duket nuk ka ardhur.
Në veçanti këtë e ndiejnë shqiptarët në Maqedoni, që janë bërë – sipas statustit kushtetues, “Pjesë e kombit që jetojnë në Maqedoni”, ose thënë me fjalë popullore, jemi qiraxhi në tokën dhe shtëpinë tonë.
U përmbushën dy parakushtet themelore për tu bërë mirë, por…
Në periudhën më të egër të komunizmit, -që për shqiptarët ka qënë dhe është tumori më kancerogjen në trupin e tyre- në periudhën kur vendet përparimtare, të zhvilluara dhe demokratike kanë bërë përpjekje që ti shpëtojnë shqiptarët dhe popujt tjerë të ngulfatur nga komunizmi të cilin liderët e athershëm e kanë mbrojtur me fanatizëm dhe me hordhi, polici e ushtri, sepse në të vërtetë kanë mbrojtur favoret dhe privilegjet e veta e jo të popullit.
Në një bisedë, me një personalitet të veçantë të shkencës, që nuk dua t’ia përmendi emrin, gjatënjë bisede për pozitën e shqiptarëve asokohe në ish Jugosllavi dhe shpresën për pozitë më të mirë, ai me sa më kujtohet më tha:
“Gjendja dhe pozita e shqiptarëve do të ndryshojë, atëhere kur zezaku do të bëhet president i SHBA dhe kur në krye të selisë së shënjtë të kishës katolike të Vatikanit do të vije një papë latinoamerikan!”
Kjo mbase për atë kohë ishte gjë e paimagjinueshme! Vetë Amerika nuk kishte disponim për zezakët pothuajse as si rekordmen sportiv e kampion botëror, ndërsa në Vatikan as nuk ëndërrohej për ndonjë Papë jashtë Italisë apo vendeve europianë që janë të afërta me Italinë, edhe pse asokohe, në krye të kishës katolike në Vatikan ishte polaku Gjon Pali II (Karol Józef Wojtyła).
Pak kohë para se me ndërruar jetë personi i cili përmendi parakushtet e ndryshimit të pozitës dhe gjendjes së shqiptarëve, që të dy parakushtet u plotësuar: zezaku Barak Obama tashmë ishte president i SHBA, ndërsa në krye të kishës katolike në Vatikan erdhi latinoamerikani papa Françesku (Jorgea Maria Bergoglia), iu drejtova edhe një herë duke ia përkujtuar se: Tani, janë plotësuar të dy parakushtet, si do të vajnë punët?
Përgjigja e tij ishte mbase mund ta quaj lakonike: Momentalisht është kohë e matrapazëve, profiterëve, hajdutëve dhe interesxhinjëve. Kur të eliminohen ata pritet të filloj ndryshimi.
A do të ndryshojë pozita e shqiptarëve sidomos në Maqedoni pas këtyre zgjedhjeve të parakohshme???