Gjithçka që duhet të dini për zgjedhjet në SHBA
Fitim DIKA/
Kur votohet në SHBA?
Prej 1845 zgjedhjet presidenciale amerikane mbahen të martën e parë pas të hënës së parë të nëntorit. Sivjet zgjedhjet janë në 8 Nëntor. Se pse amerikanët votojnë në muajin nëntor ka një histori të gjatë, për arsye se gjatë kësaj periudhe shumë bujq dhe muratorë kishin kohë më të lirë.
Në ditët e sotme gjatë ditës së votimeve shumë punëtorë e kanë të lirë, ndërsa një pjesë e madhe mund të marrin leje disaorëshe derisa të shkojnë në vendvotime.
Në disa shtete aplikohet edhe ajo që quhet “Early Voting,” ku të interesuarit shkojnë në vendvotime përpara nëntorit ose mund të dërgojnë fletën e votimit përmes postës.
Akoma ka debate nëse dita e zgjedhjeve duhet të shpallet pushim për gjithë qytetarët.
2. Kur futet në Shtëpinë e Bardhë Presidenti i ri?
Presidenti i ri merr detyrën dhe futet në Shtëpinë e Bardhë në mbasditen e 20 janarit, rreth dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve. Gjatë këtij intervali, presidenti i ri zgjedh kabinetin e ri qeveritar.
3. Pse presidenti është shumë i rëndësishëm?
Pavarësisht se presidenti kontrollohet nga Kongresi dhe Gjykata e Lartë, ai mban postin e numrit një të shtetit, shefit ekzekutiv dhe komandatit suprem.
Shefi ekzekutiv në SHBA ka të drejtë të emërojë drejtuesit më të lartë si atë të FBI, CIA dhe NSA, ndërsa mund të ndalojë secilin ligj të miratuar nga Kongresi. Kjo më pas mund të aplikohet vetëm nga Senati dhe përfaqësuesit e Dhomës së Lartë, me sëpaku dy të tretat e votave.
Presidenti gjithashtu emëron ambasadorët dhe është përgjegjës për politikën e jashtme. Secila marrëveshja mes SHBA dhe shteteve tjera duhet të kalojë përmes zyrës së presidentit dhe senatit.
Si Komandant Suprem i forcave amerikane, teoritikisht presidenti mund të nisë një luftë emergjente, vetëm se duhet të njoftojë Kongresin brenda 48 orëve. Nëse Kongresi e abrogon iniciativën, atëherë forcat amerikane duhet të rikthehen në vend brenda 60 deri 90 ditëve. Teoritikisht, presidenti në mënyrë individuale mund të vendosë për sulm bërthamor. Por e drejta e Shpalljes së Luftës, përsëri është në duart e Kongresit.
4. Çfarë bën zv.presidenti?
ZP merr funkcionin e Presidentit në momentin kur ky i fundit dorëhiqet ose vdes gjatë detyrës. Gjithashtu, në rast se Kongresi voton barazim (gjë që rrallë mund të ndodhte), atëherë vota e ZP është vendimtare.
Në rast se ZP dhe Presidenti kanë marrëdhënie shumë të mira si Joe Biden dhe Barack Obama, atëherë ai mund të ktheheshte në këshilltarin kryesor presidencial. Pra roli i tij më shumë është simbolik.
5. Kush lejohet të votojë?
Në SHBA mund të votojë secili person që është mbi 18 vjet, por në disa shtete ka përjashtime. Shembull në Florida nuk mund të votojë një i burgosur për vrasje, ndërsa në Vermont i burgosuri ka të drejtë që të shkojë në vendvotim për të shprehur të drejtën e tij.
Përqindja e daljes së votuesve amerikanë në zgjedhjet e fundit presidenciale ishte 55%, që është shumë më pak sesa në Gjermani (70%). Zakonisht hispanikët dhe afro-amerikanët votojnë më tepër Partinë Demokratike, ndërsa të bardhët Republikanët. Në vitet e ardhshme pritet ulja e përqindjes së të bardhëve dhe kjo mund të rezultojë në uljen e ndikimit të Republikanëve.
6. Çfarë janë Swing-States?
Në shumë shtete falë traditës së gjatë zgjedhore fituesit janë të njohur paraprakisht. Fjala vjen në Kaliforni dhe Nju Jork zakonisht votohet për kandidatët demokratë, ndërsa në shtetet jugore si Teksas fituesit janë kandidatët republikanë.
Shtetet ku rezultatet janë më të ngushta dhe nuk janë të sigurtë as demokratët e as republikanët janë: Ohio, Florida, Iowa, Kolorado, New Hemisphere, Nevada dhe Virginia. Pa fitore në Ohajo dhe/ose Floridë nuk mund të bëhet president askush.
Megjithatë zgjedhjet e fundit kanë polarizuar SHBA-në dhe mendohet se shtetet “Swing State”, nuk do luajnë rol mjaft të rëndësishëm, edhe pse fushata e fundit e dy kandidatëve është fokusuar në këto shtete.
7. Çfarë bëhet me presidentin e vjetër?
Barack Obama do qëndrojë në Washington sëpaku edhe për 2.5 vitet e ardhshme. Kjo do u mundësonte vajzave të tij të mos ndryshojnë edhe njëherë shkollën. Rroga e tij prej 200.000 dollarëve në vit mbetet në fuqi, ndërsa presidentët e dikurshëm gjithashtu fitojnë të ardhura të majme nga ligjeratat nëpër universitete të ndryshme.
Obama konkretisht nuk ka treguar se çfarë do bëjë pasi të lë Shtëpinë e Bardhë.
8. Pse në të njëjtën kohë votohet edhe për Kongresin?
Në çdo dy vjet amerikanët u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e një të tretës së kongresmenëve. Votime për Kongresin do ketë edhe gjatë zgjedhjeve të 8 nëntorit, ku momentalisht shumicën përbëjnë republikanët, që jo pak herë kanë pasur probleme në përzgjedhje me presidentin Barack Obama. Konflikti i fundit mes presidentit dhe Kongresit është mbi përzgjedhjen e kryesuesit të Gjykatës Supreme.
9. Sa të rëndësishme janë debatet televizive?
Tre debatet mes dy kandidatëve presidencialë zhvillohen muajt e fundit dhe deri në këtë kohë shumica e amerikanëve kanë vendosur për cilin kandidat do votojnë. Por te votuesit e pavendosur debatet janë faktor i rëndësishëm dhe mund të përmbysë rezultatet në shtetet e luhatshme (Sëing State). Për më tepër këtu mund të shikoni shkrimin ekskluziv në Bota sot me titull: Duelet mes kandidatëve amerikanë, që determinuan presidentin e ardhshëm: Nga Kennedy deri te Obama.
10. Elefanti dhe Gomari: Çfarë roli luajnë dy partitë gjatë zgjedhjeve?
Roli i partive në zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk është aq i rëndësishëm sa në vendet evropiane. Mbi të gjitha pas nominimit, më shumë mbështetja duhet të fitohet nga vetë kandidati. Megjithatë partitë janë financueset kryesore dhe puna në grup formohet prej tyre. Donald Trump në këtë çështje nuk gëzon mbështetje absolute nga Republikanët.