Si votoi Dixville Notch, katundi që lë Amerikën pa gjumë
Nga Ruben Avxhiu
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara kanë filluar me votën tradicionale në Dixville Notch.
Për ata që nuk e dinë, çdo katër vjet, një katund i vogël, e i humbur, diku në Neë Hampshire, në kufi me shtetin Maine dhe Kanadanë, nuk pret që të zbardhë dita, por voton menjëherë pas mesnatës.
Sipas traditës, gazetarët nuk shkojnë të flënë, por presin ngjarjen statistikisht të parëndësishme, por tashmë tradicionale e simbolike të kësaj vote.
Këtë vit, votuan tetë vetë. Dhe votat u ndanë kështu: Hillary Clinton 4, Donald Trump 2, Gary Johnson 1 dhe një votues, besohet republikan që ka shkruar me dorë emrin: Mitt Romney.
Sipas ligjit zgjedhor amerikan, mund të shkruash me dorë emrin e njeriut që preferon të zgjidhet president edhe nëse nuk ka arritur apo nuk ka dashur që të vendoset në fletëvotim. (Për shembull, guvernatori republikan John Kasich ka deklaruar se do të shkruajë emrin e John McCain në fletëvotim, në vend që të votojë për Trump.)
Një fshat fqinj, Millsfield, gjithashtu votoi në mesnatë, kësaj here në favor të madh për Trump që mori 16 vota, ndërsa Clinton vetëm 4 dhe një votues shkroi emrin Bernie Sanders. Clinton fitoi edhe në Hart’s Location, 17 me 14. Tre votuan për Johnson dhe dy votues të tjerë shkruan emrin e senatorit Sanders.
Dixville Notch e ka filluar traditën në 1960, kur John F. Kennedy mundi Richard Nixon, 9 vota me zero. Kjo votë në këtë fshat nuk ka peshë po mbetet gjithnjë një kuriozitet simpatik i përhershëm. Një ditë e gjatë dhe përcaktuese për fatin e Amerikës dhe njëfarësoj të botës, tashmë mund të quhet zyrtarisht e nisur.