Cilat shtete i dhanë Trump fitoren e zgjedhjeve presidenciale
Shtetet e Bashkuara të Amerikës tronditën botën, teksa në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, fitues u shpall kandidati republikan, Donald Trump.
Në demokracinë më të madhe të botës, Presidenti dhe zv/presidenti nuk zgjidhen në mënyrë direkte nga qytetarët.
Këta të fundit zgjedhin anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, të cilët më pas zotohen të votojnë kandidatët e veçantë.
Kjo çoi në diferencën mes votës elektorale dhe asaj popullore.
Për t’u deklaruar President, një kandidat duhet të arrijë të grumbullojë 270 vota elektorale, të cilat Trump i tejkaloi me 19 vota më shumë, ndërkohë që Clinton mbeti në kuotën e 218 të tillave.
Sa i përket votës popullore, Clinton grumbulloi 47.6%, ndërkohë që Trump morri 47.5%.
Edhe pse avantazhi i lehtë i votës popullore është në favor të Clinton, fitorja gjithsesi shkoi për Trump.
Bazuar në sistemin “fituesi merr gjithçka”, e aplikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, secilit kandidat do t’i nevojitej qoftë një shumicë e thjeshtë për të shpallur fitoren në një shtet të caktuar.
Sipas projeksionit të gjigandit mediatik CNN, Trump siguroi fitoren në plot 29 shtete, duke përfshirë këtu edhe 9 shtetet e konsideruara si fushë-betejë: Arizona, Utah, Iowa, Ohio, Wisconsin, Pennsylvania, Florida, Karolina Veriore dhe Georgia. Ndërkohë, rivalja e tij arriti të siguronte fitore në 18 shtete, si Illinois, Nju Jork, Uashington, Kaliforni etj.
Të dy kandidatët i dhuruan njëri-tjetrit nga një votë elektorale në dy shtete: në Nevadan me 5 vota elektorale, Trump mori 4 vota, ndërsa Clinton mori 1, ndërkohë në Mainin me 4 vota elektorale, Clinton mori 3 vota ndërsa Trump vetëm 1. Në Minnesota, Michigan dhe New Hampshire, kandidatët u ndanë në pozita të barabarta, me diferenca fare të vogla në përqindje.
Sërish sipas projeksioneve të CNN, grupmosha që ka votuar për Clinton ka qenë 18-29 dhe 30-44 vjeç, ndërsa Trump vihet re se ka marrë mbështetjen nga grupmoshat e mëdha: 45-64 dhe 65 vjeç e më të vjetër. 54% e femrave kanë preferuar të votojnë për Hillary Clinton, krahasuar me 42% që kanë zgjedhur të votojnë për Trump, ndërkohë që republikani ka marrëmbështetjen e 53% të meshkujve votues, krahasuar me 41% të Clinton. Gara më e ashpër është zhvilluar në 14 shtete, ndër të cilat 9 votuan për republikanin, 3 për demokraten dhe 2 u ndanë në balotazh.