Albspirit

Media/News/Publishing

Grabitja e epitafit 300 vjeçar trondit besimtarët e Beratit

Ortodoksët e Beratit janë tronditur pasi persona ende të paidentifikuar thyen dhe grabitën epitafin e punuar në ar dhe argjend në Kishën së Shën Spiridhonit, një artefakt i cili mbart vlera shpirtërore po aq sa materiale.

Arka e qirinjëve që ndodhet pak metra larg derës së kishës ishte grabitur me gjithë shumën e lekëve të pak ditëve që ndodheshin në të, para të cilat i hedhin besimtarët për mirësi apo për blerje qirinjsh e për lutje.  Por nuk ishte kjo ajo që tronditi At Kristaqin nga Mitopolia e Beratit, ndërsa bënte inventarin e sendeve në kishën e Shën Spiridhonit në Goricë, brava e të cilës u gjet e thyer të mërkurën më 9 nëntor.

“Gjithë gjërat e tjera dukeshin në vendin e vend, të paprekura, të palëvizura dhe kisha ashtu siç  ishte lënë një ditë më parë. Pasi pash ikonat dhe objektet, u drejtova drejt portikut, vendit të faljes ku futet vetëm prifti, e ku ruhej Epitafi dhe pash se ai mungonte,” thotë At Kristaqi.

Epitafi i vjedhur daton rreth 200-300 vite më parë është i qendisur me ar dhe argjend. “Ai është objekt me vlera shpirtërore të mëdha dhe si i tillë ruhej brenda vendit të faljes, por për fat të keq është pikërisht ai që është vjedhur,” thotë prifti.

Nën hijen e rëndë të selvive kisha simbol e goricarëve, zakonisht e mbushur me vizitor, është e heshtur këtë fillim nëntori me shi. Ajo është objekt i kategorisë së parë i trashëgimisë kulturore për nga vlerat që mbart dhe paraqet tipin bazilikal të shekullit XVIII-XIX.  Në iventarin e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës konsiderohet si objekti që ka të ruajtura mirë të gjitha pjesët që nga mjedisi i altarit, narteksi, portiku, këmbanorja, ambienti i shërbimit dhe ikonostasi prej druri.

Jonila Demiri, zëdhënsja e Policisë së Qarkut të Beratit, i tha BIRN se ata po punonin për të identifikuar autorët e vjedhjes. Ndërkohë ekspertët e policisë që mbërritën në mjediset e kishës pak pas njoftimit të bërë nga kishtari, zbuluan se një nga rrugicat e kuqe të shtruara përgjatë kishës kishte lëvizur nga vendi i saj. Një pjesë e sistemit të alarmit që ndodhej brenda kishës po ashtu ishte shkatëruar.

Agjentët e policisë thanë edhe se dyshonin që në kishë kishte pasur më shumë se një grabitës. “Kalimi nga muri rrethues i kishës, dëmtimi i një pjese të sistemit të sigurimit, sharrimi i bravës, heqja nga korniza prej xhami e epitafit, të gjitha këto bëjnë që ekspertët të dyshojnë se autorët kanë qënë më shumë se një person dhe të mirë organizuar”,  tha një punonjës i policisë.

Vjedhja e epitafit i ka prekur fort besimtarët ortodoksë të Beratit. Liljana Bojaxhi, një banore e vjetër e lagjes Goricë, e cila jeton vetëm pak metra larg kishës, e mbështjellë me një triko për të shmangur të ftohtin që ka nisur të ndihet në lagjen nën kodër, përlotet ndërsa flet nga porta e saj e vjetër. “Epitafi për ne orthodoksët është i shenjtë. Ai simbolizon trupin e Krishtit dhe ne i lutemi atij për mirësi, për shëndet. Vlera që epitafi ka është e paimagjinueshme, pasi lidh besimtarët me Zotin dhe ne kemi humbur vlerën më të madhe që mund të ketë kisha”, thotë ajo.

Gruaja tregon se sa i rëndësishëm ishte epitafi për ta. Ajo thotë se çdo të premte para Pashkës Ortodokse, epitafi vendosej në qendër të kishës dhe prej andej bëhej rrugëtimi me të nëpër qytet për tu parë nga të gjithë, si shenjë që trupi i Zotit vdiq të premten e zezë.   “Kemi degjuar që na është vjedhur kisha dhe herë të tjera, por vjedhja e epitafit na ka prekur të gjithëve në zemër dhe duam që policia të bëjë punën e saj për t’i gjetur ata që na i bënë këtë të keqe”, thotë e moshuara.

Vjedhja u zbulua të mërkurën në mëngjes nga Robert Stavri, kishtari më i ri për nga vitet si shërbyes në Shën Spiridhon. Ai tregon se pasi hapi portën kryesore ashtu si dhe çdo ditë tjetër për të pritur besimtarët, apo vizitorët që nuk mungojnë në këtë lagje dhe këtë fillim nëntori me shi dhe kaloi oborrin pa që brava e derës së kishës ishte sharruar dhe dera ishte e hapur.

I alarmuar Stavri filloi të kontrollonte me sy nëse mungonte diçka, por gjithçka iu duk në vendin e vet. Ai njoftoi Mitropolinë,  policinë dhe shoqërinë e sigurimit të kishës.  “Përveç bravës asgjë tjetër nuk tregonte për ndonjë grabitje të mundshme dhe për këtë menjëherë kontaktova shoqërinë e sigurimit të kishës dhe policinë”, tha ai për BIRN ndërsa përpiqet të rregulloj bravën e sharruar të derës së brendshme të kishës nga ku autorët u futën për të grabitur atë.

Rastet e vjedhjeve, tentativat për vjedhje nuk janë të panjohura për Metropolinë e Beratit.  Fakti që objektet kishtare janë mjaft të pasura me ikona që datojnë nga qindra në mijëra vjeçare i vë ato shpesh në rrezik.

Katër vite më parë Kisha e Shën Spiridhonit, u tentua të grabitej, por autorët u larguan me shpejtësi, pasi u pikasën nga kujdestari i kishës.  Një vit më pas, më 2013, në të njëjtën kishë u vodh gjeneratori që ndodhej në oborrin e saj, ndërsa autorët nuk u gjetën. Po ashtu edhe Kisha e Shën Mëhillit që ndodhet në lagjen “Kala” u tentuat të vidhej pesë vite më parë.

Që prej të mërkurës në mesditë një makinë e grupit të gatshëm qarkullon orë pas ore në rrugën kryesore të lagjes muzeale “Goricë”, ndërkohë kisha e Shën Spiridhonit qëndron e mbyllur dhe At Petraq Sismia që është dhe banor i kësaj lagje, është personi i fundit që largohet nga kisha pasi policia ka kryer veprimet hetimore.

Ai thotë se kisha dhe epitafi janë të shenjta. “Më 20 Nëntor të vitit 1990 Kisha e Shën Spiridhonit hapi dyertë për rikthimin e besimit në Shqipëri, duke u bërë kisha e parë në vend që rihapet për të kryer rritet fetare, pas shumë vitesh ndalim nga sistemi dhe prandaj kjo kishë është e shenjtë për të gjithë besimtarët,” thotë ai i trishtuar prej grabitjes.

Ashtu si kisha për At Petraqin dhe epitafi është i shenjtë, pasi ka jo vetëm vlera si objekt i vjetër kishtar, por me të janë të lidhur shprirtërisht gjithë besimtarët. “Epitafi është pjesë e procesionit të kishës çdo të premte të zezë para Pashkës dhe humbja e tij është humbje për të gjithë besimtarët dhe unë uroj që ai të gjendet dhe të vendoset në vendin që i takon,” thotë ai./reporter.al

Please follow and like us: