Albspirit

Media/News/Publishing

“Suksese në jetë z. Ministër”

“Suksese në jetë z. Ministër”

Nga Dritan LACI

“Suksese në jetë” është lajtmotivi më i fundit që na erdhi nga Rilindja Socialiste. Do ishte shumë bukur sikur “Suksese në Jetë” të ishte një titulli i një kënge që u kushtohej maturantëve që përfunduan me sukses një etapë të jetës së tyre. Do ishte po kaq bukur sikur “Suksese në Jetë” të ishte melosi kushtuar studentëve që nisin një cikël të ri në jetë.

Do ishte po kaq bukur sikur “Suksese në Jetë” të ishte titulli i një kënge kushtuar njerëzve që falë mjekëve rinisin një jetë nga e para. Do ishte po kaq bukur sikur “Suksese në Jetë” të ishte po ashtu një urim për nënat që sjellin në jetë një foshnjë në një kohë kur lindjet kanë rënë. E kështu me radhë do ishin pafundësisht lajtmotivet për të pasur një refren të ri me urimin e bukur “Suksese në Jetë”.

Por fatkeqësisht, dhe fatkeqësisht duhet të ndihemi fatkeq, që nga dy netë më parë  “Suksese në Jetë” do të duhet ta përdorim si urimin postmortum.

Lajtmotivimin e një sistemi që të heq nga puna. E një sistemi që jo vetëm të lufton kur je jashtë sistemit që ke ngritur, por që në këtë vit të fundit të mandatit të tij Rilindës ka filluar të prodhojë edhe armiq brenda vetë sistemit që ka ngritur. Dhe këtë shembull, fatkeqësisht dhe për dreq më duhet ta them shumë shpesh se sa fatkeq duhet të ndihemi, e jep vetë një ministër që duhet të ishte shembulli i kurimit të plagëve të një shoqërie, por që në fakt nuk bën asgjë tjetër vetëm se tregon se Rilindja është kthyer në gllabërues që po vret vetveten me shpejtësinë e efektit të një cianuri.

Një ministër që nuk është hera e parë që kapet në sjellje të tilla të arrogancës. Madje kush nuk harron disa muaj më parë ishte po ky ministër që ju hakërrye me gjuhën e një gangsteri një gazetari të një mediumi prestigjioz si “Zëri i Amerikës”.

I njëjti që po kështu u mësonte grave hallexhesha në poliklinika se si të recitonin sukseset e Reformës së Check Up-it dhe ato të shkretat nga sikleti e ngatërronin me Keçapin që përdornin në sufllaqe.

I njëjti që tani e tutje do të mbetet hip-popisti i një hiti të ri që do të jetë trendi i naçuve në regjistrimet e tyre të radhës muzikore që do të titullohet “Suksese në Jetë”. Pra tani nuk kemi ç’flasim më për suksese në shëndetësi. Suksese në ekonomi apo në shkencë.

Tani do të flasim për një Ministër që të shkarkon nga puna dhe të uron “Suksese në jetë”. Do flasim për një ministër që në fokus ka Partinë dhe jo Shqipërinë. Një ministër që po nuk i shkove në mbledhjen e Partisë të sikteris, degdis, të telendis, dhe është aq njerëzor sa të le edhe pa bukën e fëmisë. Sepse ai është Ministri. Është Padishahu. Është fati yt i mirë por edhe i zi. Si në fatin e Çlirimit. Që e ç’liroi nga detyra me një telefonatë.

Po sa Beqaj ja kanë zënë frymën këtij vendi me paudhësitë e tyre por i kanë shpëtuar dënimit publik për shkak të mungesës së kurajos publike për ta denoncuar. Mund të jenë shumë.

E pra ja ku sot e kemi një Ministër të kapur me presh në duar. Sigurisht ai sillet kështu sepse sistemi ka edhe Çlirima që janë të përlyer. Që kanë ardhur në krye të detyrës sepse ka dashur Ministri Padishah. Por kjo prapë nuk e shpëton Beqajn nga dënimi publik, i një sistemi që vjen era kalbësirë kudo.

I një sistemi që emëron në krye të mjekësisë veterinerë me teserë partie, në krye të kontrollit të ushqimit gjeneralë të dalë në pension, e gjithë çfarë turlish të papunësh që me ardhjen në pushtet të partisë vendosen në krye të drejtorive që as ua kanë haberin se nga lidhet gomari.

Jo më larg se dy netë parë, ndërsa emisioni “Stop” transmetonte audiopërgjimin e Ministrit Beqaj, për turp të asaj ku jemi katandisur po shikoja në Facebook një luftë të hapur midis mjekësh të cilët etiketonin drejtorin e një reparti në QSUT si të paaftë dhe që s’kishte lidhje me punën që bënte. Pra vetë këta mjekë të njohur sulmonin një drejtor që për ta nuk ishte mjek dhe kishte përfunduar studimet në një shkollë të lartë që u mbyll se u shiste diploma djalit të një ekstremisti në Itali. Hajt pra “Suksese në Jetë”. Kur dikush të më thotë jam sëmurë e vetmja gjë që më mbetet ti them në vend të urimit të zakonshëm për shërim sa më të shpejtë, është; “Suksese në jetë”. Sepse Ministri na ka lënë shëndenë. “Suksese në Jetë” sepse për ty nuk ka më kush kujdeset. “Suksese në Jetë” sepse ty të kanë lënë vetëm në këtë jetë./ Opinion.al

Të ngjashme

Please follow and like us: