Albspirit

Media/News/Publishing

Nga 120 mijë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, në arkiv gjenden vetëm 12 mijë dosje

Dokumentet

Shifrat e plota për materialet që ruhen nga Ministria e Brendshme

 

Ministria-e-BrendshmeNga 120 mijë dosje bashkëpunëtorësh që ka pasur ish-Sigurimi i Shtetit për 45 vjet, në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shërbimit Social Shtetëror kanë mbetur rreth 12 mijë të tilla, ku 6 mijë prej tyre janë të ruajtura në mikrofilma. Por, këto nuk janë dosjet e vetme të ish-Sigurimit të Shtetit që ruhen në ambientet e arkivit të MPB-së, pasi aty ndodhen edhe katër lloje të tjera dokumentesh, por jo bashkëpunëtorësh dhe në total rezultojnë të jenë disa mijëra dosje. Në Shqipëri, dosjet e krijuara nga drejtoritë e Sigurimit të Shtetit gjenden në arkivin e Sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në Arkivin e Sistemit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Dosjet janë administrative, të rrjetit sekret, të përpunimeve, si dhe ato formulare.

Dosjet administrative

Sipas të dhënave, ish-Sigurimi i Shtetit ka formuluar gjatë funksionimit të vet pesë lloj dosjesh. Dosjet e para janë ato me dokumente administrative, ku mësohet se në arkivin e Ministrisë së Brendshme ndodhen 10-11 mijë të tilla. Në dosjet administrative që gjenden vetëm në arkivin e sistemit të MPB-së, përfshihet veprimtaria e institucionit, analiza vjetore, plane masash, përgjithësime, informacione, letra, raporte etj. Nga ky fond janë deklasifikuar të gjitha vendimet e komisionit qendror të internim-dëbimeve. Përgjithësisht, fondi është i klasifikuar. Nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit (e cila njihej edhe si drejtoria e kundërzbulimit) mësohet se janë administruar 8488 dosje administrative. Nga Drejtoria e Dytë (institucioni që merrej me sigurimin e udhëheqjes dhe rezidencave) mësohet se janë administruar 860 dosje administrative dhe nga Drejtoria e Tretë (njihet si Drejtoria e Zbulimit dhe e kishte qendrën në katin e katërt të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përbëhej nga oficerë legalë, të cilët kamufloheshin me funksione diplomatike në ambasada të RPSSH-së në vende të huaja) janë administruar rreth 1 mijë (ekzaktësisht 997) dosje të tjera administrative. Por, sa u përket këtyre dosjeve mësohet se veç vendimeve të komisionit të internimeve, janë deklasifikuar edhe disa dokumente të tjera dhe nëse do ishte vullneti i shoqërisë civile, ato mund të nxirreshin nga arkivat dhe të ekspozoheshin për publikun. Po ashtu, në arkiv mësohet se ndodhen rreth 13800 dosje hetimore gjyqësore, të cilat, edhe këto si dosjet administrative janë të deklasifikura.

Dosjet sekrete

Ndryshe nga dosjet administrative, janë konsideruar tepër sekret tri forma të tjera dosjesh, të cilat janë dosjet e bashkëpunëtorëve, ato formulare dhe dosjet e drejtimit. Sa u përket dosjeve të bashkëpunëtorëve, ku është edhe interesi më i lartë publik për hapjen e tyre, mësohet se nga viti 1945 deri në vitin 1990 janë përpunuar 120 mijë të tilla, megjithëse sot ekzistojnë vetëm 12 mijë copë, ndër të cilat 6 mijë janë të ruajtura në bobina mikrofilmi. Kjo diferencë, pavarësisht se shumë dosje janë asgjësuar në vite, shpjegon qartë se një përqindje e lartë e dosjeve të bashkëpunëtorëve janë zhdukur, nuk ekzistojnë më, kështu që hapja e tyre do sjellë një të vërtetë të cunguar dhe jo të plotë, siç trumbetohet nga aktorët e ndryshëm të politikës, ndërkohë që shpeshherë është deklaruar se një në 3 shqiptarë ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Nga të dhënat zyrtare të siguruara nga gazeta Shqip mësohet se për dosjet e bashkëpunëtorëve në arkivat e Ministrisë së Brendshme krijohet një fond prej 1642 dosjesh, por jo të gjitha kanë dosje pune dhe këtu nuk përllogariten mikrofilmat. Po ashtu jashtë këtij fondi mbeten dosjet e bashkëpunëtorëve të rretheve Librazhd dhe Tepelenë, që ndodhen në një nga qendrat e administruara nga MPB në Tiranë, por nuk janë inventarizuar ende. Në këtë shumë mund të shtohen edhe dosjet e Degës së Naftës, të cilat nuk janë inventarizuar dhe që ndodhen në një tjetër qendër. Për disa rrethe, në arkiv ruhen edhe blloqet e punëtorëve operativë.

Sa u përket dosjeve formulare mësohet se është një numër shumë i vogël në arkivin e MPB-së. Sipas të dhënave, nga kjo kategori mësohet se janë 104 përpunime nga Saranda, 38 dosje drejtimi nga Vlora dhe 16 fashikuj nga Berati. Mbeten për inventarizim Gjirokastra, Mati, Fieri, Librazhdi, Tepelena, të cilat gjithsej kanë një numër të vogël dosjesh.

Mikrofilmat

Ministria e Brendshme disponon po ashtu një fond operativ në mikrofilm. Sipas të dhënave, janë 6098 dosje që ruhen vetëm në mikrofilm, xhaketina dhe bobina. Këto dosje janë për bashkëpunëtorë dhe të ndjekur. Po ashtu mësohet se këto dosje janë pjesë e grupit operativ prej 17 mijë dosjeve të bashkëpunëtorëve dhe të ndjekurve, që në origjinal ruhen pranë SHISH. Gjithashtu, arkivi ruan kartelat Model 1 që kanë qenë pjesë e Degës 4 të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Gjendja e tyre është e mirë, por kanë nevojë për sistemim të ri. Kartelat janë të ndara në bazë të mbiemrit. Arkivi ka edhe një sasi simbolike kartelash Model 2 për bashkëpunëtorë, të cilat janë gjetur të shpërndara në depon e Kërrabës në vitin 1997.

Dosjet në SHISH

Megjithatë, historia e dosjeve nuk mbyllet me kaq. Veç 12 mijë dosjeve të bashkëpunëtorëve që kanë “mbijetuar” dhe ndodhen në arkivat e Ministrisë së Brendshme, rreth 17 mijë dosje të grupit operativ ndodhen në arkivat e Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilat janë marrë në vitin 1993 nga arkivi i MPB-së. Jashtë këtij grupi janë 6522 dosje bashkëpunëtorësh. Sipas një informacioni të vitit 1995, figurojnë të regjistruara 12 602 dosje bashkëpunëtorësh, ndërsa në SHISH janë vetëm 6522 dosje. Në këtë grup, Tirana ka 1447 dosje, Durrësi ka 1422 dosje dhe Shkodra ka 357 dosje. Rrethet që kanë numrin më të vogël të dosjeve si Skrapari me 13 të tilla, Berati me 23 dhe Gramshi me 33, pjesën kryesore e kanë në arkivin e MPB-së.

 

 

Shifrat

Fondi i dosjeve të ish-Sigurimit

Dosjet administrative

Drejtoria e Parë ka 8488 dosje të inventarizuara në korrik 2014. Këto ruhen në masën 40 për qind në mikrofilm dhe origjinal. Mikrofilmi është bërë deri në vitin 1974.

Drejtoria e dytë ka 860 dosje, të inventarizuara në gusht 2014. Ruhen në mikrofilm dhe në origjinal. Është mikrofilmuar si fond në masën 20 për qind.

Drejtoria e tretë ka 997 dosje (deri në vitin 1975). Këto janë përfshirë në inventarin e ri në tetor 2014. Fondi ruhet në mikrofilm dhe origjinal.

Dosjet e bashkëpunëtorëve

Berat, 24 copë

Dibër, 184 copë

Gramsh, 87 copë

Krujë, 59 copë

Kukës, 23 copë

Lushnjë, 80 copë

Pukë, 58 copë

Sarandë, 310 copë

Skrapar, 31 copë

Tropojë, 786 copë

Gjithsej janë 1642 dosje bashkëpunëtorësh.

Për disa rrethe, në arkiv ruhen edhe blloqet e punëtorëve operativë.

Dosjet formulare

Sarandë, 104 përpunime

Vlorë, 38 dosje drejtimi

Berat, 16 fashikuj

Fondi operativ në mikrofilm

Janë 6098 dosje për bashkëpunëtorë dhe të ndjekur që ruhen vetëm në mikrofilm, xhaketina dhe bobina

Arkivi i SHISH

Arkivi i SHISH sot ka 17 mijë dosje gjithsej të grupit operativ

6522 janë dosje bashkëpunëtorësh

Tirana ka 1447 dosje

Durrësi ka 1422 dosje

Shkodra ka 357 dosje

Skrapari ka 13 dosje

Berati ka 23 dosje

Gramshi ka 33 dosje

Sipas një informacioni të vitit 1995, figurojnë të regjistruara 12 602 dosje bashkëpunëtorësh, ndërsa në SHISH janë vetëm 6522 dosje

 

 

Ndarja

Cilat ishin katër format e bashkëpunimit me Sigurimin

Rrjeti informativ sekret i ish-Sigurimit të Shtetit ka qenë i përbërë nga dy rrjete, ai pa dokumente dhe ai me dokumente. Për rrjetin informativ pa dokumente mësohet se përbëhej nga një kategori e veçantë bashkëpunëtorësh specialë, të cilët betoheshin para sekretarit të Parë të PPSH-së. Gjatë viteve, në media janë përmendur disa emra, por nuk dihet asgjë për dosjet e tyre. Ndërkohë, kemi rrjetin informativ me dokumente, ku futen bashkëpunëtorët. Në rrjetin informativ sekret me dokumente ekzistonin 4 lloje bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit. I pari ishte rezidenti, i cili konsiderohej si ndihmës i operativit të Sigurimit dhe mbante lidhje me disa informatorë (zakonisht 4-5). Ai ishte person civil, kërkohej me nivel të lartë profesional, i besueshëm dhe parashikohej që të ishte operativ aktiv në kohë lufte. Thuhet se disa prej tyre kanë bërë edhe kurse speciale. I dyti ishte agjenti, person i kualifikuar i Sigurimit të Shtetit që jepte të dhënat kryesore atje ku qëndronin interesat e Sigurimit. I treti ishte informatori, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i cili jepte informata sipas skemës për të cilën ai ishte ngritur. I katërti ishte strehuesi, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i cili vinte në dispozicion të Sigurimit, banesën, zyrën, hotelin ose ambiente të tjera që kishte mundësi. Ai quhej edhe bashkëpunëtor vullnetar. Në mjediset që ai vinte në dispozicion ndër të tjera zhvilloheshin takime të operativit, rezidentit etj. Të gjitha këto nivele informatorësh ishin me pseudonime.

 

 

Historiku

Kalvari i dosjeve në vite dhe inventarizimi i tyre

Nga raportet e lëna rezulton se fondi operativ i Arkivit të MPB-së ka qenë i përbërë nga 17 mijë dosje. Fondi përbëhet nga bashkëpunëtorë dhe të ndjekur. Në këtë fond janë të gjithë bashkëpunëtorët dhe të ndjekurit e tre drejtorive të sigurimit. Fondi është i ndërtuar në mënyrë numërore kronologjike. Fondi nuk është i ndarë në vite apo në tregues emërorë. Fondi fillon me numrin arkivor 1,2,3 dhe përfundon diku me një numër të përafërt me shifrën 17 000. Në vitin 1993, në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me ligjin, ky fond i kaloi arkivit të SHISH, ku ndodhet edhe sot. Ndërsa mikrofilmat i ngelën arkivit të MPB-së. Në vitin 1993, nga drejtoria e parë ishin rreth 70 arka me dokumente administrative, dosje bashkëpunëtorësh dhe dosje përpunimesh. Këto kishin qenë në degët e punëve të brendshme në rrethe dhe ishin dërguar në Kërrabë. Më 13 mars 1997, objekti në Kërrabë u sulmua nga banorët dhe gjithë dokumentacioni u shpërnda. Ky veprim u bë nga banorët, sepse kërkohej për flori. Në vitet 2004-2005, u bë një rregullim i këtij grupi me dokumente, por pa mundur të bëhej shkrirja në një fond arkivor dhe të ruhej uniteti i tij si një fond i vetëm. Në fund të vitit 2007 filloi inventarizimi i dosjeve të bashkëpunëtorëve. Puna u ndërpre, pasi filloi procesi i dëmshpërblimit për të përndjekurit politikë. Pas vitit 2011 u tërhoqën të gjithë mikrofilmat që u gjetën në Kërrabë. U hapën 70 arkat e Drejtorisë së Parë dhe i gjithë arkivi kaloi në një proces inventarizimi. Në korrik 2014 përfundoi inventarizimi i fondit administrativ të Drejtorisë së Parë, duke krijuar përfundimisht një fond të vetëm arkivor. Po ashtu u rregullua edhe fondi i Drejtorisë së Dytë, i cili nuk ishte unik.

Please follow and like us: