Albspirit

Media/News/Publishing

JENIÇERËT: “Etërit” e ushtrive moderne

JENIÇERËT: “Etërit” e ushtrive moderne (dhe historia e shqiptarit që përmbysi Sulltanin)

JENIÇERËT: “Etërit” e ushtrive moderne (dhe historia e shqiptarit që përmbysi Sulltanin)

Mendoni një ushtri siç e kemi parasysh ne sot, me uniforma, paga të rregullta dhe reparte. Tani, vendoseni në një sfond historik. E bëtë? Nëse keni ecur pas në kohë maksimumi deri në Tetëqindën e luftërave napoleonike, përgatituni për një surprizë: pionierët e artit modern të luftës erdhën në kulmin e Mesjetës. Dhe duke i parë nga këndvështrimi i kryqëzatave ishin edhe “të pafe”, apo më mirë, myslimanë. Në filimet e ushtrive moderne kanë qenë në fakt jeniçerët, këmbësoria elitë e Sulltanit, për një kohë të gjatë “gogolë” por edhe model efiçence për armatat e Europës.

Data e lindjes së kësaj ushtrie mendohet të jetë diku në mesin e shekullit treqind: otomanët – të cilët një shekull më vonë do të bëheshin një perandori, duke u ngritur mbi rrënojat e Bizantit të lashtë – ishin atëherë një fuqi e vogël, në luftë me emirate të tjerë të Anadollit, si dhe të përfshirë në shumë luftëra kufitare me klanet nomadë. Gjërat ndryshuan me ardhjen e një sulltani ambicioz dhe vizionar, Murati I, i cili nisi një politikë të ekspansionit drejt Europës, duke filluar që nga Ballkani. Dhe krahu i armatosur i kësaj strategjie ishin pikërish jeni çer-ët, në turqisht “trupat e reja”.

Rekrutuar me forcë

Për të shtuar organikën e milicisë së sapokrijuar mendoi instituti i devshirme-s, apo “leva e fëmijëve-haraç”, një taksë për t’u paguar në njerëz, të cilën duhej që ta paguanin të gjithë popullsitë e krishtera të territoreve të nënshtruar. Skuadra rekrutuesish otomanë merrnin një të pestën e fëmijëve nga 6-7 vjeç e lartë: më të imëtit shkonin për të shërbyer në oborr, ndërsa ata me trup më të mbushur shkonin për të vazhduar vite të tërë stërvitje ushtarake në kazermat otomane. “Përgjithësisht”, shpjegon Michele Bernardini, docent i historisë së perandorisë otomane në Universitetin Oriental të Napolit, “rekrutuesit përpiqeshin të shmangnin rekrutimin e jeniçerëve të ardhshëm, nga klasa sociale që konsideroheshin gjenetikisht më pak të përshtatshme për luftë: bijtë e fshatarëve, për shembull, preferoheshin shumë më tepër në krahasim me ata të artizanëve”.

Që nga periudha e formimit, shumë e rëndë deri në limitet e njerëzores, më të mirët – apo më saktë të mbijetuarit – dilnin të transformuar në jeniçerë: kurajozë dhe rezistentë, repart udhëheqës i ushtrisë, por mbi të gjitha roje personale të sulltanit që për të gjithë ishte “hija e Perëndisë në tokë”, dhe për ta ishte një atë-padron për të cilin, nëse ishte e nevojshme, mund të jepej edhe jeta.

Shumë besnikë

Jo më pak absolute duhej të ishte besnikëria ndaj Islamit, fe në të cilën pak a shumë të gjithë jeniçerët e ardhshëm konvertoheshin pak a shumë me forcë. “Etnia më e përfaqësuar mes jeniçerëve ishte ajo sllave: boshnjakë, serbë, bullgarë kryesisht”, saktëson Bernardini. “Por kishte edhe shqiptarë dhe, në një masë më të vogël, grekë. Në fillim ishin pak, afro 2000 dhe kryesisht shiheshin me sy të keq, mbi të gjitha nga kaloresia otomane e cila i kishte zët”.

Por një opinion i tillë do të ndryshonte shumë shpejt falë edhe kurrikulumit luftëdashës të “trupave të reja”: beteja e Nikopolit e vitit 1396, një humbje shumë e rëndë për kavalerinë franceze, aleate e mbretit të Hungarisë; marrja e Kostandinopojës, që në vitin 1453 i dha goditjen përfundimtare perandorisë romake të lindjes; beteja dhe përplasja e madhe e vitit 1514 në Çaldiran, ku kundërshtarët persë paguan shtrenjtë përçmimin aristokratik që kishin ndaj armëve të zjarrit. Janë vetëm disa prej sipërmarrjeve ushtarake, në të cilat gjatë dy shekujve të ardhshëm, jeniçerët dhanë kontributin e tyre.

Pararojë

Ekspertë në luftën trup më trup me kordha dhe kama, ata zbuluan shumë shpejt edhe një talent si harkëtarë, por mbi të gjitha u specializuan në armët e zjarrit: artistët otomanë shpesh herë i paraqisnin me armën e tyre të preferuar, jataganin. Mjeshtëria me barutin dhe armën e zjarrit nuk ishte paraprirja e vetme e ushtarit modern. “Mbi të gjitha jeniçerët vishnin një uniformë, e cila mbeti e pandryshuar për shekuj të tërë, elementi më karakteristik i të cilës ishte një çallmë e lartë dhe e bardhë, e zbukuruar me pendë çafke”, shpjegon Bernardini. “Pastaj kishin një marsh të tyrin ushtarak, mehterin, që në Turqi mbijeton edhe sot e kësaj dite, si muzikë për banda ushtarake. Shefi i tyre ishte agai, domethënë një gjeneral. Batalionet e tyre, që quheshin orta, dalloheshin shpesh për shak të standarteve dhe simboleve që jeniçerët i bënin tatuazh në trup, dhe ata ishin të ndarë në reparte të specializuar: që nga tufekçijtë, domethënë muskëtierët, deri tek xhenierët që merreshin me minimin e fortifikimeve. Megjithatë, risia kryesore përfaqësohej nga taktika ushtarake futuriste: nuk vendoseshin në radhë kompakte si kundërshtarët, por hidheshin në sulm duke formuar një lloj gjarpëri njerëzor, që vazhdonte përpara me një zig zag, duke provokuar hutim dhe konfuzion tek armiku. Një tjetër element moderniteti ishte pagesa e tyre: jeniçerët paguheshin në mënyrë të rregullt edhe në kohë paqeje, atëherë kur ishin vetem ruajtës rendi në qytete. Me kalimin e kohës për ta pati edhe lëshime territoriale, përjashtim nga taksat e madje edhe mundësira që të tërhiqeshin me një pension, kur bëheshin pleq apo invalidë”.

Shërbyes

Këto veçanti në sjellje ushqenin mes jeniçerëve një fryme korpusi pothuajse prej murgjish; nëse i shtojmë kësaj edhe detyrimin fillestar të përkorisë seksuale, atë të lënies së zotërimeve të tyre në trashëgimi regjimentit, si dhe përkushtimin e përbashkët për një padron, apo mistikun iranian haxhi Bektash, kombinimi mes jeniçerëve dhe urdhërave ushtarakë të perëndimit të krishterë si përshembull templarët mund të tingëllojë i vërtetë. Por ngjashmëritë mbarojne këtu.

Ndonëse në mes të luksit, ata ishin në kushte shërbyesish, të paktën në fillim. Këtë gjë e nxjerrin në pah shumë detaje: që nga detyrimi për të rritur vetëm mustaqet dhe jo të gjithë mjekrrën, deri tek citimet e shumtë që lidhin traditën dhe hierarkinë e jeniçerëve me botën e kuzhinës. Komandanti i çdo orte quhej çiorbak (ai që shërben supën), dhe oficerët quheshin aga bas (kryekuzhinierë). Vetë ena ishte një element i rëndësishëm: një lojë rituale e aftësisë së jeniçerëve ishte një lloj “flamuri”, ku trupa duhej të linte të rrëzohej dhe të kapte në një kohë sa më të shkurtër të ishte e mundur gavetën e vet në mes të të tjerave. Mbi të gjitha, tiganët dhe tasat të përmbysur në mensë jepnin për ushtarakët një sinjal të qartë, dhe me kalimin e kohës gjithnjë e më të shpeshtë: atë të revoltës.

Në fakt, duke filluar që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë, kohët e arta nisën të ikin. Plot me para dhe me privilegje, jeniçerët u shndërruan në gurin e peshores në luftërat për pushtet. “Gjatë konflikteve të vazhdueshëm të brendshëm, që nxiteshin prej trashëgimtarit të parashikuar të fronit, për të çekuilibruar antagonistët e mundshëm, jeniçerët luanin një rol të pazëvendësueshëm”, thotë Bernardini. “Mbështetja e tyre vendoste gjithnjë e më shpesh fatin e një sovrani. Një shembull për të gjithë: në Gjashtëqindën, vëllai i Sulltanit Murati IV, Ibrahimi, kaloi njëzetë vite burgim në haremin perandorak, i mbyllur mes grave të bukura dhe ushqimeve të jashtezakonshëm, për të shmangur vrasjen e tij nga sundimtari. Ishin pikërisht jeniçerët që e çliruan atë pasi përmbysën Muratin, si dhe të çliroheshin prej tij pasi e shpallën te paaftë menderisht”.

Ndërkohë, dobësimi i kësaj milicie vazhdonte: në fundin e gjashtëqindës jeniçerit i lejohej që të martohej, të kishte punë të dytë dhe të tretë (shumë prej tyre ishin tregtarë), por mbi të gjitha që të bënin karrierë nëpërmjet nepotizmit dhe rekomandimeve. Fundi i përkorisë dhe heqja mënjanë e devshirmes e shndërruan praktikisht në një zanat që kalohej nga babai tek i biri dhe ndonjëherë, një parkim i sigurtë për pasardhësit e familjeve turke.

Rezultati: jeniçerët përfunduan së qënuri një burim dhe filluan të jenë një problem, në mos një kërcënim. Dhe në të gjithë këndvështrimet ata u shndërruan në një kastë, sa e bezdisur, aq edhe e kushtueshme dhe e kotë, sepse bashkë me disiplinën jofleksibël dhe stërvitjen e fortë, kishte ikur edhe efiçenca ushtarake.

Likuidimi

Këtë e demonstruan një seri humbjesh djegëse si ajo e vitit 1683 në portat e Vienës, që përveçse i dha fund një herë e mirë ekspansionit otoman në Europë, shfaqi hapur edhe të gjithë dobësinë e turqve përballë ushtrive europiane, që në ndërkohë kishin rimarrë veten fituar avantazh taktik dhe teknologjik. “Perandoria otomane, që në kulmin e saj kishte mbërritur deri në Poloni, tashmë kishte ngecur dhe jeniçerët përbënin vetëm një anakronizëm ushtarak”, thotë Bernardini. “Nuk qe rastësi që shpërbërja e tyre erdhi prej Mahmudit II, i pari sulltan i tetëqindës dhe modernizues i madh: prioriteti i tij ishte reformimi i ushtrisë dhe ai kuptoi që pengesa kryesore vinte pikërisht prej “gardianëve” të tij.

Fundi, që nga kronikat është paraqitur si ngjarje e lumtur, erdhi në vitin 1826 me nje masakër të vërtetë: si reagim ndaj revoltës së disatë, të paktën 4 mijë jeniçerë u vranë në kazermat e Stambollit, të shkatërruara me topa. Më pas vazhduan ekzekutimet, mërgimi dhe shpërndarja e të mbijetuarve në reparte pa famë, e mbi të gjitha pa pretendime. Epopeja e ish “qenve roje” të sulltanit përfundoi me gjakderdhje; tashmë, perandoria e gjysmëhënës do t’i kapte në librat e historisë, vetëm më pak se një shekull më vonë.

Shqiptari që përmbysi Sulltanin

Fama e jeniçerit më rebel mes rebelëve i takon një shqiptari, Patrona Khalil, që jetoi në vitet 700. I futur në grupin e jeniçerëve në moshë të madhe, pasi kishte shërbyer në një anije lufte otomane, ai dezertoi dhe u strehua në Stamboll, ku takoi Musu Bese, ish jeniçer i shndërruar në tregtar fasulesh. Me të dhe të tjerë ushtarë rebelë ai nisi në vitin 1730 një kryengritje popullore që përmbysi Sulltanin Ahmedi III. Për disa javë, kryengritësit u bënë zotër të perandorisë otomane, aq sa edhe investitura e sulltanit të ri Mahmudi I ndodhi nën mbikëqyrjen e Khalilit, përgjegjës për një seri spastrimesh dhe emërimesh të reja në postet që kishin rëndësi. Por e pësuan: një kasap grek që kishte financuar revoltën u emërua madje guvernator i Moldavisë. Një seri zgjedhjesh delirante që pasuan detyruan qeverinë që të reagonte dhe e kaluara erdhi e trokiti në portën e Khalilit: kundër tij doli agai, numri një i jeniçerëve. I ftuar në oborr me një pretekst, shqiptari u vra në prani të sulltanit: ishte preludi i një spastrimi që në pak ditë pa të vriten 7 mijë mbështetës të tij.

Please follow and like us: