Marylin Monro përgjohej nga FBI, kishte kontakte me komunistët
FBI mbante nën vëzhgim Marilyn Monroe dhe marrëdhëniet e saj me ambientin “komunist”, një vit përpara vdekjes së saj në gusht të 1962. Lajmi është publikuar nga Associated Press, e cila i është referuar disa dosjeve të rezervuara të bëra publike për efekt të Freedom Information Act. Të dhënat mbi personazhin e famshëm të Hollywood nuk përmbajnë asnjë lajm rreth hetimeve për vdekjen e saj, që ende sot e kësaj ditë mbetet misterioze. Dokumentet e FBI-së janë publikuar pa asnjë censurë dhe kanë treguar se si agjencia e inteligjencës ndiqte nga pas Monroe. “’New York Daily News’ morri një telefonatë anonime më 3 korrik 1956 nga një burrë i paidentifikuar, që informonte se Arthur Miller (bashkëshorti i saj në atë kohë) kishte qenë dhe vazhdonte të ishte një pjesëtar i Partisë Komuniste.Edhe e shoqja, Marilyn Monroe, qarkullonte në ‘orbitën’ e partisë komuniste”, shkruhet në dosje. Më tej tregohet se miqtë e Marilyn ishin të shqetësuar për afrimin e saj me Frederick Vanderbilt Field, pinjoll i njërës prej familjeve më të pasura në Amerikë, i shpallur i padëshiruar për shkak të ideve të tija ekstremiste të majta. Ata u njohën në Meksikë, ku aktorja u strehua në fillim të viteve ’62. Field jetonte bashkë me të shoqen, për shkak të një lloj azili vullnetar dhe mbante lidhje të ngushta me grupin komunist amerikan në Meksikë.