Hyn në fuqi URDHRI i PSIKOLOGUT NË RSH
LIGJ Nr. 40/2016 PËR URDHRIN E PSIKOLOGUT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
KREU I, DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1: Objekti
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të organizimit e të veprimtarisë së Urdhrit të Psikologut, si dhe të marrëdhënieve juridike e etiko-profesionale të psikologëve.
Neni 2: Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kritereve për ushtrimin e profesionit të psikologut, garantimi i standardeve etiko-profesionale në ushtrimin e këtij profesioni, në mbrojtje të interesit publik, duke respektuar parimin e autonomisë së profesionit të psikologut.
Neni 3: Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet për të gjithë psikologët që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë në sistemin publik apo privat.
Neni 4: Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
- “Psikolog” është një profesion i rregulluar, që ushtrohet në fushën e psikologjisë, bazuar në praktika, si: mbështetje psikologjike, diagnostikim, këshillim psikologjik, vlerësim, psikoterapi, ekspertizë, formim, këshillim karriere dhe punë në institucione dhe organizata.
- “Praktikë profesionale” është ushtrimi i profesionit si psikolog nën mbikëqyrjen profesionale të psikologëve të kualifikuar si mbikëqyrës së praktikës profesionale.
Neni 5: Statusi
Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë, në vijim Urdhri i Psikologut, është ent public jobuxhetor, profesional, i pavarur, i cili përfaqëson dhe mbron interesat e përbashkët të anëtarëve të Urdhrit dhe rregullon veprimtaritë e marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut.
KREU II, MISIONI
Neni 6: Misioni
- Misioni i Urdhrit të Psikologut është nxitja dhe ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit në fushën e psikologjisë, si dhe mbrojtja e përfituesve të shërbimit nga kequshtrimi i profesionit të psikologut.
- Për realizimin e misionit të tij, Urdhri i Psikologut ushtron këto kompetenca:
- a) jep dhe heq të drejtën për ushtrimin e profesionit të psikologut;
- b) mban Regjistrin Themeltar të Urdhrit të Psikologut dhe menaxhon sistemin e administrimit e të përditësimit të tij;
- c) nxit arritjen e standardeve të larta në edukimin dhe formimin profesional e etik të anëtarëve të Urdhrit;
ç) vendos standarde etike e deontologjike, të detyrueshme për çdo psikolog dhe monitoron zbatimin e tyre gjatë ushtrimit të profesionit;
- d) mbron të drejtat e anëtarëve të Urdhrit, integritetin moral dhe profesional të tyre e të profesionit të psikologut;
- dh) nxit dhe ndihmon marrjen e masave, me qëllim përmirësimin e shërbimit të ofruar nga ushtruesit e profesionit dhe mbrojtjen e përfituesit të shërbimit nga kequshtrimi i profesionit;
- e) bashkëpunon me institucionet përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi, institucionet e tjera, shkencore dhe arsimore, për të siguruar standarde në edukimin e vazhdueshëm, kualifikimet dhe specializimet pasuniversitare të Urdhrit;
ë) informon publikun, nëpërmjet faqes zyrtare të Urdhrit, për të gjitha aktet e miratuara nga organet e Urdhrit, të përcaktuara në këtë ligj.
KREU III, KRITERET E ANËTARËSISË
Neni 7: Kriteret e anëtarësisë
- Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e psikologut, në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Psikologut dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit të lëshuar nga ky organizëm.
- Anëtarët e Urdhrit të Psikologut në Republikën e Shqipërisë duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
- a) të jenë shtetas shqiptarë;
- b) të kenë diplomën e studimeve të larta “Bachelor” dhe “Master shkencor” ose “Master profesional” në psikologji ose ekuivalent me të, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin;
- c) të zotohen me shkrim se do të zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, statutit dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë;
ç) të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që lidhet me ushtrimin e profesionit, në momentin e kërkesës për anëtarësim.
Neni 8: Kriteret e anëtarësisë për shtetasit e huaj
- Shtetasi i huaj, për ushtrimin e profesionit të psikologut në Republikën e Shqipërisë, duhet të anëtarësohet paraprakisht në Urdhrin e Psikologut të Republikës së Shqipërisë. Çdo psikolog, shtetas i huaj, rezident në Shqipëri apo I atashuar në një institucion ku vjen periodikisht, për ushtrimin e profesionit, duhet të ketë edhe këto dokumente:
- a) lejen e qëndrimit dhe të punës në Republikën e Shqipërisë;
- b) certifikatën e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga urdhri/dhoma apo shoqata e psikologëve të vendit të vet, të njohur nga vendi ynë, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se nuk ka marrë masa ndëshkimore;
- c) njohjen e diplomës e të certifikatave të specializimeve nga organi kompetent, të kryera prej tij/saj;
ç) një rekomandim nga një specialist vendas I së njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Psikologut;
- d) dëshmi të njohjes së gjuhës shqipe, të vërtetuar nga një autoritet i licencuar nga shteti.
- Për psikologun e huaj, i cili nuk njeh gjuhën shqipe, detyrimisht është kusht të punojë me përkthyes.
KREU IV, TË DREJTAT DHE DETYRIMET E ANËTARIT TË URDHRIT
Neni 9: Të drejtat e anëtarit të Urdhrit të Psikologut Anëtari i Urdhrit të Psikologut ka të drejtë:
- a) të ushtrojë profesionin sipas titullit të përcaktuar në diplomën e “Masterit shkencor” dhe/ose “Masterit profesional”;
- b) të ankohet në organet e Urdhrit ndaj çdo subjekti që i shkel të drejtën dhe mundësinë për të ushtruar profesionin në mënyrë të lirë dhe të pavarur;
- c) të marrë pjesë në shqyrtimin nga organet e Urdhrit për probleme që kanë të bëjnë me ushtrimin e profesionit prej tij;
ç) të kërkojë krijimin e kushteve të favorshme për ushtrimin normal të profesionit, për edukimin e vazhdueshëm dhe për përparimin e karrierës;
- d) të kërkojë mbrojtje të veçantë në rast rreziku gjatë ushtrimit të profesionit apo për rastet e rrezikut për jetën ndaj palëve të treta.
Neni 10: Detyrimet e anëtarëve të Urdhrit
Anëtari i Urdhrit të Psikologut ka këto detyrime:
- a) të ushtrojë profesionin dhe të ketë sjellje profesionale, në përshtatje me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë;
- b) të punojë për rritjen e standardeve profesionale e të cilësisë së shërbimit në fushën e psikologjisë në institucionin ku punon dhe të marrë pjesë rregullisht në programet e edukimit të vazhdueshëm;
- c) të paguajë rregullisht kuotizacionet e anëtarësisë, tarifat e regjistrimit, tarifën e dhënies të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe shërbimeve të tjera administrative, të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut.
KREU V, NDËRPRERJA E ANËTARËSISË
Neni 11: Ndërprerja e anëtarësimit
- Anëtarit të Urdhrit të Psikologut I ndërpritet anëtarësisë kur:
- a) vdes;
- b) i hiqet licenca individuale e ushtrimit të profesionit, me vendim disiplinor të formës së prerë, nga organet e Urdhrit apo të gjykatës;
- c) është duke vuajtur dënimin penal me heqje lirie;
ç) nuk shlyen kuotizacionet, në përputhje me afatet e vendosura nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit dhe nuk i respekton afatet e përcaktuara pa arsye të justifikueshme.
- Vendimi për ndërprerje të anëtarësisë i komunikohet zyrtarisht, brenda 5 ditëve, personit dhe institucionit ku ka ushtruar profesionin si psikolog.
- Procedura e anëtarësimit dhe ndërprerjes së anëtarësisë përcaktohet në statutin e Urdhrit të Psikologut, i cili miratohet nga Këshilli Kombëtar.
KREU VI, BASHKËPUNIMI
Neni 12: Bashkёpunimi
- Urdhri i Psikologut, gjatë kryerjes së detyrave, mban lidhje të vazhdueshme me ministritë përgjegjëse për çështjet sociale, arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, punët e brendshme, mbrojtjen dhe institucionet e tyre vartëse, institucionet e pavarura dhe organizma të tjerë, të krijuar sipas legjislacionit në fuqi, publikë ose privatë.
- Urdhri i Psikologut informon çdo 6 muaj ministritë e përmendura në pikën 1, të këtij neni, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, lidhur me anëtarësimet e psikologëve, gjykimet disiplinore dhe ecurinë e tyre në të gjitha shkallët e gjykimit profesional.
- Inspektoratet në fushën e përgjegjësisë shtetërore të ministrive të përmendura në pikën 1, të këtij neni, bashkëpunojnë me Urdhrin e Psikologut gjatë ushtrimit të funksionit të tij.
- Ministritë e përmendura në pikën 1 të këtij neni bashkëpunojnë me Urdhrin për hartimin e projektakteve ligjore dhe nënligjore, si dhe dokumenteve të rëndësishme në fushën e shërbimeve psiko-sociale.
KREU VII, BUXHETI
Neni 13: Buxheti
- Urdhri i Psikologut ka buxhetin e tij, të cilin e miraton dhe e administron Këshilli Kombëtar, në përputhje me rregullat financiare në fuqi dhe me rregulloren e brendshme për veprimtarinë financiare të Urdhrit, të miratuar nga ky këshill.
- Burimet financiare të Urdhrit të Psikologut janë:
- a) kuotizacionet e anëtarëve, masa e të cilave përcaktohet me vendim të Këshillit Kombëtar dhe që janë të detyrueshme për çdo anëtar;
- b) tarifat e vendosura për aktet dhe dokumentet e lëshuara nga Urdhri i Psikologut me vendim të Këshillit Kombëtar;
- c) donacione të ndryshme dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
- Urdhri i Psikologut i përdor të ardhurat e realizuara për të përmbushur synimet dhe objektivat e tij, në përputhje me këtë ligj dhe statutin.
KREU VIII: ORGANIZIMI DHE DREJTIMI
Neni 14: Organet kryesore
Organet kryesore të Urdhrit janë: a) Asambleja Kombëtare; b) Këshilli Kombëtar; c) Presidenti i Urdhrit; ç) Komisioni Etik i Gjykimit Disiplinor Profesional.
Neni 15: Asambleja Kombëtare
- Asambleja Kombëtare është organi më i lartë drejtues i Urdhrit dhe përbëhet nga tërësia e anëtarëve të Urdhrit.
- Mbledhja e Asamblesë Kombëtare thirret nga:
- a) Presidenti i Urdhrit;
- b) kur kërkohet nga 1/3 e të gjithë anëtarëve të asamblesë.
- Asambleja Kombëtare ka këto funksione:
- a) zgjedh Këshillin Kombëtar dhe Presidentin e Urdhrit, me votim të fshehtë dhe me shumicë të
thjeshtë të të gjithë anëtarëve të saj;
- b) Miraton statutin e Urdhrit;
- c) miraton Kodin e Etikës dhe Deontologjisë;
ç) miraton rregulloren për gjykimin disiplinor profesional;
- d) miraton rregulloren për regjistrimin, anëtarë- simin dhe licencimin;
- dh) miraton rregulloren për organizimin e praktikës profesionale;
- e) shqyrton dhe miraton projektbuxhetin e Urdhrit, si dhe shqyrton buxhetin faktik të tij;
ë) analizon veprimtarinë vjetore të organeve të Urdhrit;
- f) shqyrton raportin e auditit të jashtëm, në intervale trevjeçare.
Neni 16: Këshilli Kombëtar
- Këshilli Kombëtar i Urdhrit është organi ekzekutiv i Urdhrit, i cili përbëhet nga 17 anëtarë. Anëtarë të Këshillit Kombëtar janë:
- a) Presidenti i Urdhrit;
- b) nga një përfaqësues i ministrive përgjegjëse për arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, mbrojtjen dhe çështjet sociale;
- c) tre pedagogë të psikologjisë, me grade shkencore Profesor, Prof. i Asociuar dhe Doktor Shkencash, që punojnë në institucione të arsimit të lartë, nga universitetet publike dhe private;
ç) shtatë psikologë qё punojnё nё shkolla, spitale, burgje, institucione komunitare, gjykatё, nё zyra apo agjenci private, institucione rezidenciale, si dhe institucione varësie;
- d) një anëtar nga Shoqatat e Psikologëve.
- Këshilli Kombëtar ka këto përgjegjësi:
- a) miraton strukturën e vet organizative;
- b) cakton kuotizacionin dhe tarifat;
- c) administron pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Urdhrit në nivel kombëtar;
ç) mbikëqyr të gjithë veprimtarinë e organeve që varen prej tij;
- d) harton statutin, rregulloret e Urdhrit, si dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë dhe ia propozon ato për miratim, Asamblesë Kombëtare;
- dh) mban dhe përditëson Regjistrin e Urdhrit të Psikologut;
- e) ngre grupe pune ad hoc për kryerjen e kontrolleve për ushtrimin e profesionit të psikologut;
ë) përgatit dhe publikon raportin vjetor dhe financiar.
- Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar bëhen çdo 4 vjet.
Neni 17: Kriteret për anëtarësim në Këshillin Kombëtar
- Anëtari i Këshillit Kombëtar duhet të plotësojë këto kritere:
- a) të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri;
- b) të jetë anëtar i Urdhrit të Psikologut;
- c) të këtë përvojë jo më pak se 5 vjet në ushtrimin e profesionit të psikologut;
ç) të mos ketë marrë masë disiplinore në 5 vitet e fundit dhe të mos ketë asnjë precedent penal.
- Anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë të drejtën e vetëm një rizgjedhjeje.
Neni 18: Presidenti i Urdhrit
- Presidenti i Urdhrit zgjidhet me votim të fshehtë nga Asambleja Kombëtare.
- Mandati i presidentit është 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
- Kandidaturat për president të Urdhrit të Psikologut duhet të përmbushin këto kritere:
- a) të jenë jo më shumë se në moshën e daljes në pension në momentin e zgjedhjes;
- b) të kenë jo më pak se 5 vjet eksperiencë në profesion;
- c) të kenë përvojë dhe të dhëna të besueshme për aftësi komunikimi, organizimi e drejtimi;
ç) të mos jenë marrë ndaj tyre masa disiplinore në 5 vitet e fundit;
- d) të kenë prestigj dhe reputacion etiko-moral e profesional;
- dh) të kenë kryer botime shkencore;
- e) të mos jenë të dënuar me vendim të forms së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
- Funksioni i presidentit të Urdhrit të Psikologut është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër administrativ, shtetëror apo politik.
- Presidenti i Urdhrit e përfundon mandatin e tij përpara kohe kur:
- a) merret vendim nga Asambleja Kombëtare, me shumicën e thjeshtë të të gjithë anëtarëve;
- b) jep dorëheqjen;
- c) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ç) humbet zotësinë e plotë për të vepruar;
- d) bëhet i paaftë, për arsye shëndetësore, për të kryer detyrat e tyre, vërtetuar nga komisioni
kompetent mjekësor.
- Procedura e zgjedhjes, detyrat dhe kompetencat e presidentit të Urdhrit të Psikologut
përcaktohen në statutin e Urdhrit.
Neni 19: Komisioni Etik i Gjykimit Disiplinor Profesional
- Pranë Këshillit Kombëtar funksionon Komisioni Etik i Gjykimit Disiplinor Profesional, si organizëm i gjykimit profesional. Ky komision përbëhet nga 5 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
- Komisioni shqyrton ankesat e bëra nga çdo person apo institucion në organet e Urdhrit, të cilat lidhen me ushtrimin e profesionit dhe përbëjnë shkelje të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë.
- Mënyra e ngritjes dhe funksionimit të Komisionit Etik të Gjykimit Disiplinor Profesional përcaktohet në statutin dhe në rregulloren e gjykimit profesional të Urdhrit.
Neni 20: Masat disiplinore
- Komisioni Etik i Gjykimit Disiplinor Profesional heton dhe gjykon në bazë të fakteve e provave të administruara dhe séances dëgjimore me anëtarin e Urdhrit, ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore. Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë ose ka bërë gabime teknike, ai jep këto masa:
- a) vërejtje me shkrim;
- b) vërejtje me paralajmërim;
- c) gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ç) propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione publike dhe private;
- d) pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Psikologut deri në 3 vjet;
- dh) përjashtim nga Urdhri i Psikologut për një periudhë deri në 3 vjet.
- Masat disiplinore, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, mund të shlyhen në qoftë se ndaj anëtarit nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore:
- a) brenda 1 viti nga data e dhënies së tyre, për shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni;
- b) brenda 3 vjetëve nga data e dhënies së tyre, për shkronjat “d” e “dh”, të pikës 1, të këtij neni.
- Të ardhurat nga gjobat e mbledhura, në zbatim të shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, kalojnë në Buxhetin e Shtetit.
Neni 21: Ankimi
- Ankesat kundër vendimeve për marrjen e masave disiplinore nga komisioni disiplinor I paraqiten Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut brenda 15 ditëve nga data e komunikimit me shkrim të vendimit.
- Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Psikologut, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së ankesës, e merr në shqyrtim ose ngre një komision ad hoc dhe jep vendimin për ankesën e paraqitur.
- Vendimi i Këshillit Kombëtar ankimohet në gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative, sipas legjislacionit në fuqi.
KREU IX: DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 22: Organizimi i zgjedhjeve të para
- Ministri përgjegjës për çështjet sociale, me urdhër, ngre një komision të përkohshëm, i cili organizon zgjedhjet e para të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut, brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
- Me zgjedhjen e Këshillit Kombëtar, komisioni i përkohshëm shkrihet automatikisht.
Neni 23: Dispozita kalimtare
- Personat, të cilët në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë përfunduar dy cikle studimi në psikologji, sipas shkronjës “b”, të nenit 6, të këtij ligji ose ekuivalentë me të, regjistrohen në Urdhrin e Psikologut.
- Personat, të cilët në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtrojnë profesionin e psikologut dhe kanë përfunduar dy cikle studimi në psikologji dhe që kanë përvojë 5-vjeçare, pa ndërprerje nga puna, në ushtrimin e profesionit të psikologut, regjistrohen në Urdhrin e Psikologut dhe duhet të kryejnë provimin e shtetit, brenda tre vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 24: Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 14.4.2016
Shpallur me dekretin nr. 9551, datë 3.5.2016, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani