Ndryshime rrënjësore në qeveri
Vetëm 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë një ndryshim rrënjësor në kabinetin që drejton prej 3 vjetësh. Ndryshimet pritet të zyrtarizohen gjatë këtyre ditëve, por mësohet se pjesa më e madhe e ministrave do të ndryshojë. Koordinatorët e partisë në qarqe, të cilët janë ngarkuar për të punuar me strukturat e partisë për zgjedhje mendohet se do të jenë pikërisht emrat që do të zëvendësohen.
Ndër ministrat që përfliten se do të largohen nga qeveria janë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, koordinator ne Tiranë, Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, koordinator në Vlorë, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla koordinatore në qarkun e Lezhës, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, koordinator në Dibër, Ministri për Mirëqenien Sociale Blendi Klosi, koordinator në Berat. Ende është e paqartë nëse lëvizjet do të prekin zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, i cili është koordinator në Korçë. Me këtë lëvizje, kryeministri Edi Rama synon të ndërtojë një qeveri më politike, duke emëruar ministra emra të njohur të Partisë Socialiste.
Burime bëjnë të ditur se ish-kryeministri Pandeli Majko, nënkryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe njeriu qe drejtoi reformën ne drejtësi Fatmir Xhafaj, do të jenë zgjedhja e kryeministrit për t’u bere pjese e kabinetit në këtë periudhë parazgjedhore. Përgjatë këtyre 3 viteve, qeveria Rama ka ndryshuar 5 herë, por ky është ndryshimi i parë rrënjësor qe lideri i mazhorancës bën në kabinetin qeverisës.