Kush janë beretat e zeza që po udhëheqin protestat anti-shqiptare në Maqedoni?
Persona të veshur në të zezë, me flamujt të zi në duar ku dallohen qartësisht kafka dhe me bereta të zeza në kokë çdo natë po udhëheqin protestat antishqiptare të organizuara në mbarë Maqedoninë kundër platformës së partive shqiptare. Agjencia e lajmeve INA informon se këta individë, që nga paraqitja iu ngjasojnë forcave paramilitare në shumë raste i prijnë protestave në qytetet e Maqedonisë ndërkohë që në Shkup ata janë shfaqur vetëm një natë në selinë e VMRO-DPMNE.
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë deri tani nuk ka folur për këta persona që paraqiten në grup dhe që i prijnë protestave por agjencitë e lajmeve shqip në Maqedoni paralajmërojnë se këta individë përfaqësojnë grupimet më ekstremiste anti-shqiptare në Maqedoni, të cilat sipas INA-s mund të realizojnë deri edhe skenarë ogurzinj me sfond etnik.
Dhe këtë e dëshmon fakti se në të gjitha daljet e tyre publike, grupimi i beretave të zeza nuk nguron të pozojë me tre gishtat lart. “Tre gishtat serbë” konsiderohen një provokim nga shqiptarët, boshnjakë dhe kroatët, pasi simboli ka qenë gjerësisht i përdorur nga çetnikët që kryen masakrat në këto vende e kryesisht në Srebrenicë e Kosovë. Ndërsa edhe në Kroaci shumë civilëve serbë, gjatë luftës iu prenë tre gishtat. Në vitet e fundit ky simbol ka marrë ngjyrime të forta nacionaliste, pasi u përdor në masë nga forcat paramilitare serbe në luftë. Përshëndetja shkon përtej besimit fetar dhe është e njohur shprehja serbe se “Nuk ka kryq pa tre gishtat” (Nema krsta bez tri prsta), raporton “BalkanWeb”. Simbolika serbe me tre gishta u rikthye në përdorim masiv në prag të luftërave të Jugosllavisë në 1988. Atëherë serbët nisën ta përdorin si një simbol kundër shqiptarëve, kroatëve dhe sllovenëve.