Agonia dhe vdekja e diktatorit Enver Hoxha
32 vjet më parë, diktatori i Shqipërisë, që për 40 vjet kishte masakruar një popull të tërë, vdiq. Ja si i erdhi vdekja njeriut më të fuqishëm të kohës, sipas kujtimeve të Sulo Gradecit, bashkëshortes e mjekëve, të botuara vite më vonë:
Mëngjesin e 9 Prillit 1985, Sokol Hoxha, djali i Enver Hoxhës ndodhej në shtëpinë e pushimit në Vlorë, kur një oficer i sigurimit e lajmëroi se Enver Hoxha ishte rëndë dhe ai duhej të kthehej urgjentisht në Tiranë. I ati kishte rënë në vdekje klinike që atë mëngjes, rreth orës 9.00, ndërsa një infermier po e lante, siç dëshmon gruaja e tij, Nexhmije Hoxha: “...kur po ndiqja veprimet e infermierit dhe po prisja të mbaronte, për një sekondë, Enveri u drodh dhe ju var koka mbi gjoks… pashë e tmerruar infermierin që duke e shtrirë me nxitim më tha: shpejt, shpejt mjekët…” Ekipi i mjekëve nuk mund të bënte asgjë, sepse kishte ardhur fundi për njeriun që kishte sunduar Shqipërinë për katër dekada. Agonia e tij zgjati dy ditë. Ai nuk u zgjua më kurrë. Enver Hoxha ndërroi jetë në ora 2 e 10 minuta duke gdhirë mëngjesi i 11 Prillit 1985. Byroja politike kish pritur gjithë natën në ambientet e shtëpisë, gjysmë e përgjumur dhe tepër e shqetësuar. Askush nuk e dinte çdo të ndodhte më pas.
Mjekët, Ylli Popa dhe Petrit Gaçe ishin në dhomën e tij kur ai ndërroi jetë. I takoi Gaçes që t’i jepte lajmin pasardhësit, Ramiz Alisë, i cili ato momente qëndronte në dhomën ngjitur me Ministrin e brendshëm, Hekuran Isai. “Shkuam atje dhe ato prisnin pas derës edhe na pyetën hë si është… I thotë Petriti që shoku Enver mbaroi. Atëherë ky anëtari i byrosë i thotë Ramizit, “Të na rrojë Partia!”. Në një interval disa sekondash i thotë. Të rroni ju shoku Ramiz”.
Trupi i E. Hoxhës u dërgua që atë mbrëmje në selinë e Presidencës. Njoftimi për vdekjen e tij u dha vetëm të nesërmen paradite. Po atë mëngjes, në ora 07.00, Kryeministri Adil Çarçani informoi Byronë Politike.
Vdekja e Hoxhës u konsiderua një fatkeqësi kombëtare në Shqipëri. Radhët e gjata të atyre që qenë të detyruar të bënin homazhe dhe vajtimet histerike, të kujtonin vdekjen e Mao Ce Dunit, 9 vjet më parë.
Në 20 shkurt 1991 qytetarët e Tiranës rrëzuan edhe shtatoren e fundit të tij, si triumfi i plotë mbi diktatorin. Më 3 maj 1992, u bë zhvarrosja e trupit të tij nga Varrezat e kombit dhe që prej vitit 1992, Enver Hoxha prehet në varrezat komunale të Tiranës.