Albspirit

Media/News/Publishing

Ukrainasja Elena Lushaku mahnit me aksesorët e punuar me dorë

Elena Lushaku e cila është nga Ukraina por e martuar në Kosovë, realizon në mënyrë tejet artistike aksesorë të ndryshëm të cilët po pëlqehen shumë, shkruan KultPlus.

Jeta Zymberi

Puna e dorës është diçka e veçantë dhe tejet e vlerësuar. Ndoshta jo lehtë për ta punuar, ajo vjen unike dhe tejet tërheqëse. Andaj, dita ditës interesimi për punën e dorës po vazhdon të rritet dhe vlerësimet për të edhe më shumë.

Elena Lushaku, është një artistë në realizimin e aksesorëve të ndryshëm. Ajo vjen nga Ukraina por ka vite që është martuar në Kosovë dhe artin e saj e ushtron tash e 4 vite.

“Unë jam nga Ukraina por e martuar me shqiptarë. Në Ukrainë këtë punë e bëjnë më shumë, mua më ka pëlqyer gjithmonë dhe para katër viteve kam filluar ta ushtroj këtë punë pasi që edhe e kam kryer fakultetin e dizajnit në Ukrainë dhe art school”, ka treguar Elena për KultPlus.


Në mesin e aksesorëve që ajo bënë, ne mund të shohim qaforë të mrekullueshme, vath dhe kurora poashtu, por nuk mungojnë edhe modele të tjera, gjithmonë duke u varë edhe nga kërkesa e konsumatorëve.

“Modelet që kërkohen më shumë janë qafore vath, andaj edhe nga këto dy lloje bëjë më shumë. Punojë me materialin eng. Polymer clay është si lloje plasteline të cilën e pjeku në furrë për tu forcuar. Unë kam zgjedhur materialin gjerman sepse është edhe më kualitativ”, ka treguar Elena rreth materialeve që ajo përdorë për të arritur deri te rezultati i dëshiruar.

Ndërsa sa i përket vështirësisë në këtë punë, për Elenën kjo punë është kënaqësi dhe vështirësitë janë më të rralla.

“Gjithmonë varet prej modeleve disa janë më të lehta disa janë më të vështira e sidomos ato me lule të cilat duhet të punohen me gisht secila fletë”, tregon tutje ajo.

Përderisa puna e saj është me të vërtetë e mrekullueshme, edhe interesimi për të nuk mungon. Pasi që sipas Elenës këto punime janë unike dhe se nuk ka edhe dikush tjetër që punon me këtë lloj materiali.

E në të ardhmen Elena nuk e përjashton edhe mundësinë e hapjes së ndonjë ekspozite, ku do të mund te prezantonte artin e saj në mënyrë më të gjerë. /KultPlus.com

Please follow and like us: