Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan, një hap larg shpalljes “Sulltan”

Turqit janë duke votuar në referendum, që do të vendosë nëse vendi do të ndryshojë Kushtetutën për të krijuar sistemin presidencial – një lëvizje kjo që mund t’i jap presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan fuqi të reja dhe ta lejojë atë të qëndrojë në pushtet edhe për më shumë se 10 vjet të tjera.

E ardhmja e marrëdhënieve tashmë të tensionuara në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë janë në rrezik dhe analistët parashikojnë se një fitore për Erdoganin mund të çojë në një ndërprerje të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit.

Turqit do të votojnë për 18 amendamente kushtetuese. Vota me “po” ose “jo” për këto ndryshime kushtetuese mund që të dobësojë Parlamentin e Turqisë, të eleminojë postin e kryeministrit, dhe t’i jap presidentit më shumë kontroll mbi gjyqësorin.

Për të kaluar këto ndryshime kushtetuese duhet vetëm një shumicë e thjeshtë.

Sondazhet e publikuara, vetëm disa ditë para referendumit, kanë sugjeruar se shumica e turqve do të votojnë në favor të amendamenteve – që mund të çojë në ndryshimet më të mëdha të sistemit qeverisës në Turqi, që prej themelimit të republikës moderne më 1923.

Erdogan, në ditën e fundit të fushatës për referendum, ka thënë në një tubim në Stamboll se vota “Po” do të “përfundonte punën e nisur më 15 korrik”, një referencë kjo për grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar.

Udhëheqësia e partisë opozita Partia e Lëvizjes Kombëtare, gjithashtu ka bërë thirrje për votën “Po”, pasi kanë arritur një marrëveshje, me partinë e Erdoganit, AKP.

Ndërkaq, partia e dytë turke, Partia Popullore Republikane, ka bërë fushatë kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat, nëse miratohen, do të hyjnë në fuqi më 2019. Ligjvënësja e kësaj partia, Silina Dogan ka thënë se natyra autoritare e amendamenteve do t’i jepte fund shpresave të Turqisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Grupi opozitar pro-kurd, Partia Popullore Demokratike, gjithashtu ka kundërshtuar amendamentet, duke thënë se ato janë jodemokratike dhe do të shkelnin parimet e pavarësisë së gjyqësorit.

Kritikët në Turqi kanë shkuar edhe më larg, duke thënë se sistemi i ri qeverisës do të ishte një llojë “diktature të zgjedhur”, pa asnjë ndarje të pushtetit, duke bërë që Parlamenti të mos ketë asnjë pushtet legjislativ dhe do të bënte që presidenti të mos mund të mbahet përgjegjës për shkeljet eventuale.

Kritikët në perëndim gjithashtu kanë thënë se amendamentet do t’i japin shumë fuqi presidentit.

Rreth 55 milionë njerëz kanë të drejtë vote në këtë referendum për ndryshime kushtetuese. Ata mund të votojnë në 167 mijë qendra të votimit në mbarë vendin./REL/

Please follow and like us: