Mediat greke: Dy biznesmenë dhe avokati i njohur grek në bandën e trafikantëve shqiptarë
Pak ditë më parë një operacion i gjerë antidrogë u zhvillua në ujërat e detit Jon, duke përfshirë angazhimin e 3 shteteve, mes tyre Italisë dhe Greqisë, për të kapur një sasi të madhe droge e cila u hodh në det nga trafikantët. Trafik droge midis Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, me qëllim shitjen e saj më pas në Evropë. Në total katër grekë dhe pesë shqiptarë janë arrestuar, sipas “Protothema”. Media greke shkruan sot se mes të arrestuarve janë edhe një avokat nga Pireu, madje edhe dy vëllezër, sipërmarrës të njohur e pasardhës të familjeve të pasura të Athinës. Ata bashkë me shqiptarët janë në mesin e nëntë të akuzuarve për rastin e trafikut të 1.5 tonëve kanabis zbuluar në Itali, shkruan “Panorama”.
Autoritetet gjyqësore janë duke vazhduar hetimet dhe ndoshta do të angazhohet edhe krimi financiar, për të identifikuar “shtigjet” e parave të “pista”, shkruan “Panorama”. Për më tepër, ndër të tjera do të shqyrtohet dhe mundësia e këtij qarku nëse është e lidhur me një celulë xhihadiste, e cila u shpërbë në mars. Dhe në këtë rast udhëheqës ishte një shqiptar, i cili ia arriti që deri në 2 mars 2017 të shmangte arrestimin. Ky person, si dy bashkatdhetarët “truri” i bandës së trafikut është prej vitesh nën vëzhgimin e autoriteteve për trafik droge, por gjithmonë ka arritur të “shmangej”.