Albspirit

Media/News/Publishing

Dopio Higuain, Juventus shumë afër finales së Champions League

Juventus-Real Madrid është me shumë mundësi finalja e Champions League e këtij edicioni, kur ende nuk janë luajtur ndeshjet e kthimit gjysmëfinale. Por duke parë fitoret e dy skuadrave pretendente, vështirë se mund të ndodhë mrekullia në ndeshjet e kthimit. Real fitoi 3-0 një natë më parë, ndërsa sonte ishte radha e Juventusit të regjistronte një fitore të pastër me Monaco në transfertë me rezultatin 0-2, me dy gola të Higuain, nga një në secilën pjesë.

Ndeshja ka nisur e qetë, me skuadrat që kanë studiuar më shumë njëra-tjetrën. Juventus më i organizuar përpara, por Monaco në dy raste të vetme ka qenë shumë e rrezikshme me Mbappe. Vetëm Buffon mund të ndalonte djaloshin 18-vjeçar. Në minutën e 29-të të ndeshjes, Higuain, që deri në ato momente ishte më i dobëti, përfiton nga pasimi me thembër të Dani Alves dhe i lirë në zonë shënon golin e avantazhit. Ky gol zgjon vendasit, por pjesa e parë mbyllet me kaq, me tifozët juventinë në festë.

Me të filluar pjesa e dytë, francezët kanë mundësinë më të mirë të barazonin, kur Falcao i vetëm përballë Buffon nuk arrin të shënojë. Edhe njëherë portieri italian tregohet madhështor me pritjen e tij. Po nuk shënove, e pëson. Ligji i pashkruar i futbollit funksionoi sërish. Higuain, në prekjen e parë për pjesën e dytë, realizoi golin e dytë personal dhe të dytin për Juventusin. 0-2 dhe bardhezinjtë kujdesen më shumë të mos pësojnë sesa për të shënuar. Dhe ia del mbanë, duke fituar pastër ndeshjen e parë.

Please follow and like us: