Albspirit

Media/News/Publishing

Pse media në Shqipëri nuk është e lirë?

Sot me 3 maj shënohet Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias.  “Freedom House”  para disa ditësh ka publikuar një raport mbi lirinë e shtypit në rang botëror, ku Shqipëria renditej e 103-ta midis vendeve të tjera me media pjesërisht të lira.

Profesorë të Fakultetit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës kanë pohuar për Zërin e Amerikës se vlerësimi i Freedom House është i saktë dhe gjetjet e raportit dalin edhe nga studimet e tyre të kryera nga fakulteti.

Tek ne ka një zhvendosje të statuseve: pronari shpesh herë bën kryeredaktorin, kryeredaktori bën censorin, gazetari zëvendësohet nga spikeri ose nga analisti, analisti zëvendësohet nga propagandisti, propagandisti merr urdhër nga politikani. Media shqiptare, një media gjysmë e lirë, është e tillë prej politikës dhe presioneve të saj” – u shpreh  prof. dr. Artan Fuga, pedagog i gazetarisë në UT.

Ndërkaq, sipas pedagogut të gazetarisë, Ervin Goci, media shqiptare  ka nevojë të bëjë një hop cilësor, sepse ka ngelur në një model të prapambetur.

Mediat janë problematike, sepse modeli i tyre bazohet te media gjeneraliste private, e cila bazohet kryesisht mbi reklamën. Këto janë kryesisht reklama publike që vijnë nga fondet e administratës publike, nga allishverishet dhe lidhjet e shkurtëra që bota e medias ka me botën e politikës. Ky është një model, i cili në botën e zhvilluar praktikisht ka vdekur. Problemi është se ne e mbajmë gjallë këtë model me dhëmbë” – tha Goci për VOA.

Sipas dy studiuesve të medias, një problem tjetër i medias shqipatre  është shkëputja nga audienca e saj ku një nga pikat kryesore problematike mbetet pronësia e medias.

Media nuk financohet nga audiencat, në radhë të parë dhe nuk ka lidhje me audiencat për të mbijetuar. Duke mos patur këtë lidhje me audiencat, media i merr këto financime nga tenderat, ose nga reklamat, të cilat janë zvogëluar dhe nuk mjaftojnë për ta mbajtur, ose burime të tjera që vijnë nga njoftime zyrtare, ose nga burime joligjore” – u shpreh  Artan Fuga.

Sipas pedagogut Ervin Goci, modeli i biznesit të medias që prodhonte gazetarin që e konsideronte shpëtimtar të disa problemeve të shoqërisë ka marrë fund.

Vazhdohet akoma me mitin e gazetarit të pas-90-ës; një gazetar i cili vjen me idenë e të qenit shpëtimtar nga një pushtet i katërt, që do të korrigjojë gjithë problemet politike, sociale etj. Ky mit ka mbaruar, sepse vetë qëllimet e atij gazetari janë braktisur, dhe mbi të gjitha sepse modeli i biznesit dhe mënyra se si e prodhonte atë gazetari ka marrë fund dhe ne kemi të paktën 3 studime si departament, ku del se ka marrë fund” – shprehet  Goci.

 

Please follow and like us: