Pasuria e “Kaubojsit”, mbi 2 mln euro vila dhe apartamente
Deputeti Eduart Ndocaj, i njohur ndryshe edhe si ‘Kaubojsi’, vijon të mbetet një nga ligjvënësit më të pasur të Parlamentit Shqiptar. Në deklaratën e pasurisë për vitin 2016, kreu i partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar, Eduart Ndocaj, deklaron pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe në Itali me vlerë mbi 2 milionë euro.
Nuk bëhet fjalë për pasuri të shtuar në vitin 2016, por e deklaruar që nga viti 2015 si dhe e akumuluar për disa vite me radhë. Gjithsesi, në deklaratën e dorëzuar pranë ILDKP, për vitin që lamë pas, Ndocaj thotë se posedon 14 apartamente në Shëngjin, me sipërfaqe 725 m2 si dhe dy bodrume me sipërfaqe 234 m2, me vlerë 32 580 220 lekë.
Deputeti thotë se ka edhe një shtëpi private në Shëndëlli të Sarandës, me sipërfaqe 600 m2, plus 1200 m2 truall, me vlerë 100 mijë euro. Ndocaj deklaron gjithashtu dy dyqane në Lezhë me sipërfaqe 259 m2, me vlerë 11 360 000 lekë dhe apartament në Lezhë me sipërfaqe 69 m2, me vlerë 2 000 000 lekë.
Deputeti Eduart Ndocaj ka lidhur edhe disa kontrata me komani ndërtimi për pasuri të paluajtshme në Tiranë. Referuar deklaratës së pasurisë, Ndocaj deklaron se ka lidhur një kontratë për ndërtim apartamenti tek Fresku në Tiranë, me 420 euro / m2, kontratë për ndërtim bodrumi tek Fresku në Tiranë, 666 m2, për 300 euro / m2 si dhe një tjetër kontratë për ndërtim apartament tek Misto Mane në Tiranë, 94 m2, për 380 euro / m2. Vlera e tre kontratave arrin 496 mijë euro.
Deputeti ka në pronësi një truall në Shëngjin, me sipërfaqe 1 200 m2, me vlerë 2 000 000 lekë dhe një dyqan në Lezhë, me sipërfaqe 57 m2, me vlerës 2 280 000 lekë. Pasuritë e deputetit nuk mbarojnë me kaq. ‘Kaubojsi’ ka trashëguar 16 mijë m2 tokë, deklaron një apartament me sipërfaqe 480 m2, në Solaro në Itali si dhe një tjetër apartament me sipërfaqe 100 m2 dhe truall 2 000 m2, në Bergamo në Itali. Vlera e dy apartamenteve është 650 mijë euro.
Po ashtu, ‘Kaubojsi’ deklaron apartament në Solaro në Milano, me sipërfaqe 180 m2, me dy garazhe për makinash, me vlerë 300 000 mijë euro. Deputeti ka marrë tre kredi në shumat 325 mijë euro, 185 mijë euro dhe 435 mijë euro.
Eduart Ndocaj, kreu i partisë Bashkimi Demokristian Shqiptar
14 apartamente në Shëngjin, me sipërfaqe 725 m2, dy bodrume me sipërfaqe 234 m2, me vlerë 32 580 220 lekë.
Shtëpi private në Shëndëlli të Sarandës, 600 m2 ndërtesë, plus 1200 m2 truall, 100 mijë euro.
Dy dyqane në Lezhë me sipërfaqe 259 m2, me vlerë 11 360 000 lekë.
Apartament në Lezhë me sipërfaqe 69 m2, me vlerë 2 000 000 lekë.
Kontratë për ndërtim apartamenti tek Fresku në Tiranë, 420 euro / m2.
Kontratë për ndërtim bodrumi tek Fresku në Tiranë, 666 m2, për 300 euro / m2.
Kontratë për ndërtim apartament tek Misto Mane në Tiranë, 94 m2, për 380 euro / m2, gjithsej 496 160 euro.
Truall në Shëngjin, 1 200 m2, 2 000 000 lekë.
Dyqan në Lezhë, 57 m2, 2 280 000 lekë.
Tokë e trashëguar, 16 mijë m2.
Apartament 480 m2, në Solaro në Itali, 650 mijë euro.
Apartament 100 m2 dhe truall 2 000 m2, në Bergamo në Itali.
Apartament në Solaro në Milano, me sipërfaqe 180 m2, me dy garazhe për makinash, me vlerë 300 000 mijë euro.
Rroga si deputet, 122 901 lekë, 34 035 lekë karburant, 17 000 lekë telefon, 13 600 lekë komisione parlamentare.
Kredi në një bankë në Lezhë, 325 mijë euro.
Kredi në Itali, 185 mijë euro, detyrimi i mbetur 130 mijë euro.
Kredi në Milano, 435 mijë euro, detyrimi i mbetur 300 mijë euro.
Bashkëshortja, dy dyqane në Lezhës me sipërfaqe 259 m2, 10 360 000 lekë.
Apartament në Lezhë, me sipërfaqe 69 m2, me vlerë 2 000 000 lekë.
Ligji i ri, ja funksionarët që duhet të deklarojnë pasurinë
a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;
b) Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i
Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Larte të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit;
c) Zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të pushtetit vendor;
ç) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, dhe kryetarët e bashkive;
d) Drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
dh) Prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve;
e) Drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore;
ë) Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficeret e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit;
f) Drejtori i përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, atë të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;
g) Drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë;
gj) Zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;
h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj.
i) Drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku;
j) Administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë.
-Kategoritë që nuk do deklarojnë pasurinë
Zyrtarët e nivelit të lartë të pushtetit vendor
Zyrtarët e nivelit të mesëm drejtues ë pushtetit vendor
Nënprefektët
Krerët e njësive bashkiake
Administratorët vendorë
Shefat e komisariateve të policisë
Shefat e sektorëve të policisë në qendër, rrethe dhe rajone.
Zyrtari i administratës doganore
Zyrtari i administratës tatimore