Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA i shet 100 miliardë dollarë armë Arabisë Saudite

Shtetet e Bashkuara janë pranë mbylljes së një seri marrëveshjesh për shitjen e armëve me vlerë 100 miliardë dollarë Arabisë Saudite. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, një javë para vizitës që presidenti Donald Trump ka planifikuar për në Riad.

Zyrtari, i cili ka folur për agjencinë “Reuters” në kushte anonimati, tha se marrëveshja mund të kalojë vlerën e 300 miliardëve brenda 10 vjetëve, për të ndihmuar Arabinë Saudite të nxisë kapacitetet e saj mbrojtëse.

“Jemi në fazat finale të një seri marrëveshjesh”, tha zyrtari i lartë.

Paketa po hartohet në përputhje me vizitën e Trump në Arabinë Saudite, më 19 maj, që do të jetë dhe ndalesa e tij e parë në një tur ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor i ushtrisë saudite me armë, që variojnë që nga avionët luftarakë “F-15” deri tek sistemet e komandës dhe kontrollit, me vlerë dhjetëra miliardë dollarë në vitet e fundit.

Paketa e fundit e marrëveshjeve përfshin armë amerikane, sisteme mirëmbajtjeje, anije, raketa për mbrojtjen ajrore dhe mjete për sigurinë detare.

“Kjo është pozitive për ekonominë amerikane, por edhe për ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme që Arabia Saudite të përballet me kërcënimet që ekzistojnë në rajon”, ka thënë zyrtari.

Ndërkohë, në Riad, presidenti Trump do të marrë pjesë në tre evente madhore: një takim me zyrtarët sauditë, një sesion më vete me liderët e 6 vendeve që bëjnë pjesë në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, si dhe një drekë me liderët myslimanë dhe arabë, 56 nga të cilët janë ftuar për të diskutuar luftimin e ekstremizmit dhe bllokimin e financimeve të terrorizmit.

Please follow and like us: