Vjen numri i parë për këtë vit i revistës ‘Jeta e re’
Doli numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re” me një vëllim prej 400 faqesh, përcjellë KultPlus.
Numri i ri i revistës letrare “Jeta e Re”, fillon me shkrimtarin e ndjerë Ramiz Kelmendi, i cili vdiq më 11 janar 2017 në Prishtinë. Në shenjë kujtimi e nderimi, ky autor, në një hapësirë prej 50 faqesh, është prezantuar me shkrimet “Origjina ime etnohistorike”, “Treshet e mia”, me tregimet “Abrakadabra” dhe “Tregim fantastik”, me shkrimin diskursiv “Aspekte të shprehjes komike në art”, pastaj me intervistën me titullin “Atdheu më ka lënduar”, për të përfunduar me tekstin e kritikut Ali Aliut “Tri etapa krijuese të një prozatori”.
Rubrika e prozës nis me “Me ditët e braktisjes” të autores italiane tashmë shumë të njohur, Elena Ferrante. Isabell Alende vjen me tregimet “Më e harruara e harresës” dhe “Toska”, Musine Kokalari me “Kolla e vdekjes”, Eqrem Basha me “Baladë dashurie” dhe Majlinda Bregasi me “Te guri i Bdekut”.
Rubrika e poezisë sjell një numër autorësh të huaj të shquar, si Li Po, Juan Gelman, Pier Poalo Pasolini, Linda Hogan dhe Janis Ricos. Me nga një cikël poezish janë prezantuar autorët tanë: Alket Çani, Halil Matoshi, Erenestina Gjergji-Halili, Bardh Frangu, Petrit Ruka dhe Ardiana Salihu.
Elena Ferante sjell intervistën me titullin “Letërsia që u përshtatet shijeve të lexuesve është letërsi e degraduar”, në të cilën ajo sjell gjëra interesante nga përvoja dhe procesi krijues i saj.
Ndërkaq në rubrikën Dossier për këtë numër është përzgjedhur Etgar Keret, shkrimtar i njohur izraelit, tashmë i përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës.
Keret është prezantuar me shkrimin “Si shkruaj”, me tregimet “Taksisti”, “Vendlindja imagjinare”, ”Deri në fund të dunjasë”, “Ngjitësi i çmendur”, “Shiva” dhe “Papritur, dera trokiti”, me intervistën me titullin “Nëse vërtet mund ta kuptosh se çfarë po ndodh, në njëfarë mënyre, duhet të ndihesh i dëshpëruar”, për të përfunduar me një vështrim të Rebecca Abrams-it për pozën e Keret-it.
Rubrika e kritikës nis me tekstin “Narracioni në poezi dhe dramë” të autorëve Peter Huhn dhe Rog Somner dhe vazhdon me “Koha dhe narracioni” të Paul Ricouer-it, “Praktika poetike” të Charles Bernstein-it, “Rrëfimi” të E.M. Froster-it dhe “Mashtrues në një kostum dritash” të Michael Chabon-it”.
Nga autorët tanë do të jetë Kujtim Rrahmani, i cili është prezantuar me tekstin “Musine Kokalari-Vetëm një fustan”, Vehbi Miftari me “Etnoletra”, Aleksandër Zoto me “ Eqrem Basha ose lavdia e të rëndomtëve”, Alma Dema me “Mbledhësit e përrallës shqipe nga Dozon te Elsie” dhe Mimoza Hasani me “Komunikimi i letërsisë dhe i gjuhës shqipe ma atë bullgare”.
Përkthyesit që kontribuuan për këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alfred Beka, Alket Çani, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Ismail Ismaili, Sazan Kryeziu, Kujtim Morina, Meliza Krasniqi, Romina Mio, Rrahime Gashi dhe Demë Topalli.