Ermal Mulosmani: Arbana nuk u rrah mbrëmë!
Arbana Xharra është një gazetare e mirënjohur në Prishtinë e tërë Kosovën. Deri para fare pak kohësh ka qenë Kryeredaktore e “Zërit”, njërës prej gazetave kryesore, tradicionale, atje.
Vetëm para 3-4 ditësh iu bashkua me vullnetin e saj të lirë ose e kushtëzuar nga rrethana të caktuara me Partinë e Hashim Thaçit. Kundër kësaj partie e veçanërisht kundër krimeve të ish Komandantëve të UÇK -së, ajo ka shkruar në mënyrë të vazhdueshme, për një kohë të gjatë, me kurajo të jashtëzakonshme. Përveç kësaj Arbana ka shkruar edhe kundër fondamentalizmit islamik dhe rrezikut të tij për Kosovën.
Unë e njoh posaçërisht për këto dy tema.
Është padiskutim një emër i përveçëm në opinionin publik të Prishtinës.
Kur Arbana zgjodhi të dilte përkrah Kadri Veselit, publikisht, mori pas vetes mallkimin publik të të gjithë krahëve politikë. E mallkoi LDK -ja, VV-ja, por e mallkuan edhe ish komandantët e PDK së që ishin sulmuar ndër vite me kurajo nga Arbana.
Facebook u përdor për të derdhur gjithë diarenë, frustrimin, dëshpërimin, urrejtjen, cinizmin dhe të keqen që ndodhet brenda tyre!
Ndaj një nëne!
Them para së gjithash para një nëne pasi gjatë atyre ditëve e vura veten në vend të fëmijëve të saj minorenë! Çfarë vuajtje përjetuan ata dy ëngjëj pse nëna e tyre zgjodhi të aderojë në politikë. Lotët e tyre nuk shpaguhen me asgjë. Nuk po merrem me vuajtjet e saj të tmerrshme prej femre, që, gjithsesi janë të pamerituara! As ato të bashkëshortit të saj që ia mirëkuptoj marazin e vuajtjen!
Por fëmijët…Ah, fëmijët…Ata ëngjëj të tmerruar nga lukunia e ujqve facebook -as ndoshta s’do ta harrojnë kurrë këtë tmerr!
Arbana u rrah gjatë atyre ditëve, jo mbrëmë!
Fëmijtë e saj përjetuan më të keqen para një jave jo mbrëmë. Ndoshta mbrëmë u ndien pak më mirë…Kur dhimbja bëhet trupore shpirti lehtësohet!
Arbanën mund ta kenë rrahur ish ShIK-u
Arbanën mund ta kenë rrahur nga PDK-ja.
Arbanën mund ta kenë rrahur ‘flliqanat me mjekër” -siç thotë Ramushi.
Arbanën mund ta kenë rrahur pasues të atyre që udhëhiqen linçimin publik të saj në FB.
I rreshtova mundësitë sipas gjykimit tim, nga ajo që besoj më pak tek ajo më e mundshmja.
Por, rrahjen e saj më të madhe ia bëri fushata denigruese dhe shkatërruese e “kalorëseve të Facebook-ut”. Nëse kanë ndërgjegje ata sot nuk duhet të shkruajnë më shumë sesa “Ndjesë”!
Dy fëmijët e Arbanës, sot, do doja t’i përqafoja. Nëna e tyre nuk ka bërë asnjë krim.