Albspirit

Media/News/Publishing

Gjuha e rrezikshme politike po prodhon akte terroriste

Mentor Shala*

Gjuha e rrezikshme politike, me tone kërcënuese, linçuese dhe shpesheherë thirrje për likuidim fizik kundër mendimit të pavarur dhe kundër të gjithë atyre që mendojnë ndryshe që ka filluar të përdoret tash e dy vjet në Kosovë ka filluar të tregojë rezultatet e veta.

Klima e krijuar nga kjo gjuhë politike po prodhon akte terroriste (bombat në RTK dhe shtëpinë e DGJ), sulme fizike brutale (sulmi ndaj Arbana Xharrës) dhe e fundit sigurisht që do të prodhojë edhe viktima.

Fatkeqësisht, e vetquajtura shoqni civile në Kosovë, po i kontribon klimës së tillë të krijuar nga subjekte të caktuara politike, duke sulmuar e gozhduar secilin person që merr një iniciativë, qoftë ajo edhe politike për të mirën e vendit.

Aktivistë të kësaj ‘shoqnie civile’ por edhe të disa mediave ‘të pavarura’ por me orientime të qarta politike, për disa ditë rresht, 24 orë në ditë, e gozhduan Arbana Xharrën për aderimin e saj në politikë.

Jam shumë i sigurtë që nëse Arbana do të kishte aderuar në partinë e ‘shoqnisë civile’ (as emrin s’muj me ia permend se gërdia më qohet) që do të aplaudohej nga kjo ‘shoqni civile’. Prandaj jeni ju që e sulmuat, linçuat, bëtë thirrje për likuidim fizik të saj që krijuat klimën për ta sulmuar dikush Arbanën.

Edhe në filozofinë tonë të vjetër por edhe në drejtësi: Nxitësi dhe kryesi i veprës dënohen njëjtë! Prandaj jeni bashkëfajtor për sulmin ndaj saj!

Arbana ka guxim, profesionalizëm dhe ka mbështetje, prandaj edhe do të ketë sukses!

P.S. Moszbardhja nga prokuroria e rasteve të ma herëshme të sulmeve terroriste ndaj objektit të RTK dhe shtëpisë së Drejtorit Gjeneral të RTK vetëm sa i ka inkurajuar grupet e rrezikshme në shoqni që t’i intensifikojnë veprimet e tyre kriminale e terroriste, si ky i fundit ndaj Arbanës. Ta shohim sa do të zgjas nga prokuroria zbulimi i akterëve të këtij sulmi qyqar. Dhashtë zoti qëllon ndonjë prokurorë i guximshëm e profesional! Jam i sigurtë që policia do t’i gjej akterët!

*Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së (Radio Televizioni i Kosovës)

Please follow and like us: