Rama tregon si do jetë politika pa opozitën: Do ketë më pak zhurmë e sherre
Në 18 Qershor, kryeministri Edi Rama ftoi edhe demokratët të votojnë, jo për PD që nuk do të jetë në këto zgjedhje, por për partitë e tjera. Në monologun e përjavshëm në Facebook për ndjekësit e tij, Rama përshkroi si do të jetë Shqipëria pa opozitën. Sipas tij, shqiptarët do të jetojnë në një shtet dinjitoz, ndërsa politika do të ketë më pak zhurmë e sherre. Rama e përshkroi këtë lloj politike si diçka të mirë. Pas 18 Qershorit vendi hyn në atë që Rama e quan Cikli i Ri.
“Shqipëria që kemi do hyjë në një cikël të ri, politik, ekonomik dhe social dhe shqiptarëve do t’u hapen shtigje e rrugë të reja për të bërë ekonomi, për të krijuar mirëqënie e për të jetuar në një shtet dinjitoz këtu, në atdheun e tyre. Vetë politika do të ndryshojë, do të adaptohet me kushtet e reja të ciklit të ri, do të marrë një trajtë dhe përmbajte të re. Duke folur besoj më pak për vete e më shumë për njerëzit. Duke bërë më pak zhurmë e sherr kacafytës brenda vetes e duke bërë më shumë punë e të mira për Shqipërinë që duam”.
Edi Rama nuk e përmendi protestën e opozitës në 13 Maj. Nuk përmendi as vizitën e zyrtarit të lartë amerikan që vjen në Tiranë javës tjetër për krizën politike. Kryeministri foli për flamurin kuqezi, përmendi Ismail Qemalin dhe Skënderbeun, ndërsa paralajmëroi se në votimin e parë të parlamentit të ri do të zhbllokohet vetingu.
“Parlamenti i ri, pa PD menjëherë pas formimit të qeverisë së re, do të zhbllokojë vetingun në votimin e tij të parë të legjislaturës së ardhshme” u shpreh kryeministri, që përveç të tjerave premtoi se do të bëjë atë që do të kishin bërë të gjithë ata që luftuan që ta shihnin Shqipërinë “zonjë”.