Albspirit

Media/News/Publishing

TVSH: Nuk pranojmë kasetat e partive për fushatë

Radiotelevizioni shqiptar nuk do të lejojë kaseta të përgatitura nga partitë politike, për pasqyrimin e fushatës zgjedhore të 25 qershorit. Nëpërmjet një shkrese të posacme, RTSH ka njoftuar partitë parlamentare se është i gatshëm të mbulojë aktivitetet e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke ruajtur standarde të larta të informimit.

RTSH e argumenton këtë vendim me ruajtjen e profesionalizmit dhe informimin e paanshëm të publikut. Në shkresën që iu drejtohet kryetarëve respektivë të partive politike, kërkohet gjithashtu  atashimi i gazetarëve të RTSH-së, për aktivitetet që do të zhvillojnë ditë pas dite partitë kryesore në vend. Po kështu, Radiotelevizioni shqiptar dhe konkretisht Njësia e Lajmeve në këtë institucion, vetofrohet për çdo kontakt që zyrat e shtypit do të duan të kenë, për të rakorduar aktivitetet e fushatës zgjedhore.

Një praktikë e tillë, ajo e shpërndarjes së materialeve të gatshme nga partitë politike, ka qenë vitet e fundit një shqetësim i ngritur jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve, por edhe organizmat që monitorojnë zgjedhjet si OSBE-ODIHR.‎ Kjo praktikë kufizon pluralizmin në media, informacionin objektiv për shikuesin dhe lirinë editoriale të gazetarëve dhe medias në pasqyrimin e aktiviteteve politike.

Pak muaj më parë RTSH miratoi një nga dokumentet më të rëndësishme, Parimet Editoriale, i cili parashikon edhe sjelljen e gazetarëve në përcjelljen objektive dhe të paanshme të informacionit te publiku edhe në rastet e fushatave zgjedhore.

Please follow and like us: