Albspirit

Media/News/Publishing

Mbrojtja e Akademisë së Shkencave, kauzë për lirinë

Nga Grida Duma
Duma: Mbrojtja e Akademisë së Shkencave, kauzë për lirinë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet të përfaqësojë kulmin e dijes shqiptare. Sot i jemi larguar shumë dijes – fakti që çdo ditë bombardohemi me lajme për aeroplanë droge, jetime të përdhunuara, pushtet në duar të Elvisëve, Ervinëve, Edvinëve dhe Shukrinjve – e shtyn dijen dhe shkencën shumë larg shqetësimeve tona.

Por, për fat të keq, sot as Akademia e Shkencave nuk po kursehet. Ajo që duhet të jetë maja e lartë e pavarësisë së dijes, sot është zhytur më shumë se kurrë në batakun e mediokritetit dhe klientelizmit politik.

Çfarë po ndodh aty?

Me aq sa na thuhet, Akademia e Shkencave po mban zgjedhjet për pesë anëtarë të saj. Mënyra sesi janë zhvilluar këto zgjedhje ka shkaktuar indinjatën disa prej e zërave që i bëjnë nder shkencës shqiptare.

Nuk ka patur transparencë, nuk ka patur përfshirje, nuk ka patur pjesëmarrje. Thuhet se ka patur vota me zarfe dhe emërime staliniste, të cilat, ndërsa na risjellin në kujtesë doktrinën e centralizmit demokratik, shkelin çdo parim themelor të drejtësisë dhe nderit.

Trajtimi i personaliteteve më të larta të shkencës shqiptare si një tufëz bagëtish, është një atentat i tmerrshëm që i bëhet dinjitetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ajo që mund t’i ndodhë Akademisë së Shkencave vjen në vazhdën e atentateve ndaj lirisë së institucioneve universitare. Nëse “klubi stalinist” që synon të shkatërrojë demokracinë akademike ia arrin me sukses qëllimit të tij, atëherë çfarë mund t’i kërkojmë ne votuesit të zakonshëm shqiptar? Nëse korruptohen proçeset demokratike në majën më të lartë intelektuale shqiptare, si mund të jetë e mendueshme dhe e imagjinueshme që zgjedhjet vendore dhe kombëtare të mos cënohen?

Akademikët e lashtë na mësojnë se veprimet tona nuk janë të drejta sepse ne jemi të shkëlqyer apo të virtytshëm. Përkundrazi, ne jemi të virtytshëm vetëm atëherë kur veprojmë me drejtësi. Ne jemi pasqyra e asaj që bëjmë. Ekselenca nuk është një akt, është një shprehi.

Nuk duhet të pranojmë që dhunimi i institucioneve, i njerëzve, i ligjit, i gjithçkaje të shndërrohet në shprehi. Kauza e mbrojtjes së Akademisë së Shkencave është para së gjithash kauza e lirisë.

Larg përdorimit të kësaj kauze për çfarëdolloj përfitimi politik, u bëj thirrje qytetarëve të lirë të këtij vendi të mbështesin çdo zë të lirë, çdo mendje të hapur, çdo njeri të ndershëm në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Please follow and like us: