Albspirit

Media/News/Publishing

Greta Beqiri: Më jepni një motiv që të qendroj në këtë vend

 

Nuk di nga t’ja filloj! A ka ndonjë ditë të vetme që ky vend do jetojë jashtë skandaleve, jashtë paturpësive dhe krimeve? A ka ndonjë ditë të vetme Zoti që veshët dhe psiqika jonë të mos dhunohen më nga këto ndodhi të fëlliqta që po na përdhunojnë shpirtin e po na ngujojnë intelektin? Mesa duket jemi miqësuar kaq shumë me të zezat, saqë nuk marrim dot ajër po të na mungojnë një ditë.

Nga t’ja nis? Sa zgjohem në mëngjes më groposen sy e kokë bashkë nga ndodhitë rreth e qark që dëgjoj. Një 13 vjeçare që përdhunohet, aksidente pafund, vrasje dhe kërcënime me armë e thika, ca politikanë sharlatanë plot propaganda e fjalor të ndyrë. E ç’bëjmë ne të tjerët? Veprimin më të shëmtuar!

Unë bashkë me ju, rrimë e bëjmë sehir!

Bëjmë sehir me dhimbjen e tjetrit, me vdekjen dhe dhunën. Zemë atë qoshen tonë dhe mendojmë: “Shyqyr që nuk më ndodhi mua!” Ja kaq keq ka shkuar puna, të jetosh me frikë në shtëpinë tënde. Rrimë e bëjmë gham-gham çdo ditë në rrjete sociale duke sharë vendin, regjimin, politikanët, dhe ça ndodh? Hiç, asgjë po aty në vend rri çdo gjë, thjesht kemi çarë ca dërrasa kot!

Më vishen sytë duke parë se çfarë i bëhet gjinisë femërore në këtë vend! Jemi fiks ai vendi tipik që’ sillu mirë se do ikësh te burri’, por te cili burrë vallë? Te këta të djegurit që në çdo sekuencë të jetës së tyre mendojnë veç për s*ks? Ç’burra janë këta, ç’burra ka ky vend që po i vret gratë e veta?! Po na vrasin çdo e ditë e më shumë, e prap nuk vunë mend, por vazhdojnë dhe na marrin jetën me injorancën e tyre, përzhitjen e tyre të thekur e të djegur deri në palcë, e pastaj na thonë të heshtim, të ulim kokën. E pse? Që këto shk*rdhata burrash të bëjnë rehat ç’t’u dojë menderja!

Nga krahu tjetër politika, linda po me këta që shkulën e mbinë ekran, e po prap me këta do vdes! Idiotizmi dhe tallja e këtyre të fundit është kaq e pashoqe, e ju më thoni: “Rri këtu, se do bëhet ky vend”! Kur? Si? Qysh? Tek?

Apo fjalë, fjalë me lugë boshe që kanë kaq vite që na ngopin.

Ndaj sot një gjë dua t’ju kërkoj! Një motiv!

Më jepni një motiv, sadopak të vogël, por më ma gjeni atë dreq motivi që të rri në këtë vend edhe një minutë më shumë, që t’ia mbush vetes mendjen e të them me gojë e lugë plot që: “Po, këtu ia vlen sakrifica dhe lufta, ia vlen loti dhe djersa. Ia vlen për të ecur para”.

Ju lutem, ma gjeni një motiv, se me gjithë këto paçavure, më ka humbur e s’po e gjej dot!

Please follow and like us: